Risteski për MIA: Rregullohet puna nga distanca, fleksibilitet për orarin e punës
- Me ligjin e ri për marrëdhënie pune që është në përgatitje e sipër, rregullohet puna nga shtëpia, nga distanca, puna onlajn, ndërsa parashihet edhe orar fleksibil pune për prindërit me fëmijë të vegjël, njofton zëvendësministri i Ekonomisë Marjan Risteski në një intervistë për MIA.
- Post By Arta Bunjaku
- 21:52, 3 mars, 2026
Shkup, 3 mars 2026 (MIA)
Lidija VELKOVSKA
Me ligjin e ri për marrëdhënie pune që është në përgatitje e sipër, rregullohet puna nga shtëpia, nga distanca, puna onlajn, ndërsa parashihet edhe orar fleksibil pune për prindërit me fëmijë të vegjël, njofton zëvendësministri i Ekonomisë Marjan Risteski në një intervistë për MIA.
- Do të përshtatet me mënyrën moderne të jetesës dhe të punës së qytetarëve, veçanërisht të të rinjve në Maqedoni, të cilët nuk duan orar të standardizuar pune prej tetë orësh siç është tani. Me fleksibilitetin më të madh të dhënë në këtë ligj, shpresoj që edhe punëdhënësit do të mund shumë më lehtë të gjejnë fuqi punëtore në tregun e punës. Nga ana tjetër, me disa rikualifikime dhe edukime shtesë të personave të papunë në tregun e punës, përmes planit operativ që po përgatisim, synojmë të krijojmë fuqi punëtore konkurruese, e cila do të mund të përshtatet me sfidat e reja dhe me ligjin e ri për marrëdhënie pune, duke përfshirë këtu edhe sektorin IT si një nga më të përfaqësuarit në këtë kohë moderne – thotë Risteski.
Në lidhje me ndikimin e konfliktit ushtarak në Lindjen e Mesme mbi ekonominë, ai thekson se nuk ka nevojë për panik dhe paralajmëron masa për të pasur goditje sa më të vogël nga rritja e çmimit të energjentëve në formulimin e çmimeve të produkteve të tjera.
- Konflikti ushtarak në Iran vërtet krijon një tronditje tektonike për ekonominë në përmasa botërore, pasiqë Irani është një nga lojtarët kryesorë në prodhimin dhe shpërndarjen e naftës në botë. Ne jemi shtet i vogël i varur nga importi, veçanërisht nga importi i energjentëve të ndryshëm, si nafta etj. Konsiderojmë se ndoshta do të ketë njëfarë ndikimi, megjithatë le të shohim si do të zhvillohen më tej proceset lidhur me konfliktin ushtarak, duke supozuar se do të përfundojë shpejt. Nëse jo, atëherë atë që do ta përcaktojë politika botërore për tejkalimin e kësaj krize do të duhet ta pranojmë edhe ne me një përshtatje të caktuar të ekonomisë sonë, me qëllim që të kemi goditje më të vogël nga rritja e çmimit të energjentëve në formulimin e çmimeve të produkteve – produkteve vendore, produkteve të importuara dhe atyre që i eksportojmë nga Maqedonia – thotë Risteski në intervistë.
Në vazhdim vijon intervista e plotë:
Zoti Risteski, po bisedojmë në prag të mbledhjes së Këshillit Ekonomik-Social, por më parë le të komentojmë se cili është qëndrimi juaj për ndikimin e zhvillimeve më të fundit me konfliktin ushtarak në Lindjen e Mesme dhe rritjen e çmimeve të naftës mbi ekonominë vendore?
- Konflikti ushtarak në Iran vërtet shkakton një tronditje tektonike për ekonominë në përmasa botërore, pasiqë Irani është një nga lojtarët kryesorë në prodhimin dhe distribuimin e naftës në botë. Ne jemi shtet i vogël i varur nga importi, veçanërisht nga energjentët si nafta etj. E gjithë kjo mund të ketë njëfarë ndikimi, por le të shohim se si do të zhvillohen më tej proceset lidhur me konfliktin ushtarak, duke supozuar se do të përfundojë shpejt. Nëse jo, atëherë atë që do ta përcaktojë politika botërore për tejkalimin e kësaj krize do të duhet ta pranojmë edhe ne me një përshtatje të caktuar të ekonomisë sonë, me qëllim që të kemi goditje më të vogël nga rritja e çmimit të energjentëve në formulimin e çmimeve të produkteve – produkteve vendore, produkteve të importuara dhe i atyre që i eksportojmë nga Maqedonia.
Si do të reagoni më konkretisht për mbrojtjen e standardit të qytetarëve nga ajo rritje e mundshme më e madhe e çmimeve?
