Misajllovski: Vijon epokë e re në modernizimin e Armatës së Maqedonisë
- Vite historike dhe epokë e re do vijojnë për Armatën e Maqedonisë së Veriut, qindra miliona, madje miliarda euro për modernizim. Armata e Maqedonisë do të jetë në një nivel më të lartë dhe ne do të jemi krenarë për të, do të jetë armatë moderne, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, duke folur për përfitimet për vendin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë nga Dialogu strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) që u mbajt këtë javë në Uashington.
- Post By Fami Bajrami
- 21:19, 9 prill, 2026
Shkup, 9 prill 2026 (MIA) - Vite historike dhe epokë e re do vijojnë për Armatën e Maqedonisë së Veriut, qindra miliona, madje miliarda euro për modernizim. Armata e Maqedonisë do të jetë në një nivel më të lartë dhe ne do të jemi krenarë për të, do të jetë armatë moderne, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, duke folur për përfitimet për vendin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë nga Dialogu strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) që u mbajt këtë javë në Uashington.
Çështja më e rëndësishme që u diskutua, tha ai, është ndarja e 3.5 për qind të BPV-së për dhjetë vitet e ardhshme përmes buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes, për të cilën u paraqit plan se si të arrihet qëllimi, çfarë do të investohet drejtpërdrejt në Armatë dhe çfarë pajisjesh do të blihen në dekadën e ardhshme.
Gjatë pjesëmarrjes në TV Sitel, Misajllovski tha se Armata do të marrë shumë pajisje të reja dhe se në takime u diskutua blerja e saj direkt nga SHBA, për të cilën do të fillojnë negociata direkte me Departamentin e shtetit dhe Pentagonin.
Ai theksoi se buxheti i MM-së do të rritet ndjeshëm për të përmbushur kërkesën e NATO-s për alokime në mbrojtje. Siç tha ai, në kohë krize kjo është e vështirë, por kërkesa e NATO-s është thelbësore dhe ne po bëjmë atë për të cilën jemi zotuar ndaj Aleancës.
"Do ta zbatojmë planin dhjetëvjeçar dhe atë që kërkohet nga NATO, me kujdes, hap pas hapi. Do të ketë reagime, por e shihni se çfarë po ndodh në rajon dhe në skenën gjeopolitike, ka dy luftëra paralele dhe secili vend po blen me shpejtësi pajisje. Ne duhet të kujdesemi për oborrin tonë dhe të lidhim marrëveshje me vendet e mëdha sa më shpejt të jetë e mundur, sepse ka shumë pritje për pajisje në gjithë këto rrethana. Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes do të rritet ndjeshëm, gjë që na jep një shans për t'u pozicionuar në dhjetë vitet e ardhshme, për të qenë faktor stabiliteti, për të blerë pajisje për nevojat tona, nesër për të ndihmuar në misione të ndryshme dhe për të rritur ndërveprimin në çdo nivel", deklaroi Misajllovski.
Shtoi se në procesin e modernizimit, kapaciteteve dhe infrastrukturës së re, do të bëhen përpjekje për të përfshirë industrinë dhe kompanitë tona vendase dhe paralelisht me rritjen e buxhetit në mbrojtje, një pjesë e fondeve do të mbetet në vendin tonë.
Në takimet në Uashington është konstatuar besnikëria e vendit tonë ndaj Amerikës dhe pozicioni i vendit si partner dhe mik i aleatëve të NATO-s, veçmas SHBA-së dhe kjo, tha ai, “do thellohet me marrëveshjet që do të nënshkruhen”. Siç tha Misjallovski, ne jemi një vend i vogël, por mund të ndihmojmë në mënyra të ndryshme dhe ata janë mirënjohës për këtë.
"Ajo që është me rëndësi është se tani, dhe shpresoj në të ardhmen, jemi një nga vendet me stabilitetin më të madh në rajon dhe prodhojmë stabilitet kudo", theksoi Misajllovski.
Në takimet gjatë kësaj jave u diskutua edhe për përmirësimin e kapaciteteve për mbrojtje nga sulmet kibernetike dhe sulmet hibride dhe se një shumë e veçantë nga buxheti i MM do të ndahet për digjitalizim dhe sisteme të reja për një nivel më të lartë mbrojtjeje.
"Ministria ka një kapacitet të veçantë kibernetik, ne jemi ndoshta më të përgatiturit si institucion, para së gjithash në sektorin ushtarak, për të monitoruar të gjitha ato kërcënime dhe rreziqe dhe për këtë çështje bashkëpunojmë plotësisht me SHBA-në të cilat na ndihmojnë drejtpërdrejt në sistemet tona dhe mund të zbulojnë të gjitha rreziqet", tha Misajllovski.
Në pyetjen se me çfarë rreziqesh përballet vendi për momentin, ministri u përgjigj se "imazhi i sigurisë po ndryshon nga dita në ditë" dhe se sfidat më të mëdha do të jenë në ekonomi, sepse jemi të kërcënuar indirekt nga ngjarjet globale”.
"Kjo është një nga çështjet e rrezikshme, do të thoja, që na prekin si vend. Së dyti janë kërcënimet kibernetike dhe hibride të cilat do kenë edhe vendet e tjera dhe kjo do të duhet të monitorohet", shton Misajllovski.
Foto: printskrin/ TV Sitell