Rama publikoi raportin: Shqipëria renditet në vendin e 9-të në botë për sigurinë kibernetike
- Shqipëria është renditur në vendin e 9-të në botë për sigurinë kibernetike sipas NCSI 2026 (Indeksi kombëtar i sigurisë kibernetike).
- Post By Qefsere Abduli
- 20:14, 19 mars, 2026
Tiranë, 19 mars 2026 (MIA) - Shqipëria është renditur në vendin e 9-të në botë për sigurinë kibernetike sipas NCSI 2026 (Indeksi kombëtar i sigurisë kibernetike).
Raportin e ndau në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama, i cili shkroi se Shqipëria është vlerësuar pozitivisht për progresin e saj në forcimin e strukturave përgjegjëse për sigurinë kibernetike, zhvillimin e politikave dhe strategjive kombëtare.

"Shqipëria renditet në vendin e 9-të në botë për sigurinë kibernetike sipas NCSI 2026 (Indeksi kombëtar i sigurisë kibernetike). Sipas raportit, Shqipëria vlerësohet lart për progresin e saj në forcimin e strukturave përgjegjëse për sigurinë kibernetike, zhvillimin e politikave dhe strategjive kombëtare”, shkruan Rama.
Ai shton se është vlerësuar lart edhe për përmirësimin e mekanizmave për koordinimin dhe reagimin ndaj kërcënimeve në hapësirën digjitale.
Renditja në vendin e 9-të në botë përfaqëson një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme, duke reflektuar ngritje të vazhdueshme nga vendi i 54-t në vitin 2023 dhe i 15-ti në vitin 2025, drejt renditjes mes vendeve më të përparuara në botë në këtë fushë. qa/