• e enjte, 16 prill 2026

Sekretari i përgjithshëm i KB-së kërkoi nga SHBA-ja dhe Irani të vazhdojnë negociatat paqësore

Sekretari i përgjithshëm i KB-së kërkoi nga SHBA-ja dhe Irani të vazhdojnë negociatat paqësore

Nju-Jork, 14 prill 2026 (MIA) - Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh, u bëri thirrje SHBA-së dhe Iranit të rifillojnë bisedimet e paqes dhe të bëjnë përpjekje serioze për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme për konfliktin në Lindjen e Mesme. 

“Pas javësh shkatërrimi dhe vuajtjesh, është e qartë se nuk ka zgjidhje ushtarake për konfliktin aktual”, shkroi Guteresh në rrjetin social Iks, duke bërë thirrje për vazhdimin e negociatave.

Ai theksoi se armëpushimi aktual dyjavor duhet të respektohet plotësisht dhe shtoi se të gjitha shkeljet duhet të ndalen menjëherë.

Guteresh theksoi se të gjitha palët në konflikt duhet të respektojnë lirinë e lundrimit, përfshirë edhe përmes Ngushticës së Hormuzit, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Ndërkohë, SHBA-ja dje vendosi një bllokadë detare të ngushticës, ndërsa presidenti, Donald Tramp, paralajmëroi për mundësinë e ndërhyrjes ushtarake kundër anijeve iraniane.

Nga Komanda Qendrore e SHBA-së kumtuan se tranziti i anijeve të caktuara përmes asaj rruge strategjike detare do të kufizohet, me masat që zbatohen për anijet e lidhura me portet iraniane në Gjirin Persik dhe Gjirin e Omanit, ndërsa trafiku tjetër detar nuk është prekur. 

Teherani lëvizje të tilla të Uashingtonit i përshkroi si "pirateri".

Bllokada u paralajmërua pas dështimit të bisedimeve 21-orëshe midis SHBA-së dhe Iranit, të mbajtura në Pakistan.

Ngushtica e Hormuzit, që ndodhet midis Iranit dhe Omanit, përbën një nga rrugët detare më të rëndësishme për tregtinë globale të naftës.

Pas shpërthimit të konfliktit më 28 shkurt, Teherani praktikisht e bllokoi ngushticën, duke çuar në një ndërprerje të trafikut detar dhe një rritje të çmimeve të energjisë në tregun botëror. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR