Nikolloski: PDU-të e bllokuara janë arsyeja për çmimet 2.500 euro për metër katror në Shkup dhe 4.000 euro në Ohër
- Sfidat me banesat në Maqedoni dhe pamundësia e të rinjve për të siguruar një shtëpi të tyre për shkak të çmimeve të larta të banesave, të cilat arrijnë deri në 2.500 euro për metër katror në Shkup, shkaktuan polemikë mes deputetit të së Majtës, Amar Mecinoviq, dhe ministrit të Transportit, Aleksandar Nikollovski, në seancën e 95-të për pyetjet e deputetëve në shtëpinë ligjvënëse.
- Post By Ramize Qamili
- 17:09, 26 mars, 2026
Shkup, 26 mars 2026 (MIA) - Sfidat me banesat në Maqedoni dhe pamundësia e të rinjve për të siguruar një shtëpi të tyre për shkak të çmimeve të larta të banesave, të cilat arrijnë deri në 2.500 euro për metër katror në Shkup, shkaktuan polemikë mes deputetit të së Majtës, Amar Mecinoviq, dhe ministrit të Transportit, Aleksandar Nikollovski, në seancën e 95-të për pyetjet e deputetëve në shtëpinë ligjvënëse.
Mecinoviq e akuzoi Qeverinë për neglizhencë ndaj familjeve punëtore dhe për tolerimin e spekulimeve në treg, ndërsa ministri Nikollovski u përgjigj se çmimet e larta janë pasojë direkte e bllokimit të planeve urbanistike dhe e histerisë së krijuar kundër ndërtimtarisë, veçanërisht në disa komuna të Shkupit dhe në Ohër, nga ana e së Majtës dhe partnerët e tyre në koalicion.
Duke bërë pyetje, deputeti Mecinoviq theksoi se banimi nuk duhet të shihet si një komoditet, por si një e drejtë themelore e njeriut. Sipas tij, ky është problemi më i rëndë për të rinjtë dhe familjet e tyre, të cilët, siç tha, janë lënë në mëshirën e tregut, gjë që kontribuon drejtpërdrejt në largimin e tyre nga vendi.

Në përgjigjen e tij, ministri i Transportit, Nikollovski, i hodhi poshtë akuzat, duke theksuar se pikërisht politikat e së Majtës dhe krijimi i rezistencës ndaj çdo plani të ri urbanistik të detajuar në komunat e Shkupit kufizojnë ofertën e banesave, gjë që padyshim çon në rritjen e çmimeve sipas ligjeve themelore ekonomike.
Theksoi se në disa komuna të Shkupit, si Qendra, Karposhi, Aerodromi, Kisella Voda, Gazi Baba dhe Çairi, nuk miratohen plane për shkak të presionit të publikut, ndërsa situata është e ngjashme edhe në Ohër, ku për shkak të ndalimeve strikte për ndërtim, çmimi për metër katror ka mbërrij 4.000 euro
Ai foli dhe për ndryshimet ligjore për lehtësimin e procedurave për ndërtimin e marketeve dhe hoteleve jashtë qendrave urbane, duke potencuar se këto masa synojnë të tërheqin investitorë, të rrisin konkurrencën dhe të ulin çmimet e produkteve përmes shkatërrimit të monopolëve, duke akuzuar partinë opozitare për populizëm politik që godet interesat e qytetarëve. rq/
Foto: Printskrin