Mucunski në Takimin e Dytë Ministror të Platformës Ballkanike për Paqe në Stamboll
- Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski sot mori pjesë në Takimin e Dytë Ministror të Platformës Ballkanike të Paqes, që u mbajt në Stamboll, me iniciativë të ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë Hakan Fidan. Në takim morën pjesë ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 15:19, 23 janar, 2026
Shkup, 23 janar 2026 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski sot mori pjesë në Takimin e Dytë Ministror të Platformës Ballkanike të Paqes, që u mbajt në Stamboll, me iniciativë të ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë Hakan Fidan. Në takim morën pjesë ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Siç informon Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Mucunski në fjalimin e tij theksoi rëndësinë e një qasje realiste dhe të orientuar drejt rezultateve ndaj bashkëpunimit rajonal, duke theksuar se stabiliteti nuk fitohet, por ndërtohet përmes interesave të qarta, bashkëpunimit praktik dhe rezultateve konkrete që qytetarët i ndiejnë në jetën e tyre të përditshme. Ai potencoi se në kushtet e rritjes së fragmentimit global, konkurrencës dhe sfidave të sigurisë, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta shndërrojnë gjeografinë e tyre në një avantazh dhe politikën në rezultate të matshme.

Ministri Mucunski theksoi rolin e rëndësishëm të Republikës së Turqisë si fqinj rajonal, aleat i NATO-s, partner i rëndësishëm ekonomik dhe urë strategjike, duke vlerësuar se Platforma Ballkanike e Paqes është një mekanizëm i dobishëm për shndërrimin e dialogut në aktivitete konkrete. Në këtë kontekst, ai propozoi një agjendë të qartë dhe të arritshme për thellimin e bashkëpunimit midis Turqisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, me fokus në lidhjen ekonomike dhe të investimeve, sigurinë energjetike, përmirësimin e infrastrukturës së transportit dhe tregtisë, si dhe mbajtjen e të rinjve dhe një fuqie punëtore të kualifikuar në rajon.
"Theks i veçantë u vu në forcimin e bashkëpunimit rajonal të sigurisë, duke përfshirë edhe përballjen me kërcënimet bashkëkohore si krimi i organizuar, sulmet kibernetike, dezinformimi dhe ekstremizmi i dhunshëm, duke theksuar nevojën për koordinim të shtuar, trajnime të përbashkëta dhe shkëmbim informacioni", thuhet në komunikatë.
Ministri Mucunski theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut është e gatshme të kontribuojë në mënyrë aktive në këtë agjendë, përmes investimit në diversifikimin e energjisë, promovimit të lidhjes rajonale, forcimit të partneriteteve të sigurisë dhe angazhimit të vazhdueshëm për dialog dhe marrëdhënie të mira fqinjësore. Ai theksoi se kredibiliteti i Platformës duhet të matet përmes rezultateve konkrete, aktiviteteve, bartësve dhe afateve të përcaktuara qartë, duke vlerësuar se në dekadën aktuale, besimi nuk do të ndërtohet në bazë të qëllimeve, por në bazë të rezultateve të arritura.
Foto: Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme