• e mërkurë, 17 dhjetor 2025

Në Kuvend mbërriti propozimi për shkarkimin e Kocevskit

Në Kuvend mbërriti propozimi për shkarkimin e Kocevskit

Shkup, 11 dhjetor 2025 (MIA) – Në Kuvend sot mbërriti Propozimi për shkarkimin e prokurorit republikan publik, Lupço Kocevski. 

Për procedurën e mëtutjeshme, nga Kuvendi paralajmërojnë se do të informojnë në vijim. 

Procedura për shkarkimin e Kocevskit, e cila ishte ndërprerë pas tragjedisë në Koçan, ndërsa përkohësisht ishte ndërprerë në periudhën e zgjedhjeve, vazhdoi me vendim të miratuar nga ana e Qeverisë.

Qeveria në mbledhjen e pardjeshme e miratoi propozimin për shkarkimin e prokurorit publik shtetëror, Lupço Kocevski, të cilin do ta dorëzojë në Kuvend. Me këtë Qeveria e vazhdon procedurën e cila sipas kufizimeve ligjore ishte ndërprerë përkohësisht gjatë periudhës së zgjedhjeve. 

“Në bazë të nenit 88, paragrafi 1 të Ligjit për Prokurorinë Publike, ndërsa pas mendimit të marrë paraprakisht nga Këshilli i Prokurorëve Publikë, i propozon Kuvendit shkarkimin e Lupço Kocevskit nga funksioni i prokurorit publik të Republikës së Maqedonisë, për shkak të gabimeve të mëdha profesionale të bëra në udhëheqjen e Prokurorisë Publike, të cilat çuan në prishjen e efikasitetit dhe funksionalitetit të Prokurorisë Publike”, tha zëdhënësja Maria Miteva në arsyetimin për miratimin e propozimit.

Miteva theksoi se shkarkimi propozohet për shkak të gabimeve të mëdha profesionale të bëra në udhëheqjen e Prokurorisë Publike, të cilat, siç tha ajo, çojnë në prishjen e efikasitetit dhe funksionalitetit të PP-së. Sipas saj, zbulimi i paautorizuar i informacioneve, të dhënave për rastet gjyqësore, që shkel detyrimin për sekret të procedurës në përputhje me ligjin, dëmtimi i reputacionit të Prokurorisë Publike dhe reputacionit të tij personal, mosveprimi në përputhje me detyrimet e parashikuara nga Kushtetuta, ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara në përputhje me Kushtetutën, janë shkelje që i ka kryer edhe Kocevski. Si rezultat i shkeljeve të kryera, në periudhën e kaluar "funksionaliteti i dëmtuar i Prokurorisë Publike është i dukshëm dhe integriteti i institucionit është shkelur rëndë".

Qeveria, paraprakisht më 11 shkurt të këtij viti mori vendim të fillojë procedurë për shkarkimin e Kocevskit. Por, vetëm një muaj më vonë, ajo procedurë ishte ndërprerë pas zjarrit në diskotekën e jashtëligjshme “Puls” në Koçan. 

Pastaj, më 26 qershor, grupi parlamentar i partisë E majta parashtroi interpelancë për prokurorin publik të shtetit, siç deklaruan ata "për shkak të situatës jofunksionale në prokurori, mungesës së shpejtësisë në procedura dhe ndikimeve të jashtme politike në punën e saj". Më 29 korrik, deputetët në Kuvend votuan me 71 vota "për" për interpelancën e prokurorit publik të shtetit. Procedura për shkarkimin e Kocevskit u ndërpre më pas për shkak të "kufizimeve ligjore në periudhën parazgjedhore".

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi dje se pret që shpejt të zhvillohet e gjithë procedura e zgjedhjes së kryeprokurorit të ri publik në vendin e Kocevskit. Për mendimin negativ nga ana e Këshillit të Prokurorëve Publikë në lidhje me propozimin për shkarkimin e Kocevskit, kryeministri tha se ai është qëndrim i atij organi, gjegjësisht se Qeveria ka mendim ndryshe. 

Lupço Kocevski prokuror publik republikan ishte emëruar në Kuvend më 13 shkurt të vitit 2024. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

 

  

 

 
 

 

 


 


 
 

  
 
 
 
  
 
 
 
  
 
 
 
  
 
 
 
  
 
 
 
  
 
 
 

 

QËNDRONI TË LIDHUR