Minçev: Nuk ka më funksione të përjetshme dhe të paprekshme
- Nuk ka më funksione të përjetshme dhe të paprekshme, bordet drejtuese reduktohen në tre anëtarë, ndërsa statusi i ushtruesit të detyrës bëhet përjashtim strikt në kohë dhe ligjërisht i kufizuar, tha sot ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, duke prezantuar Propozim- ligjin për drejtuesit e lartë të Organeve dhe fondeve të administratës shtetërore.
- Post By Fami Bajrami
- 11:39, 21 janar, 2026
Shkup, 21 janar 2026 (MIA) - Nuk ka më funksione të përjetshme dhe të paprekshme, bordet drejtuese reduktohen në tre anëtarë, ndërsa statusi i ushtruesit të detyrës bëhet përjashtim strikt në kohë dhe ligjërisht i kufizuar, tha sot ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, duke prezantuar Propozim- ligjin për drejtuesit e lartë të Organeve dhe fondeve të administratës shtetërore.
Në debatin publik mbi Propozim- ligjin, Minçevi vuri në dukje se zgjidhja e parashikuar për herë të parë vendos një kornizë të vetme dhe koherente për rregullimin e funksioneve më të larta udhëheqëse shtetërore - kush, si dhe në çfarë kushtesh i udhëheq institucionet kryesore.
"Për herë të parë, vendoset një kornizë e vetme, e qartë dhe sistematike për emërimin, mandatin, përgjegjësinë dhe shkarkimin e pozicioneve më të larta drejtuese në administratë. Vendosim kritere më të qarta dhe të unifikuara për përzgjedhjen e drejtorëve, sekretarëve shtetërorë dhe anëtarëve të organeve kolegjiale të administratës shtetërore, por edhe për anëtarët e bordeve drejtuese për të cilat deri më tani nuk kishte pothuajse asnjë rregull", nënvizoi Minçev.
Sipas tij, parimi meritor bëhet rregull, jo përjashtim - ai që udhëheq do të duhet të dijë, të jetë në gjendje edhe të përgjigjet.
Zgjidhja ligjore parashikon një procedurë transparente për emërimin në postet udhëheqëse, por gjithashtu rregullon qartë mandatet dhe kufizon përzgjedhjen.
"Pozicioni nuk është më titull, por përgjegjësi. Udhëheqësit do të kenë detyrim të qartë për të dhënë rezultate", theksoi Minçevi.
Propozim- ligji për drejtuesit e lartë të organeve dhe fondeve të administratës shtetërore që nga 31 dhjetori është vendosur në ENER.
Në debatin publik, përveç drejtorëve të institucioneve dhe personave drejtues, merr pjesë edhe Sekretari i përgjithshëm i qeverisë, Igor Janushev.
Foto/video: MIA