• e diel, 01 shkurt 2026

Shkrimtari i njohur nga Shqipëria, Odise Plaku për MIA-n: Arti nuk guxon të shndërrohet në propagandë politike, ajo duhet ta ndryshojë vetëdijen

Shkrimtari i njohur nga Shqipëria, Odise Plaku për MIA-n: Arti nuk guxon të shndërrohet në propagandë politike, ajo duhet ta ndryshojë vetëdijen

Tiranë, 26 janar 2026

Branka D. Najdovska

Odise Plaku është një shkrimtar, poet dhe dramaturg i njohur shqiptar, me një krijimtari të pasur dhe të shumanshme. Ai është autor i mbi 25 vëllimeve për fëmijë dhe të rritur, si dhe i rreth 20 veprave skenike, përfshirë drama, komedi dhe monodrama. Vepra e tij karakterizohet nga një ndjeshmëri e fortë artistike dhe një përqendrim i thellë në tematika sociale, të cilat trajtohen me sinqeritet dhe guxim.

Plaku është fitues i shumë çmimeve në konkurse poetike, është përkthyer dhe botuar në disa gjuhë të huaja, duke sjellë kështu letërsinë e tij në skenën ndërkombëtare.

Nga veprat e tij më të njohura dhe më të vlerësuara janë “Amber Alert” dhe monodrama “Engjëjt”, të cilat kanë shkaktuar emocione të fuqishme dhe kanë ngjallur debat për temat e tyre të ndjeshme, duke dëshmuar fuqinë e artit për të prekur realitetin dhe për të zgjuar ndërgjegjen shoqërore.

Përveç aktivitetit të tij krijues, Odise Plaku është i angazhuar edhe në fushën e botimeve parlamentare dhe aktualisht shërben si shef i sektorit të botimeve parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë. 

Kur e ndjetë për herë të parë se shkrimi është thirrja juaj?

Më lejoni që të shpreh falënderimet e mia të sinqerta për ftesën tuaj për të pasqyruar këtë bashkëbisedim në MIA. 

Përsa i përket fillesave me shkrimin ato nisin që në moshë të hershme, kur mësuesit e mi pikasën veçantinë e të shkruar dhe më kanë edukuar dhe mbështetur që të vazhdoja pasionin e të shkruarit. E kujtoj me emocion kur për herë të parë në moshën 10- vjeçare dy poezi do të më botoheshin në një revistë letrare të asaj kohe. Me kalimin e kohës shkrimi u shndërrua në një hapësirë ku mund të pyes, të dyshoj dhe të komunikoja me të tjerët në mënyrën që unë dija.

Si ndikoi fëmijëria juaj në Fier në ndjeshmërinë tuaj artistike?

Për hir të së vërtetës, fëmijëria ime ka kaluar në një qytet të vogël industrial i shquar për përpunimin e naftës, në Ballsh, një qytet me një jetë të larmishme artistike dhe kulturore, pjesë e së cilës kam qenë në mënyrë intensive dhe ndikoi fuqishëm në formimin tim kulturor. Ndërsa jeta ime në moshë madhore, në qytetin e Fierit, më mësoi të vëzhgoj, të dëgjoj dhe të dalloj dramat e vogla dhe të mëdha të jetës, të cilat më vonë u bënë pjesë organike e shkrimit tim. 

Pata fatin e mirë që në qytetin e Fierit të punoja për shumë vjet në mediеn televizive që më dha një bagazh profesional e më vonë do të më shërbente në rrugën e krijimtarisë. Gazetariа, për mua, mbetet një nga etapat më domethënëse të jetës sime, sepse arrita që të krijoj lidhje të fuqishme me njerëzit, por edhe të pasurohem shpirtërisht.

Çfarë ju frymëzon më shumë: përvojat personale apo realiteti shoqëror?

Frymëzimi im është një ndërthurje e përvojave personale me realitetin shoqëror. Ajo që jetoj dhe ndiej personalisht është shpesh pika e nisjes, por shkrimi merr kuptim të plotë vetëm kur lidhet me atë që ndodh përreth nesh. Realiteti shoqëror i jep veprës dimension, ndërsa përvoja personale i jep sinqeritet dhe thellësi emocionale. Për mua, këto dy burime nuk е përjashtojnë njëra-tjetrën, por ushqehen vazhdimisht mes tyre.

Shkruani poezi, prozë dhe dramë. Në cilin zhanër ndiheni më i lirë?

Çdo zhanër më ofron një liri të ndryshme dhe i përgjigjet një nevoje të caktuar shprehëse. Poezia më lejon të jem më intim dhe më i përqendruar te gjuha dhe ndjenja, proza më jep hapësirë për ndërtim dhe reflektim më të gjerë, ndërsa drama më sfidon përmes dialogut dhe përplasjes së drejtpërdrejtë të ideve. Megjithatë, ndoshta në dramë ndihem më i lirë, sepse aty fjala përballet menjëherë me publikun dhe merr jetë përmes trupit, zërit dhe konfliktit njerëzor.

Si do ta përshkruanit stilin tuaj autorial me pak fjalë?

Do ta përshkruaja stilin tim autorial si të drejtpërdrejtë, të përmbajtur dhe të ndërtuar mbi tensionin mes reales dhe poetikes. Më intereson gjuha e zhveshur nga tepricat, por e ngarkuar me kuptim, si dhe ndërtimi i situatave që lënë hapësirë për reflektim dhe pyetje, më shumë sesa për përgjigje të gatshme.

Sa dominojnë realiteti dhe sa trillimi në veprat tuaja?

Në veprat e mia, realiteti dhe trillimi janë të ndërthurura ngushtë dhe është e vështirë t’i ndaj në mënyrë të prerë. Realiteti', shpesh shërben si pikënisje - si situatë, ngjarje apo gjendje shoqërore - ndërsa trillimi më jep lirinë ta thelloj, ta transformoj dhe ta çoj përtej asaj që është e dukshme. Nuk më intereson riprodhimi i drejtpërdrejtë i realitetit, por zbulimi i së vërtetës emocionale dhe njerëzore që fshihet brenda tij.

A besoni se shkrimtari ka një përgjegjësi morale ndaj shoqërisë?

Po, besoj se shkrimtari ka një përgjegjësi morale ndaj shoqërisë, por jo në kuptimin e dhënies së mësimeve apo propagandës. Kjo përgjegjësi qëndron në ndershmërinë ndaj së vërtetës, në guximin për të prekur tema të vështira dhe në refuzimin për të heshtur përballë padrejtësive. Letërsia, për mua, është një akt ndërgjegjeje dhe lirie, që synon të zgjojë pyetje dhe empati, jo të imponojë qëndrime.

Dramat tuaja shpesh trajtojnë tema të rënda dhe të ndjeshme. Pse teatri është një medium i rëndësishëm për mesazhe të tilla?

Teatri është një medium i rëndësishëm, përmes të cilit temat e rënda dhe të ndjeshme arrijnë të prekin njerëzit në mënyrë të menjëhershme dhe të drejtpërdrejtë. Në skenë, fjala merr jetë, lëvizje dhe emocione - dhe kjo e bën përvojën më të afërt me jetën. Përmes teatrit, publiku nuk është vetëm dëgjues, por bëhet pjesë e situatës, duke е përjetuar ngjarjen në kohë reale. Kjo krijon një lloj dialogu emocional dhe moral, që rrallë mund të arrihet me të njëjtиn intensitet në prozë apo poezi.

Shfaqja “Amber Alert” shkaktoi reagime të forta. Si përballeni me barrën emocionale të temave të tilla?

Kur trajtohen tema të tilla, të rënda dhe të ngarkuara emocionalisht, barrën e përballoj duke ruajtur një distancë të nevojshme krijuese, por pa e humbur kurrë ndjeshmërinë. Unë përpiqem të mos i “sensacionalizoj” ngjarjet, por të qëndroj i sinqertë dhe i respektueshëm ndaj dhimbjes njerëzore. Në të njëjtën kohë, më duhet të kujtoj se arti nuk është vetëm pasqyrim i dhimbjes, por edhe mënyrë për të hapur diskutim dhe për të sjellë ndërgjegje. Nëse ndjej se tema po më rëndon tepër, bëj një hap mbrapa, rifokusoj energjinë dhe e përpunoj atë në mënyrë që të mos më konsumojë, por të më bëjë më të kujdesshëm dhe më të vëmendshëm.

Si e shihni gjendjen e teatrit bashkëkohor shqiptar sot?

Gjendja e teatrit bashkëkohor shqiptar është dinamike me plot sfida, por edhe plot potencial. Për mua, kjo periudhë është një kohë ku arti dhe teatrot po kërkojnë të ruajnë identitetin e tyre, ndërsa njëkohësisht përpiqen të përfaqësojnë realitetin bashkëkohor dhe të bashkëpunojnë me publikun në mënyra të reja. Është një kohë sfiduese, por edhe emocionuese, sepse krijon hapësira për rritje, eksperiment dhe dialog më të gjerë me shoqërinë dhe botën.

Veprat tuaja shpesh flasin për çështje të dhimbshme shoqërore. A mund të nxisë letërsia ndryshime?

Po, letërsia mund të nxisë ndryshime, por jo në mënyrë të menjëhershme dhe të dukshme si një ligj ose një politikë. Ajo ndryshon në nivel të ndërgjegjes, duke prekur mënyrën se si njerëzit mendojnë, ndiejnë dhe e kuptojnë realitetin.

Në veprat e mia, unë përpiqem të sjell përballë publikut një pasqyrë të pakompromis të asaj që ndodh, duke u përpjekur të mos e lehtësoj dhimbjen, por as ta glorifikoj. Kur një lexues ose shikues ndeshet me një histori të dhimbshme, ai nuk e merr vetëm informacionin, por edhe emocione, empati, pyetje dhe, ndonjëherë, një ndjesi përgjegjësie.

Si ndikon puna juaj në institucionet shtetërore në shkrimin tuaj?

Puna ime në institucione shtetërore më furnizon me situata, tensione dhe dilema morale që më interesojnë si shkrimtar.

Në të njëjtën kohë, unë përpiqem të ruaj pavarësinë krijuese, që letërsia të mos shndërrohet në propagandë apo në një zë zyrtar. Puna në institucion më mëson disiplinë, por edhe më bën të kujdesshëm për mënyrën se si е përdor fuqinë e fjalës. Nëse ka një ndikim të thellë, ai është në aftësinë për të parë realitetin në shumë shtresa dhe për të mos e trajtuar si diçka të thjeshtë, por si një str 

Ku është kufiri mes artit dhe politikës?

Kufiri mes artit dhe politikës është i hollë. Arti duhet të hapë pyetje dhe të japë liri interpretimi, ndërsa politika synon të imponojë ide. Kur arti shndërrohet në propagandë, ai humbet pavarësinë e tij. Unë besoj se një vepër mund të jetë kritike, por duhet të ruajë gjithmonë integritetin dhe sinqeritetin.

Shkruani në mënyrë të disiplinuar apo frymëzimi vjen spontanisht?

Unë punoj me një kombinim të të dyjave. Frymëzimi shpesh vjen spontanisht, por për ta kthyer atë në një vepër të qëndrueshme, më duhet disiplinë. Pa disiplinë, ideja mbetet vetëm një impuls; pa frymëzim, rutina bëhet e thatë. Prandaj, për mua shkrimi është një proces që nis me ndjesi, por përfundon me punë të vazhdueshme dhe përkushtim.

Çfarë bëni kur përballeni me një “bllokadë krijuese”?

Kur përballem me një bllokadë krijuese, përpiqem të mos e luftoj direkt, sepse shpesh kjo vetëm e forcon. Zakonisht bëj një hap mbrapa: lexoj, shëtis, dëgjoj muzikë, ose shoh një shfaqje a film që më frymëzon. Ndonjëherë më ndihmon të shkruaj diçka të vogël, pa pretendime, vetëm për të rifituar ritmin. Dhe kur ndihem më i qetë, kthehem te projekti me një këndvështrim të ri. Për mua, bllokada është pjesë e procesit, jo një pengesë e përhershme.

A ka ndonjë vepër që është veçanërisht personale ose më e dashur për ju?

Po, janë dy vepra që i ndjej më afër zemrës, “Engjëjt” dhe “Amber Alert”. Të dyja janë mirëpritur nga spektatori. Nuk e them këtë vetëm për shkak të reagimeve që ato shkaktuan, por sepse përmes tyre përjetova një përpunim të thellë emocional dhe njerëzor. Këto vepra më lidhën me dhimbjen dhe shqetësimin e një realiteti që nuk duhet të injorohet, dhe më detyroi të jem i sinqertë dhe i kujdesshëm në mënyrën se si e trajtova këto tema kaq të ndjeshme. Të dyja këto vepra më sollën ndjesinë se arti mund të bëhet një dritare për të parë dhe për të diskutuar atë që shpesh mundohemi ta fshehim.

Çfarë punoni aktualisht?

Aktualisht, jam shef i sektorit të botimeve parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë. Në këtë rol, jam i angazhuar në përpunimin dhe koordinimin e botimeve zyrtare, duke u siguruar që informacioni të jetë i qartë, i saktë dhe i vlefshëm si për institucionin, por edhe për publikun. Kjo punë më kërkon vëmendje ndaj detajeve edhe një ndjeshmëri për rëndësinë e fjalës dhe të dokumentit.

Në të njëjtën kohë, vazhdoj të punoj edhe në fushën e krijimtarisë, duke kërkuar hapësira për të shkruar dhe për të ndjekur projekte artistike. Për mua, këto dy dimensione - institucional dhe artistik - janë pjesë e së njëjtës përpjekje për të kuptuar dhe për të përshkruar realitetin.

Çfarë do të dëshironit që lexuesit apo shikuesit të marrin me vete pas përballjes me veprën tuaj?

Do të dëshiroja që, lexuesit apo shikuesit, të marrin me vete një ndjesi përgjegjësie dhe reflektimi. Nuk dua t’u jap përgjigje të gatshme, por të hap një dritare ku ata të ndalojnë, të mendojnë dhe të pyesin. Në veprat e mia kërkoj të nxis një lidhje më të thellë me realitetin dhe me njerëzit - që të mos e shohin dhimbjen si diçka të largët, por si diçka që i prek të gjithë. Në fund, do të doja që të mbetet një ndjesi, se arti mund të jetë një mënyrë, për të kuptuar më mirë veten dhe shoqërinë, dhe për të mos heshtur kur diçka nuk shkon.

Nëse do të duhej ta përshkruanit me një fjali rolin e artit sot, si do të tingëllonte?

Roli i artit sot është të na bëjë të shohim realitetin me sinqeritet, të na zgjojë ndërgjegjen dhe të na kujtojë se nuk mund të heshtim përballë dhimbjes dhe padrejtësisë.

Ju bashkëpunoni me kolegë dhe institucione kulturore nga Maqedonia e Veriut, por sa të kënaqur jeni me këtë?

-Aktualisht, niveli i bashkëpunimit me kolegët nga Maqedonia e Veriut ka qenë i kufizuar në disa takime poetike të mbajtura në Tetovë, Kumanovë dhe Shkup, si dhe në Festivalin Shqiptar të Dibrës së Madhe, ku kam qenë i pranishëm si anëtar i jurisë dhe gjithashtu me një vepër dramatike në gjuhën shqipe. Me kolegët maqedonas nuk kam pasur bashkëpunime konkrete, pavarësisht disa përpjekjeve individuale që kam bërë në fushën e dramaturgjisë. Do të kisha dëshirë që, ashtu si veprat e mia prezantohen në Greqi, Mal të Zi, Kosovë etj., të realizoja bashkëpunime edhe me kolegët nga Maqedonia e Veriut. Bashkëpunimet në art janë ura miqësie dhe unë e vlerësoj në mënyrë të veçantë miqësinë ballkanike.

Foto: arkivi privat i Odise Plakut

 

QËNDRONI TË LIDHUR