Nikolloski: Punojmë për marrëveshje dypalëshe për viza afatgjata me vendet ku shkojnë më shpesh transportuesit tanë
- Qeveria po punon për zgjidhje sistematike për problemin me transportuesit, deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski duke shpjeguar se pas vonesës së zbatimit dhe njohjes së shoferëve të kamionëve dhe autobusëve si profesionistë me strategjinë e re të vizave të Bashkimit Evropian, shteti po punon për marrëveshje dypalëshe për viza afatgjata me vendet ku transportuesit tanë shkojnë më shpesh.
- Post By Fami Bajrami
- 20:44, 9 prill, 2026
Shkup, 9 prill 2026 (MIA) – Qeveria po punon për zgjidhje sistematike për problemin me transportuesit, deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski duke shpjeguar se pas vonesës së zbatimit dhe njohjes së shoferëve të kamionëve dhe autobusëve si profesionistë me strategjinë e re të vizave të Bashkimit Evropian, shteti po punon për marrëveshje dypalëshe për viza afatgjata me vendet ku transportuesit tanë shkojnë më shpesh.
Nikolloski në "Samo intervju" (Vetëm intervistë) në Kanal 5, shpjegoi se me Bullgarinë dhe Greqinë po punohet që të mos kërkohen fare viza afatgjata për transportuesit, ndërsa Zvicra tashmë i ka vendosur ato, në Kroaci janë në Kuvend, me Hungarinë pas zgjedhjeve, ndërsa përfaqësuesit tanë në prill do të shkojnë në Rumani dhe Austri dhe mbeten Gjermania dhe Britania e Madhe.
Lidhur me vendosjen e sistemit elektronik për regjistrimin e hyrjes dhe daljes nga zona Shengen, Nikolloski sqaroi se problemi, sipas tij, është në tre pjesë, por se "nuk ka të bëjë me ndryshimin e rregullave" dhe se as më parë dhe as tani nuk mund të qëndrohet në zonën Shengen për më shumë se 90 ditë.
"Dallimi është se deri më tani, për shkak se sistemi me vula në pasaportë është larg të qenit i përsosur dhe ishte pothuajse e pamundur të përcaktohej se sa kohë qëndron brenda atyre 180 ditëve. Teorikisht është e mundur, por praktikisht e dimë se nuk është. Me sistemin elektronik, situata tashmë po ndryshon. Pra, rregulli nuk po ndryshon, kontrolli i rregullit po ndryshon", tha Nikolloski.
Qëndrimi i Qeverisë, thekson Nikolloski, për problemin me transportuesit është se problemi duhet të zgjidhet në mënyrë sistematike.
"Protesta e transportuesve ndihmoi shumë, por ndihmoi edhe aktiviteti diplomatik. E dini që në mes të protestës shkova në Kroaci, komunikova me Greqinë dhe Bullgarinë dhe ramë dakord se do të ketë një zgjidhje sistemike. Hapi i parë drejt një zgjidhjeje sistemike ishte strategjia e re e vizave që Bashkimi Evropian e shpalli shumë përpara afatit, ku për herë të parë shoferët e kamionëve dhe autobusëve u njohën si profesionistë. Hapi i dytë ishte shtyrja e zbatimit të këtij sistemi të paktën deri në fund të shtatorit në mënyrë që shtetet anëtare të mund të përshtaten me atë që do të zgjidhej. Zgjidhja e tretë është të identifikohen vendet ku transportuesit tanë shkojnë më shpesh dhe ato tashmë janë identifikuar dhe të punohet me ta në mënyrë bilaterale për viza afatgjata që do t'u jepen transportuesve tanë, nga njëra anë, dhe të ketë marrëveshje me Bullgarinë dhe Greqinë, duke marrë parasysh se këtu ka qarkullim të përditshëm, se vizat nuk kërkohen fare dhe të mos ketë asnjë kufizim", tha Nikolloski.
Foto: arkivi i MIA-s