Programi për jubile në vitin 2026 me 94 propozime, Komisioni për kulturë i propozon Kuvendit ta shqyrtojë dhe ta miratojë
- Komisioni parlamentar për kulturë dhe turizëm sot shqyrtoi propozim-programin për shënimin e përvjetorëve jubilarë të ngjarjeve të rëndësishme dhe personaliteteve të shquara në vitin 2026 dhe miratoi një vendim me të cilin i propozon Kuvendit ta miratojë.
- Post By Qefsere Abduli
- 13:56, 23 mars, 2026
Shkup, 23 mars 2026 (MIA) - Komisioni parlamentar për kulturë dhe turizëm sot shqyrtoi propozim-programin për shënimin e përvjetorëve jubilarë të ngjarjeve të rëndësishme dhe personaliteteve të shquara në vitin 2026 dhe miratoi një vendim me të cilin i propozon Kuvendit ta miratojë.
Sipas programit të miratuar nga Komisioni amë, këtë vit do të shënohen 94 jubile. Programin e përgatiti një grup pune prej nëntë deputetësh: Velika Stojkova-Serafimovska, Pavle Arsoski, Dijana Toska, Sanja Lukarevska, Dragan Nedelkoviq, Bejxhan Iljaz, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, Sali Murati dhe Valbona Adili.
Ata kanë shqyrtuar rreth njëqind propozime të marra nga 32 institucione, universitete, institucione kombëtare, shoqata, organizata joqeveritare, komuna dhe Qyteti i Shkupit, të cilat iu përgjigjën shkresës së tyre me kërkesë për të dorëzuar propozime për shënimin e përvjetorëve të rëndësishëm.
Propozim-programi, i cili sot ishte në rend dite, përmbante 95 propozime, por prej tij është hequr propozimi i Institutit të historisë kombëtare për të shënuar 15 vjet nga vdekja e politikanes dhe ish ministres së Punëve të Brendshme, Dosta Dimovska. Ky propozim i deputetes Bisera Kostadinovska-Stojçevska u mbështet edhe nga deputetë të tjerë nga pushteti dhe opozita, të cilët konkluduan se programi nuk duhet të ngarkohet me propozime që mund të krijojnë defokus dhe se pranimi i tij do të çonte në një periudhë të pacaktuar kohore sepse çdo vit do të shënonte përvjetorin e lindjes ose vdekjes së ndonjë ministri.

Deputetja Velika Stojkova-Serafimovska në mbledhjen e komisionit tha se ndodhin edhe lëshime të tilla kur hartohet një program i gjerë, megjithëse, siç tha, janë përpjekur që të mos ketë. Ajo theksoi se është hartuar një program i përshtatshëm dhe i qëndrueshëm dhe se bëhet fjalë për një dokument që përbën kujtesën tonë shtetërore.
"I kemi pranuar ato që i përmbushin kriteret e përcaktuara kohore dhe, kuptohet, ato që janë të arsyeshme dhe që kanë lënë gjurmë në shtetformimin e Maqedonisë. Për disa propozime kemi bërë kompromis, kemi qenë shumë të kujdesshëm gjatë hartimit. Ky dokument është kujtesa jonë shtetërore, është e rëndësishme që e kemi vazhduar kontinuitetin dhe sërish kemi program për shënimin e përvjetorëve të ngjarjeve dhe personaliteteve të rëndësishme", tha Stojkova-Serafimovska.
Siç tha ajo, sfidë në hartim ishte fakti se një numër i madh institucionesh nuk iu përgjigjën kërkesës së tyre për të dorëzuar propozime, kështu që për shumë jubile që janë pjesë e programit, vetë anëtarët e grupit të punës kanë hulumtuar dhe i kanë propozuar. Ajo vlerësoi gjithashtu punën e një punonjësi në Komunën e Prilepit, i cili u ka dërguar shumë propozime për ngjarje dhe personalitete që i referohen të gjithë territorit të shtetit. Sipas Stojkova Serafimovska për të pasur më shumë kohë për dorëzimin e propozimeve, në të ardhmen programi i jubileve duhet të fillojë të përgatitet më herët, pra në shtator në vend të dhjetorit.

Ndër 94 propozimet në programin për shënimin e jubileve në vitin 2026 janë: 250 vjet nga lindja e Sirma Vojvoda, 180 vjet nga vdekja e mitropolitit Teodosij Gologanov, 150 vjet nga Kryengritja e Razllovkës, 120 vjet nga vdekja e Dame Gruevit, 100 vjet nga vdekja e Kërste Petkov Misirkov, 75 vjet nga vdekja e Pavel Shatev dhe Panko Brashnarov, 90 vjet nga lindja e Ferid Muratit, mjek me famë botërore me origjinë shqiptare nga Maqedonia, i cili ishte pjesë e ekipit të shkencëtarëve që ndanë Çmimin Nobel për mjekësi në vitin 1988, 70 vjet nga lindja e presidentit Boris Trajkovski, 50 vjet nga vdekja e Nikola Badev dhe 40 vjet nga Risto Shishkov, 20 vjet nga vdekja e Petre M. Andreevski dhe Dimitrie Osmanli…
Në program përfshihen edhe 100 vjet nga themelimi i Muzeut të Shkencave Natyrore dhe Kopshtit Zoologjik në Shkup, 60 vjet nga "Kurora e Artë" e parë e Mbrëmjeve të poezisë strugane, 50 vjet nga themelimi i "Buk e Krip", 50 vjet nga themelimi i Katedrës për gjuhën dhe letërsinë turke. Jubile do të shënojnë edhe Fakulteti Filozofik në Shkup si fakulteti i parë i hapur në Universitetin e Shkupit, Shoqata e Artistëve Figurativë të Maqedonisë, Arkivi Shtetëror, Fakulteti i Arteve Muzikore, etj. qa/
Foto: MIA