SHBA sot edhe zyrtarisht tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit për klimën
- Në pajtim me deklaratën e vitit të kaluar të presidentit amerikan, Donald Tramp, SHBA sot edhe zyrtarisht u tërhoq nga Marrëveshja e Parisit për klimën, një kornizë ndërkombëtare e rëndësishme për luftë kundër ngrohjes globale.
- Post By Sara Ademi
- 08:21, 27 janar, 2026
Uashington, 27 janar 2026 (MIA) - Në pajtim me deklaratën e vitit të kaluar të presidentit amerikan, Donald Tramp, SHBA sot edhe zyrtarisht u tërhoq nga Marrëveshja e Parisit për klimën, një kornizë ndërkombëtare e rëndësishme për luftë kundër ngrohjes globale.
Tërheqja e SHBA-së, emetuesi i dytë më i madh i gazrave të qelqta në botë, pas Kinës, me siguri do t'i japë një goditje shtesë përpjekjeve për luftë kundër ndryshimeve klimatike", publikon Blumberg.
SHBA sërish u përfshi në Marrëveshjen e Parisit për klimën pasi Xho Bajden e mori detyrën në vitin 2021, por tërheqja e saj e sërishme, për të cilën pritet të mbetet në fuqi të paktën në tre vitet e mbetura nga mandati i Trampit, do ta vështirësojë ende më shumë për komunitetin ndërkombëtar për ta arritur qëllimin e saj për kufizimin e rritjes së temperaturave globale mesatare në 1,5 gradë Celsius mbi nivelin paraindustrial.
Në fjalimin e tij gati një orësh në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtatorin e kaluar, Trampi i hodhi poshtë rreziqet nga ndryshimet klimatike, duke i quajtur "mashtrimi më i madh në botë deri tani".
Marrëveshja, e miratuar në vitin 2015 që hyri në fuqi vitin pasardhës, është ratifikuar nga pothuajse 200 vende dhe rajone.
Kjo është marrëveshja e parë globale që kërkon nga të gjitha vendet, pa marrë parasysh nivelin e tyre të zhvillimit, të vendosin objektiva për uljen e emisioneve të gazrave të qelqta. sa/
Foto: MIA arkivi