• e diel, 01 shkurt 2026

Protestë e LSM-së me kërkesa për pagë minimale prej 600 euro dhe rritje të të gjitha pagave për 6.000 denarë

Protestë e LSM-së me kërkesa për pagë minimale prej 600 euro dhe rritje të të gjitha pagave për 6.000 denarë

Shkup, 28 janar 2026 (MIA) – Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) sot mbajti protestë para Shtëpisë së Punëtorëve, Kuvendit, Odës Ekonomike dhe Qeverisë, duke kërkuar rritje urgjente të pagës minimale në 600 euro dhe rritje të të gjitha pagave për të paktën 6.000 denarë. 

Kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov para Shtëpisë së Punëtorëve deklaroi se “punëtorët më nuk do t’i lusin Qeverinë dhe shefat, por do të luftojnë për rritjen e pagave”. 

“Sot jemi këtu për fëmijët tanë, për vajzat dhe djemtë tanë, për nipërit dhe mbesat dhe stërnipërit tanë. Sot jemi këtu për të luftuar që pagat mizore të rriten sepse Qeveria dhe shefat refuzojnë ta bëjnë këtë dhe refuzojnë të ndihmojnë familjet tona. Sot flasin punëtorët. Politikanët kishin kohë të mjaftueshme për ta bërë këtë dhe nuk e bënë. Nga sot po flasim për rritjen e pagës minimale në të paktën 600 euro dhe rritjen e të gjitha pagave të tjera me të paktën 6.000 denarë”, tha Trendafillov.

Para ndërtesës së Kuvendit ai u dërgoi porosi 120 deputetëve të cilët, sipas tij, një vit refuzojnë të bëjnë ndryshime në Ligjin për Pagën Minimale. Kërkoi që menjëherë, që nesër, të propozohen ndryshime dhe plotësime të Ligjit për Pagën Minimale që të rritet në 600 euro, që tu ndihmohet 200.000 punëtorëve të cilët kanë pagën nën 30.000 denarë. 

“Nëse deri në fund të javës nuk propozoni ndryshime në ligj dhe nuk votoni së bashku për të ndihmuar punëtorët, revolta e punëtorëve do të vazhdojë. Do të jetë më e ashpër, do të ketë bllokada, do të pasojë grevë e përgjithshme dhe do të pasojë ajo që do t'ju dëmtojë më shumë… Do të mbledhim 10.000 vota, nënshkrime, me të cilat do të bëhemi propozues civilë dhe do të kërkojmë që pagat tuaja të ulen me 80 për qind. Dhe do të kërkojmë që të rrisni pagën minimale në 600 euro dhe të rrisni pagat e tjera me të paktën 6.000 denarë”, tha Trendafillov.

Zëvendëskryetari i LSM-së, Ivan Peshevski para Odës Ekonomike deklaroi se punëtorët do të jenë aty çdo ditë derisa nuk e sigurojnë pagën e dëshiruar, duke paralajmëruar bllokada në rrugë dhe institucione, si dhe vendim për grevë të përgjithshme, e cila, siç tha, do të jetë për të parën herë në historinë e Maqedonisë në sektorin privat. 

“Jemi këtu sot, do të jemi atje nesër dhe çdo ditë derisa të arrijmë qëllimin tonë, që është kërkesa jonë për pagë minimale prej 600 eurosh dhe rritje të të gjitha pagave me të paktën 6.000 denarë, 6.000 denarë vetëm në një vit na janë rritur shpenzimet e jetesës falë politikave të këqija dhe tregtarëve të padrejtë që na lënë me tavolina bosh para festave më të mëdha... Do të bllokojmë edhe rrugët ashtu edhe institucionet dhe do të marrim vendim për grevë të përgjithshme për herë të parë në historinë e Maqedonisë në sektorin privat”, tha Peshevski.

Kryetari i Sindikatës së AOJSHQ, Tërpe Deanoski në fjalimin e tij para Qeverisë, theksoi se protesta e sotme e punëtorëve nuk është për qëllime politike, por, siç tha, për shkak të asaj që pagat punëtorëve nuk iu dalin as deri në mes të muajit. 

“Politika nuk na bashkoi këtu sot; vuajtja na bashkoi, padrejtësia na bashkoi, varfëria na bashkoi, pagat që nuk arrijnë as në mes të muajit na bashkuan. Frigoriferët bosh dhe çmimet në markete na bashkuan. Shporta minimale sindikale, e cila arrin në 65.000 denarë, na bashkoi”, tha Deanoski.

Para Qeverisë, edhe një herë para punëtorëve foli kryetari i LSM-së, Trendafillov, duke dërguar kritika për funksionarët qeveritarë. fc/

Foto: MIA

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR