Putin: Kremlini po ndjek me kujdes situatën rreth Iranit
- Kremlini po ndjek me kujdes zhvillimet rreth situatës në Iran, deklaroi presidenti rus Vladimir Putin gjatë takimit me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, sheikun Mohamed bin Zajed Al Nahjan.
Moskë, 29 janar 2026 (MIA) – Kremlini po ndjek me kujdes zhvillimet rreth situatës në Iran, deklaroi presidenti rus Vladimir Putin gjatë takimit me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, sheikun Mohamed bin Zajed Al Nahjan.
"Sigurisht, ne po ndjekim me kujdes se çfarë po ndodh aktualisht në skenën iraniane, tha Putin, duke shtuar se dëshiron të bisedojë me Al Nahjan për të gjitha çështjet kyçe të politikës rajonale dhe globale, si dhe për aspekte të ndryshme të marrëdhënieve bilaterale.
Presidenti rus kujtoi se në gusht 2025, të dy liderët patën biseda të detajuara në Kremlin, ku u shqyrtuan çështjet aktuale të bashkëpunimit ruso-emirat dhe u përcaktuan plane për zhvillimin e tij të mëtejshëm.
Putin propozoi t’u jepet mundësia anëtarëve të delegacioneve të Rusisë dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe të shprehin opinionet e tyre mbi temat më delikate dhe më të rëndësishme, dhe pastaj paralajmëroi një drekë pune me Al Nahjan, në të cilën, siç tha, mund të diskutojnë për këto çështje “sy më sy”.
Së fundmi, Emiratet e Bashkuara Arabe ishin nikoqire të bisedimeve të paqes midis delegacioneve të Rusisë, SHBA-së dhe Ukrainës.
Më parë gjatë ditës, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, deklaroi se mundësia për negociata midis SHBA-së dhe Iranit ende nuk është shteruar. Ai paralajmëroi se përdorimi i çdo lloji force kundër Teheranit mund të shkaktojë “kaos” në rajon dhe të ketë pasoja serioze.
Presidenti amerikan, Donald Tramp, dje i bëri thirrje Iranit që të ulet në tryezën e bisedimeve dhe të arrijë marrëveshje për armët bërthamore. ls/
Foto: DPA