Shënohet Dita e Brigadës së Parë të Këmbësorisë – konfirmohet roli kyç në mbrojtje
- Brigada e Parë e Këmbësorisë nuk ndjek standarde – ajo i vendos ato. Profesionalizmi dhe gatishmëria juaj janë themeli mbi të cilin ndërtohet sistemi i mbrojtjes, porositi sot ministri i mbrojtjes, Vladо Misajlovski, në shënimin e Ditës së Brigadës së Parë të Këmbësorisë, duke theksuar se brigada mbetet një shtyllë kyçe në sistemin e mbrojtjes dhe bartëse e standardeve më të larta në Armatë.
- Post By Sara Ademi
- 20:41, 2 prill, 2026
Shkup, 2 prill 2026 (MIA) – Brigada e Parë e Këmbësorisë nuk ndjek standarde – ajo i vendos ato. Profesionalizmi dhe gatishmëria juaj janë themeli mbi të cilin ndërtohet sistemi i mbrojtjes, porositi sot ministri i mbrojtjes, Vladо Misajlovski, në shënimin e Ditës së Brigadës së Parë të Këmbësorisë, duke theksuar se brigada mbetet një shtyllë kyçe në sistemin e mbrojtjes dhe bartëse e standardeve më të larta në Armatë.
Misajlovski rikujtoi se para një jave u promovua pajisjet e reja, ndër të cilat edhe automjetet e blinduara Stryker, duke vlerësuar se ato e rrisin ndjeshëm gatishmërinë luftarake, por se “burimi më i rëndësishëm mbeten pjesëtarët e Armatës”.
Ai paralajmëroi se Armata do të rifreskohet me 300 ushtarë të rinj profesionistë, për të cilën gjë sot është shpallur konkurs. Sipas Misajlovskit, qëllimi është që të tërhiqen kandidatë të rinj, të motivuar dhe fizikisht të përgatitur, të cilët do të kontribuojnë në sigurinë e shtetit.
"Më të mirët do t’ju bashkohen pikërisht juve. Përvoja juaj do të jetë kyçe për trajnimin dhe integrimin e tyre në këtë profesion jashtëzakonisht të rëndësishëm", porositi ministri.
Në fjalimin e tij, Misajlovski u ndal edhe te stërvitja e ardhshme “Flakërimi 26”, nga e cila pret demonstrim të profesionalizmit të lartë dhe aftësisë luftarake të njësisë.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneral-major Sashko Llafçiski, theksoi se brigada është bartëse e një tradite të dyfishtë historike dhe shtyllë kyçe në sistemin mbrojtës të shtetit.

Ai theksoi se që nga formimi i saj në vitin 2012, Brigada e Parë e Këmbësorisë ka rolin e kapacitetit më të madh manovrues dhe luftarak të Armatës, me mision për të ruajtur një nivel të lartë të gatishmërisë luftarake në funksion të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial.
"Brigada paraqet emërues të përbashkët të modernizimit, pajisjeve dhe përmbushjes së qëllimeve të aftësimit, konform NATO standardeve", tha Llafçiski, duke theksuar se në katër vitet e fundit është zhvilluar me sukses Grupi i Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë.
Në pjesën rreth pjesëmarrjes në operacione paqeruajtëse, ai theksoi se pjesëtarët e brigadës çdo ditë kontribuojnë në sigurinë rajonale dhe globale. Ai përmendi edhe rezultatet nga pjesëmarrja në stërvitjet “Immediate Response 25” dhe “Saber Junction 25”, ku, siç tha, është demonstruar gatishmëri e lartë taktike, teknike dhe logjistike, si dhe aftësi për veprim të pavarur në mjedise të ndërlikuara operative.
Llafçiski shprehu bindjen se i njëjti nivel do të konfirmohet edhe në stërvitjen vijuese “Flakërimi 26”, në kuadër të vlerësimit të NATO-s për gatishmërinë luftarake të Grupit të Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë.
Duke folur për sfidat bashkëkohore të sigurisë, ai theksoi se gjendja aktuale gjeopolitike e thekson nevojën për gatishmëri të vazhdueshme dhe modernizim. Në atë drejtim, përmendi automjetet tashmë operative JLTV, fillimin e vendosjes së automjeteve të blinduara STRYKER dhe forcimin e mbështetjes së artilerisë me hauicerët “Boran”.

Komandanti i Brigadës së Parë të Këmbësorisë, gjeneral brigade Dejan Çiplakovski, në shënimin e Ditës së brigadës theksoi se njësia e ndërton rolin e saj mbi një traditë të fortë historike, profesionalizëm dhe përkushtim të vazhdueshëm ndaj misionit për mbrojtjen e shtetit.
Gjenerali rikujtoi gjeneratat e pjesëtarëve që e patën formuar bazën e brigadës së sotme – nga luftëtarët e Brigadës së 14-të Sulmuese Nacionalçlirimtare Maqedonase të Rinisë dhe njësitit partizan Kërçovë–Mavrovë, deri te pjesëtarët e brigadave të 11-të dhe 13-të të këmbësorisë dhe të brigadës së 1-rë dhe të 2-të të këmbësorisë së mekanizuar, nga të cilat në vitin 2012 u formua Brigada e sotme e Parë e Këmbësorisë.
Ai veçoi posaçërisht disa nga pjesëtarët që para 30 vitesh ishin pjesë e njësisë “Shkorpionët”, ndërsa sot ende shërbejnë në përbërje të brigadës.
Komandanti theksoi se brigada është njësia më e madhe e Armatës dhe forcë kryesore ushtarake, shkalla e lartë e gatishmërisë luftarake dhe aftësisë për reagim të shpejtë e së cilës janë dëshmuar përmes shumë detyrave dhe aktiviteteve. Gjatë vitit të kaluar, 1.450 pjesëtarë kanë marrë pjesë në stërvitje ndërkombëtare, mes të cilave janë edhe stërvitjet ushtarake “Combined Resolve”, “Dynamic Front”, “Immediate Response”, “Saber Junction” dhe të tjera, si dhe në stërvitjen e përbashkët taktike me Forcat e Armatosura të Italisë.
Pjesëtarët e brigadës vazhdojnë të ofrojnë mbështetje për Ministrinë e Punëve të Brendshme në kufirin jugor dhe në burgun “Idrizovë”, ndërsa një pjesë e tyre janë të angazhuar në misione ndërkombëtare në Rumani, Bullgari, Letoni, Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.
Çiplakovski theksoi se periudha e ardhshme sjell prioritete dhe sfida të reja, ndër të cilat edhe vlerësimi i suksesshëm nga NATO për gatishmërinë luftarake të Grupit të Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë. Paralelisht me këtë vazhdon procesi i vendosjes në përdorim operativ të pajisjeve të reja.
Brigada e Parë e Këmbësorisë e shënon Ditën e saj më 2 prill – datë e transformimit të saj dhe marrjes së detyrave dhe përgjegjësive nga dy brigadat e mëparshme, me çka u bë njësia më e madhe luftarake në Armatë.
Foto: MIA