Ministria e Drejtësisë e SHBA-së publikoi dosje të reja për Epstin, duke përfshirë 3 milionë dokumente dhe fotografi
- Ministria amerikane e Drejtësisë mbrëmë publikoi një sasi të madhe dokumentesh që lidhen me financierin e dënuar dhe delikuentin seksual Xhefri Epstin, duke përfshirë më shumë se tre milionë dokumente dhe fotografi, si dhe një sasi të re, më të vogël të dhënash.
- Post By Sara Ademi
- 10:39, 31 janar, 2026
Uashington, 31 janar 2026 (MIA) - Ministria amerikane e Drejtësisë mbrëmë publikoi një sasi të madhe dokumentesh që lidhen me financierin e dënuar dhe delikuentin seksual Xhefri Epstin, duke përfshirë më shumë se tre milionë dokumente dhe fotografi, si dhe një sasi të re, më të vogël të dhënash.
Publikimi i fundit, i etiketuar "Dataset 12", përmban pak më shumë se 150 dokumente, kryesisht me shumë faqe, shumica e të cilave janë korrespondencë me email, raporton Si-Bi-Es.
Publikimi vjen më herët gjatë ditës, kur Ministria e Drejtësisë e SHBA-së vuri në dispozicion një arkiv të madh materialesh sipas Ligjit të transparencës së dosjeve për Epstin.
Midis dokumenteve të publikuara është një draft-aktakuzë prej 56 faqesh që prokurorët federalë në Florida përgatitën në mesin e viteve 2000, e cila do ta kishte akuzuar Epstinin me një total prej 30 akuzash penale, duke përfshirë trafikimin e qenieve njerëzore për qëllime shfrytëzimi seksual, shantazhimin e të miturve, komplot dhe krime të tjera.
Dokumentet pretendojnë se në disa raste, viktimat janë paguar dhe inkurajuar të rekrutojnë të mitur të tjerë. Akuzat nuk u ngritën kurrë dhe çështja përfundoi me një marrëveshje kontroverse të vitit 2007 që i lejoi Epstinit të shmangte ndjekjen penale federale.
Dokumentet përmbajnë gjithashtu email-e që tregojnë kontaktet e Epstin me individë të shumtë me ndikim. Korrespondenca e publikuar tregon se ministri amerikan i Tregtisë i SHBA-së, Hauard Lutnik, dhe familja e tij qëndruan në ishullin privat të Epstin në vitin 2012, edhe pse Lutnik kishte pretenduar më parë se kishte ndërprerë lidhjet me Epstin në vitin 2005. Zëdhënësi i tij tha se Lutnik nuk ishte akuzuar kurrë për ndonjë krim.
Emailet nga viti 2018 dhe 2019 tregojnë se Epstin u dha orë "Hermes" dhe Apple ish këshilltarit të Trampit, Stiv Benon, dhe djalit të tij, dhe se Benon mori pjesë në përpjekjen e dështuar të Epstin për të rregulluar imazhin e tij publik përmes një dokumentari të planifikuar.
Një korrespondencë e veçantë zbulon se Epstin lidhte gra me bashkëpronarin e ekipit amerikan të futbollit Nju-Jork Xhajants, Stiv Tish, me komente detajore dhe eksplicite për to. Tish në deklaratë citoi se ndjen keqardhje për shkak të kontaktit me Epstin dhe se asnjëherë nuk e ka vizituar ishullin e tij.
Midis emaileve të publikuara ishte një mesazh i vitit 2015, në të cilin këshilltarja e atëhershme e Shtëpisë së Bardhë, Ketrin Rumler, shkruante se ajo e "adhuronte" Epstin-in. Rumler më vonë deklaroi publikisht se ishte penduar që e kishte takuar ndonjëherë atë.
Dokumentet gjyqësore të publikuara së fundmi treguan gjithashtu se miliarderi amerikan Elon Musk kishte komunikim më të gjerë dhe më të ngushtë me Epstin nga sa dihet dhe se ata shkëmbyen email-e miqësore.
Dokumentet tregojnë gjithashtu se ish princi britanik Endrju Mauntbaten-Vindsor mori pjesë, së bashku me personazhe të tjerë të famshëm, në një darkë intime me Epstein, disa muaj pasi ai u lirua nga burgu.
Ministria e Drejtësisë e SHBA-së tha se gjatë publikimit të dokumenteve të lidhura me Epstin nuk ka dëmtuar asnjë person, përfshirë presidentin e SHBA-së Donald Tramp. Ministria tha se publikimi i dokumenteve do të vazhdojë në përputhje me ligjin, me të dhënat e ndjeshme, veçanërisht ato që lidhen me viktimat.
Materiali i ri u publikua pasi Ministria e Drejtësisë nuk e përmbushi afatin për dorëzimin e të gjitha dokumenteve të përcaktuara në Ligjin e Transparencës së Dosjeve Epstin, i cili u nënshkrua më 19 nëntor dhe i dha Prokurores shtetërore të SHBA-së Pem Bondi 30 ditë për të publikuar arkivin e plotë të ministrisë në lidhje me Epstin. sa/