Në Gjermani hyri në fuqi ndalesa për shitjen e "gazit të parajsës" për të miturit
- Personat nën moshën 18 vjeç në Gjermani nuk mund të posedojnë ose blejnë më oksid azoti, i njohur si "gaz i parajsës", pasi sot hyri në fuqi ligji i ri, njoftoi DPA.
Berlin, 12 prill 2026 (MIA) - Personat nën moshën 18 vjeç në Gjermani nuk mund të posedojnë ose blejnë më oksid azoti, i njohur si "gaz i parajsës", pasi sot hyri në fuqi ligji i ri, njoftoi DPA.
Substanca përdoret gjithnjë e më shumë në Gjermani si një "drogë për festa", ndërsa me ligjin e ri ndalohet blerja dhe posedimi i oksidit të azotit për të miturit, ndërsa shitjet dhe blerjet onlajn përmes automateve për vetëshërbim janë plotësisht të ndaluara.
Konsumi i këtij gazi lidhet me rreziqe të larta shëndetësore - nga humbja e vetëdijes deri te dëmtimi i përhershëm i sistemit nervor. Përdoruesit e thithin substancën, e cila përdoret ndryshe në mjekësi si anestetik i lehtë, përmes tullumbaceve.
Rregullat e reja të rrepta zbatohen edhe për kimikatet gama-butirokton (GBL) dhe 1,4-butanediol (BDO). Këto substanca njihen si përbërës në "pikat nokaut" që mund të shtohen në pije dhe të keqpërdoren për përdhunime.
Sindikata e policisë e mirëpriti ligjin, duke thënë se përdorimi i "gazit të parajsës" është rritur ndjeshëm sepse më parë nuk ishte i rregulluar, por bëri thirrje edhe për një fushatë kombëtare për të rritur ndërgjegjësimin e publikut. Ligji ishte miratuar më parë nga Bundestagu dhe ishte miratuar nga dhoma e lartë e parlamentit gjerman, Bundesrat. ls/
Foto: Arkiv