Para së gjithash, të shpresojmë, siç thashë, që konflikti të përfundojë shpejt dhe regjimi në Iran të bjerë më shpejt, të vendoset qeverisje demokratike me ndihmën e aleatëve tanë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë aleatët në atë anë të këtij konflikti. Çdo konflikt, sidomos në vende që janë lojtarë globalë në politikën e energjentëve, si Irani, krijon lëvizje më të mëdha tektonike. Dje pati mbledhje të Këshillit të Sigurisë te presidentja dhe me siguri është diskutuar edhe për ndikimet e ardhshme mbi ekonominë maqedonase dhe cilat hapa do të ndërmerren më tej, të dhëna që do t’i komunikohen opinionit publik vendas. Do të bëja vetëm një apel për qetësi te qytetarët – nuk ka nevojë për panik. Do të shohim që përmes masave të ndryshme që do të pasojnë të rregullojmë çmimin e energjentëve, që është një nga inputet kryesore në formimin e çmimeve të produkteve, me qëllim që të mos krijohet inflacion më i madh, rritje çmimesh dhe minim të standardit jetësor të qytetarëve dhe fuqisë së tyre blerëse. Si Ministri e Ekonomisë dhe Punës dhe si Qeveri, po e ndjekim me kujdes situatën dhe opinioni publik do të informohet me kohë për të gjitha masat që do të ndërmarrim.

Ky është konteksti i ri gjeopolitik, ndërsa realiteti i brendshëm është se para dhe gjatë festave qytetarët përballen me çmime më të larta të ushqimeve. Si do t’i mbroni nga këto shtrenjtime të reja?
Kjo megjithatë nuk ndikon vetëm në Maqedoni në të gjithë atë proces. Ne jemi shtet i vogël, i varur nga importi, dhe një konflikt i tillë normalisht shkakton jo vetëm tronditje globale; më të prekshme janë ekonomitë më të brishta si ajo maqedonase. Megjithatë, sa i përket mbrojtjes së qytetarëve, pavarësisht konfliktit me Iranin, si Ministri e Ekonomisë dhe Punës po bëjmë përpjekje maksimale që çmimet në markete dhe në tregje të mbeten stabile, veçanërisht për produktet bazë për qytetarët. Përmes kontrolleve të rregullta të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, përmes ndikimit të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili gjithashtu punon me përkushtim për luftimin e praktikave të padrejta tregtare të parashikuara në Ligjin për ndalimin e praktikave të padrejta tregtare, përmes transparencës së shtuar të çmimeve në markete dhe politikave të tjera qeveritare si: investime më të mëdha, përmirësim të gjendjes ekonomike, rritje graduale të pagave të qytetarëve, presim të kemi një vit stabilizues. Inflacioni të ulet në nivel minimal, 2,5 deri në 3 për qind është parashikimi edhe i Bankës Popullore edhe i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, dhe mendoj se jemi në rrugë të mirë sepse edhe muajin e fundit kemi një ulje të lehtë të inflacionit prej 0,7 për qind. Shpresoj që në periudhën e ardhshme ai trend i uljes së inflacionit të vazhdojë, përderisa tani nuk zgjerohet konflikti ushtarak, ku ne nuk mund të ndikojmë.
A do të bisedoni me partnerët socialë për ndikimin e zhvillimeve më të fundit?
Do të diskutohet për disa tema. Njëra nga temat është shporta e re mesatare e konsumit që duhet të llogaritet në periudhën e ardhshme; po ashtu raport nga inspektoratet që punuan rregullisht në periudhën e kaluar dhe janë pjesë e “fajtorëve” për mbrojtjen e standardit të qytetarëve, sepse ne gjithmonë kemi informacion të mirë nga terreni, nga marketet, nga tregjet se si lëvizin çmimet, nëse ka praktika të padrejta tregtare, nëse ka bashkim kartel siç kishte në periudhën e kaluar ku disa kartela u dënuan, etj. Qëllimi është të sigurojmë stabilizim të çmimeve dhe ekonomi më të parashikueshme gjatë këtij dhe viteve të ardhshme. Megjithatë, nuk përjashtohet që në rend dite shpesh të vendosen edhe pika të tjera që në vetë seancën mund të kërkohen nga të gjithë partnered, të vendosen dhe të votohen.

A do të rihapet çështja e pagës minimale?
Ajo çështje u bë disi politike edhe pse mendoj se duhet të jetë më shumë çështje ekonomike. Megjithatë, ne gjithmonë jemi transparentë dhe të gatshëm të diskutojmë për pagat në Maqedoni, përfshirë këtu pagën minimale si një nga kategoritë e sistemit pagesor dhe pagesës së pagave, veçanërisht për mbrojtjen e standardit jetësor të punëtorëve. Qeveria si punëdhënës e ka kryer detyrën e saj me sindikatat në periudhën e kaluar. Për mbi 100.000 të punësuar jemi punëdhënës direkt. Këtu kemi bërë përmirësim të plotë të sistemit të rritjes së pagave, i cili ishte lënë pas dore më parë dhe kishte disbalancë të madhe midis pagave në ministri dhe institucione të ndryshme. Më parë kishim rritje në arsim, shëndetësi, polici, ushtri. Tani edhe 11.000 të punësuar në administratë që nuk ishin përfshirë me marrëveshje kolektive janë përfshirë me rritje 40 për qind të pagave përmes nënshkrimit të marrëveshjeve kolektive në nivel punëdhënësi. Ndërkohë, me dy sindikatat përfaqësuese, KSS dhe SSM, do të diskutojmë edhe për ndryshime në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive në sektorin publik, e cila ka skaduar, por mendojmë se ka hapësirë për ndryshime për të sjellë marrëveshje më cilësore që do të sigurojë mbrojtje më të madhe për të punësuarit në sektorin publik dhe administratë. Për mbi 600.000 të punësuar ku punëdhënës është sektori privat mbetemi në qëndrimin se nuk duhet të ketë ndërhyrje politike nga Qeveria për rritje të panatyrshme të pagave jashtë formulës së përcaktuar në Ligjin për pagë minimale, të nënshkruar nga tre palët në marrëveshjen tripalëshe – që të mos prishet gjendja e përgjithshme ekonomike.
Duhet të kemi kujdes. Edhe ne jemi për rritje pagash dhe përmirësim të standardit, por kërkesat ad hoc për rritje të panatyrshme duhet të analizohen: sa do të godasë sektorët intensivë të punës si tekstili dhe lëkura, mikro-ndërmarrjet dhe zejtarët; sa kompani do të mbyllen; a do të ketë pushime nga puna; a do të përfshihet rritja në çmimin final të produktit duke nxitur kështu spiralen e inflacionit dhe në fund qytetarët ta paguajnë nga xhepi i tyre me standard më të ulët dhe pasoja afatgjata ekonomike.
Në rend dite është edhe shporta mesatare. Kur pritet të fillojë zbatimi dhe çfarë do të thotë kjo për qytetarët?
Shporta mesatare pas 15 vitesh do të llogaritet nga një institucion zyrtar – Ministria e Ekonomisë dhe e Punës. Deri në vitin 2009-10 këtë e llogariste Enti Shtetëror i Statistikës, por prej atëherë nuk ka pasur shportë zyrtare. Tani ekziston vetëm ajo sindikale e SSM-së, e cila sipas nesh nuk është as minimale as sindikale. Me miratimin e kësaj shporte do të kemi llogaritje reale për një familje mesatare katër anëtarëshe maqedonase, me të dhëna nga institucionet relevante: Enti Shtetëror i Statistikës, Inspektorati Shtetëror i Tregut, Sistemi Informativ i Tregut Bujqësor, çmime nga gjashtë zinxhirë të mëdhenj marketesh dhe dy lokalë, si dhe tregje të ndryshme të gjelbra. Nuk do të përfshihen alkooli dhe cigaret si mallra akcize, sepse nuk konsiderohen nevojë por luks.
Janë paralajmëruar ndryshime në Ligjin për ndalimin e praktikave të padrejta tregtare. Për çfarë konkretisht bëhet fjalë?
Ligji në fjalë është revolucionar dhe rregullon marrëdhëniet mes furnizuesve dhe tregtarëve. Rabati nga 35-40 % që merrej qysh në hyrje të mallrave në treg është kufizuar në 10 %, duke përfshirë këtu kosto për sistemim, magazinim dhe angazhim personeli. Ky ligj kontrollohet nga Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës (KMK) dhe duheshte të kalojë një periudhë e caktuar që të sublimohen punët rreth realizimit të marrëveshjes dhe repektimin e kontratave mes furnizuesve dhe tregtarëve. Veçmë kemi rezultate konkrete nga puna e KMK – së. U qartësua se në këtë periudhë duhet të bëhen ndryshime të caktuara të natyrës teknike e thelbësore, por prapëseprapë ndyshime më të mëdha duhet të ketë në politikën ndëshkuese. Të potencoj se deri më tani janë hapur mbi 30 lëndë, pikërisht në raport me zbatimin e Ligjit për Ndalim të praktikave të palejuara tregtare. Janë shqiptuar me vendime gjobitjeje rreth 150000 euro dënime nga ana e KMK-së ndaj personave të caktuar që kanë thyer ligjin. Dënimi maksimal i parashikuar ishte rreth 20000 eurove, për të cilin mendojmë se është i ulët. Në periudhën që vjen ky denim do të jetë shumëfish më i madh. Edhe kryeministri paralajmëroi zmadhim të këtyre dënimeve. Patëm takim pune edhe me KMK-në. Janë parashikuar dënime të zmadhuara për lojtarët më të mëdhenj, marketet, për shkak të rrezikimit të tregtisë së drejtë dhe të qytetarëve, gjobat do të shkojnë deri në 400000 euro. Megjithatë parashikohet edhe denim e gjobitje për furnizuesit, të cilët nga ana tjetër deri më tani e pranonin këtë lojë të tregtarëve.

