Propozohen përfaqësuesit e partive politike në grupin e punës për Kodin Zgjedhor
- Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi sot informon se partitë politike i kanë propozuar përfaqësuesit me të cilët do të marrin pjesë në grupin e punës për Kodin Zgjedhor.
- Post By Sara Ademi
- 12:35, 29 janar, 2026
Shkup, 29 janar 2026 (MIA) - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi sot informon se partitë politike i kanë propozuar përfaqësuesit me të cilët do të marrin pjesë në grupin e punës për Kodin Zgjedhor.
Lista me përfaqësuesit e propozuar partiak tashmë është te ministri i Drejtësisë Igor Filkov dhe pritet ta caktojë takimin e parë. Nga partitë politike në pushtet, VMRO-DPMNE do të përfaqësohet nga deputetët Antonio Milloshoski dhe Ivanka Vasilevska, nga ZNAM do të jenë Pavle Arsoski dhe Daniel Stojçevski, nga VLEN - Saranda Imeri dhe Zeqirja Tairi.
Nga LSDM-ja opozitare në trupin e punës për kodin zgjedhor do të marrin pjesë koordinatori Oliver Spasovski dhe Jovana Trençevska, nga BDI ish deputetja Arta Bilalli Zendeli, si dhe Blerim Bexheti, ndërsa nga E Majta - Borisllav Krmov dhe Rexhep Ismail. Nga krahu i Aleancës për Shqiptarët të udhëhequr nga Zijadin Selma, përfaqësues do të jenë deputetët Ilide Dauti dhe Elmi Aziri, ndërsa nga krahu i Arben Taravarit janë deputetët Riad Shaqiri dhe Halil Snopçe, ndërsa nga Partia e Turqve është deputeti Bjexhan Iljas dhe nga PLD Monika Zajkova.
Gashi në brifingun e sotëm me gazetarët tha se pret të gjithë që janë inkuadruar në procesin zgjehdor të përfshihen dhe të miratohet një Kod Zgjedhor më cilësor se ato paraprak.
"Mund të them se partitë politike tashmë kanë propozuar, të gjithë ata që duan të jenë pjesë e grupit të punës. Ata propozuan emra, ne ia përcollëm Ministrisë së Drejtësisë. Dëgjuam nga ministri i Drejtësisë se shumë shpejt do të kemi takimin e parë zyrtar, pra seancën konstituive të grupit të punës, dhe kështu do të biem dakord për parimet e grupit të punës për Kodin Zgjedhor. Shpresoj që të jetë me dinamikë të shtuar, bisedimet do të zhvillohen në Kuvend dhe në fund, së bashku me të gjithë në proces, jo vetëm partitë politike, por edhe ekspertët, të gjitha institucionet e tjera që janë të implikuara në procesin zgjedhor, të jenë pjesë e procesit në mënyrë që të mund të miratojmë një Kod Zgjedhor që të gjithë do ta pranojmë, të gjithë do ta votojmë në fund dhe do të jetë shumë më cilësor se ata të mëparshmit", tha Gashi.
Ai thekson se ende nuk ka informata nëse bëhet fjalë për një ligj komplet të ri ose vetëm për ndryshime në tekstin e përhershëm të Kodit Zgjedhor.
"Ende nuk kemi një informatë të tillë. Kjo do t'i dorëzohet ministrit të drejtësisë në takimin e parë. Ashtu u dakorduam në koordinimin e parë me Ministrinë e Drejtësisë, kur të formohet grupi i punës, ta kemi tekstin. Atëherë do ta shohim nëse kemi tekst për ndryshime të Kodit Zgjedhor ose plotësisht për një tekst të ri", tha kryetari Gashi.
Në takimin e lidershipit të thirrur së fundmi nga kryeministri Hristijan Mickoski, u ra dakord që nevojitet një kod i ri zgjedhor dhe ai duhet të jetë gati deri në qershor. Kodi zgjedhor është gjithashtu pjesë e Agjendës së Reformës. Në takimin e fundit të koordinatorëve të grupeve parlamentare dhe ministrit të Drejtësisë, u arrit në përfundimin se nëse deputetët vendosin, më shumë se një e treta e Kodit Zgjedhor do të ndryshohet. Në atë rast, do të duhet të përgatiten rregulla të reja zgjedhore, përndryshe do të ndryshohet ajo ekzistuese. sa/
Foto: Kuvendi