• e martë, 16 dhjetor 2025

Nevzat Bejta dorëzoi kandidaturën në KKZ, nga VLEN njoftojnë për një kandidat për një Gostivar më të fortë

Nevzat Bejta dorëzoi kandidaturën në KKZ, nga VLEN njoftojnë për një kandidat për një Gostivar më të fortë

Gostivar, 11 dhjetor 2025 (MIA) - Nga koalicioni politik VLEN konfirmuan se në zgjedhjet e përsëritura për kryetar të Gostivarit kandidati i tyre do të jetë Nevzat Bejta. Ai sot, i shoqëruar nga simpatizantë dhe funksionarë të partive partnere të koalicionit, në KKZ Gostivar dorëzoi dokumentet dhe zyrtarisht u regjistrua si kandidat për zgjedhjet e përsëritura të caktuara për 11 janar.

Nga VLEN-i thonë se vendimi erdhi pas një procesi të brendshëm konsultimesh dhe sondazhe me qytetarët e Gostivarit.

"Bejta bindshëm ka rezultuar si zgjedhja më e besuar dhe më e preferuar. Qytetarët kanë vlerësuar përvojën e tij, projektet e realizuara dhe ndikimin pozitiv që ka pasur gjatë mandateve të mëhershme në krye të komunës", thonë nga VLEN-i. Nga atje thonë se Nevzat Bejta përfaqëson stabilitet, profesionalizëm dhe vizion për vazhdimin e zhvillimit të Gostivarit.

Nevzat Bejta mbrëmë përmes publikimit në rrjetet sociale njoftoi se në garën zgjedhore më 11 janar hynë si kandidat i VLEN-it. Ai falenderoi për besimin dhe njoftoi se do të punojë për të mirën e komunës dhe qytetarëve. 

"Gostivari është qytet i të gjithë qytetarëve. Të gjithë së bashku do të punojmë ta ndërtojmë dhe mendoj se do të kemi fitore të madhe më 11 janar, për të mirën e qytetit tonë. Siç e shoh nga disponimi i qytetarëve nga të gjitha kombësitë, ata mezi presin që të vijë 11 janari për të festuar fitoren", tha Bejta. 

Programi i ri parazgjedhorë bazohet në projekte në arsim, infrastrukturë dhe pastërtinë publike. 

Bejta gjatë karrierës politike në BDI ishte deputet, kryetar i Komunës së Gostivarit dy herë (nga viti 2005-2009 dhe 2013-2017), Nga partia amë në të cilën ishte nënkryetarë u shkëput së bashku me Izet Mexhitin dhe ishin pjesë e "grupit të zjarrit". qa/

Foto: VLEN



 

QËNDRONI TË LIDHUR