Kur jemi tek një pjesë e rregullores, në vijim janë përgatitjet e një ligji të ri për marrëdhënie pune. Çka mund të ndani me ne, çfarë risi parashikohen, veçanërisht në lidhje me kërkesat aktuale imediate për rregullim të një pjese të punës nga distanca ?
Ligji aktual është 20 vjet i vjetër dhe nuk përkon me nevojat thelbësore në Maqedoni, kjo për shkak se paraqet Ligjin themelor për raporte punuese, do të kisha thënë paraqet Kushtetutë në rregullimin e raporteve punuese. Që tetë vjet pritet sjellja e këtij Ligji, por unë ju bind se këtë vit do të jetë i përshpejtuar. Do të shohim që deri në fund të vitit, në parashikimet më optimiste, ta sjellim këtë ligj, i cili do të jape një kornizë të re në rregullimin e raporteve punuese në Maqedoni. E para, po punohet me të. Do të kujdesemi që të mbrojmë të gjitha standardet ndërkombëtare dhe të drejtat e punëtorëve. Pra, do të tregohet kujdes maksimal që të garantohen të gjitha të drejtat e punëmarrësve, sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare. Nga ana tjetër, punëdhënësve me këtë ligj do t’u ofrohet fleksibilitet më i madh në rregullimin e marrëdhënieve të punës me punonjësit. Do të synojmë që ligji të jetë i drejtë, i qartë dhe preciz, në mënyrë që të mos lejohen abuzime të mëtejshme apo shmangie të dispozitave ligjore, ose që ato të minimizohen, gjë që nënkupton një rol më të fuqishëm të Inspektoratit Shtetëror të Punës.
Megjithatë, ligji i ri duhet të përshtatet me ndryshimet e reja ekonomike dhe teknologjike, me zhvillimin e industrisë së IT-së, digjitalizimin, etj.
Nga 1 janari ka filluar zbatimi i Ligjit për angazhimin në punë të personave. Çfarë tregojnë efektet e para?
Ky ligj është gjithashtu revolucionar dhe për herë të parë zbatohet në Maqedoni. Qëllimi i tij është luftimi i ekonomisë gri dhe i punës në të zezë, e cila ishte e përhapur në shumë sektorë. Përfshihen bujqësia, hoteleria dhe shërbimet në amvisëri, aty ku është konstatuar nevoja më e madhe dhe prania më e theksuar e punës në të zezë. Mendoj
se aplikacioni është shumë i thjeshtë dhe i qasshëm për të gjithë punëdhënësit, në mënyrë që gjatë ditës, javës apo muajit, të mund të regjistrojnë dhe çregjistrojnë punonjësit.
Me këtë ligj, i njohur gjerësisht si ligji për punëtorët sezonalë, përfshihen kategori të ndryshme qytetarësh: studentët, pensionistët, personat e punësuar që mund të angazhohen në punë shtesë ose me kohë të pjesshme (part-time), si dhe personat e papunë dhe kategori sociale. Gjatë angazhimit në punë, ata nuk do ta humbasin statusin e fituar më parë dhe do t’u llogariten kontributet për sigurimin pensional dhe invalidor, etj., me një normë të caktuar të favorshme.
Presim që ligji të japë efektet e para gjatë këtij viti dhe që në periudhën në vijim rreth 18 deri në 20 mijë persona, të cilët aktualisht punojnë në të zezë, të përfshihen në rregullim ligjor. Nga këndvështrimi i punëdhënësve, kjo është e dobishme, sepse nuk do të kenë frikë nga kontrollet e inspektoratit të punës; në çdo kohë, përmes telefonit të tyre mobil, do të mund të regjistrojnë dhe çregjistrojnë personat në mënyrë të thjeshtë, në varësi të orëve apo ditëve të angazhimit.
Nga ana tjetër, personat që deri më tani kanë qenë të angazhuar pa u paguar kontribute, do të mund të përfitojnë pagesën e tyre dhe të marrin të gjitha të drejtat e parashikuara me ligj, qoftë pension, bursë studentore apo ndihmë sociale, pa e humbur statusin përkatës. Kjo do të përbëjë një të ardhur shtesë për ta.
Së pari duhet të vlerësojmë efektet që ky ligj do të japë në fund të vitit.
Fotо: Frosina Naskoviq
Video: Andrej Brankoviq