• e diel, 01 shkurt 2026

Mickoski: Pas zgjedhjes së prokurorit publik, një numër i madh i lëndëve do të hyjnë në procedurë dhe publiku do të shohë se kush e udhëheq opozitën

Mickoski: Pas zgjedhjes së prokurorit publik, një numër i madh i lëndëve do të hyjnë në procedurë dhe publiku do të shohë se kush e udhëheq opozitën

Shkup, 29 janar 2026 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski pret që pas zgjedhjes së prokurorit publik, një numër i madh i lëndëve të mbajtura në sirtar të hyjnë në procedurë dhe opinioni të shohë se kush e udhëheq opozitën, si dhe çfarë ndodhi në Maqedoni për shtatë vite derisa qeverisnin LSDM dhe BDI.

Mickoski, siç tha sot nga foltorja e Kuvendit në përgjigjen e pyetjeve të deputetëve, tha se pret gjithashtu që me ndryshimet në Prokurori, një numër i madh i qytetarëve të inkurajohen dhe të flasin publikisht për atë që kanë përjetuar gjatë qeverisjes së mëparshme.

Kryeministri vlerësoi se deklaratat e Zhan Mitrevit janë shqetësuese, por megjithatë, siç tha ai, "nuk janë diçka e panjohur për publikun ose diçka që nuk është komentuar në të kaluarën".

"Këto janë deklarata që korrespondojnë me spekulimet që i kemi dëgjuar tashmë - për përpjekje për të hyrë me forcë, për të marrë përsipër një biznes, për të përdorur pozicionin zyrtar për të ushtruar ndikim ose presion, por kjo nuk është e vetmja gjë. Kam një ndjenjë se në periudhën që vijon dhe veçanërisht pas zgjedhjes së prokurorit publik, një numër i madh i bashkëqytetarëve tanë do të inkurajohen t’i ndajnë publikisht përvojat e tyre me qeverinë e mëparshme dhe se një numër i madh i rasteve të mbajtura në sirtar do të bëhen publike dhe do të hyjnë në procedurë. Nëse kjo ndjenjë e imja konfirmohet si e saktë, qytetarët do të dëgjojnë në detaje se çfarë ka ndodhur për shtatë vjet dhe kush e udhëheq opozitën ose partitë opozitare në Maqedoni", theksoi Mickoski.

Ai shtoi se do të duhen disa ditë që Prokuroria të fillojë hetim mbi pretendimet e Zhan Mitrevit.

"Sa jam i informuar, ai tha se ka prova. Pres që pas prezantimit të këtyre provave, Prokuroria të përfundojë punën e saj dhe në periudhën që vijon, kam një ndjenjë se publiku do të shohë dhe dëgjojë se çfarë ndodhi në Maqedoni gjatë shtatë viteve të qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së dhe çfarë u desh të duronin disa struktura në vend gjatë periudhës së sulmeve brutale dhe përpjekjeve për të marrë bizneset, reketime. Shumica e rasteve që u mbajtën në sirtar do të nxirren në publik dhe ata do të shohin pse dhe cilët prokurorë i mbajtën në sirtar, cili ishte çmimi dhe pse u bë kjo", theksoi kryeministri.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR