• e enjte, 26 mars 2026
MIA Flesh

15:00 / 25 mars / 2026 

Shkup - Në maj apo qershor do të hapet diskutimi për ndryshime të mundshme kadrovike në Qeveri, paralajmëroi kryeministri Hristian Mickoski gjatë prezantimit të sotëm të automjeteve strajker në kazermën në Petrovec. Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve nëse me partnerët e koalicionit tashmë po bisedohet për rikonstruim të Qeverisë, Mickoski konfirmoi se ka bisedime. "Kemi biseduar, sepse edhe partnerët e koalicionit, por edhe VMRO-DPMNE kanë rigrupime dhe ristrukturime të brendshme. Pres në maj-qershor të ulemi dhe të bisedojmë, dhe absolutisht do të bisedojmë hapur për të gjitha temat", deklaroi kryeministri.

Shkup - Komuna e Koçanit me kohë e ka anuluar njoftimin për përdorimin e një vend-parkimi dhe ka kërkuar nga Inspektorati Shtetëror i Tregut të mos japë leje pune për diskotekën "Puls", sepse objekti ndodhej në një zonë për industri të lehtë dhe jondotëse. Këtë e deklaroi dëshmitari Dragi Ilievski, drejtues i Departamentit për zhvillimin e tokës ndërtimore në seancën e sotme në sallën e gjyqit në "Idrizovë" për zjarrin ku jetën e humbën 63 persona. Duke iu përgjigjur pyetjes së Prokurorisë publike, Ilievski i cili e ushtron këtë pozicion që nga viti 2012, sqaroi se objekti ndodhej në zonën G2 e destinuar për industri të lehtë dhe jondotëse, ku nuk lejohet konvertimi për aktivitete hotelierike të këtij lloji. "Pra, zonat nuk mund të ndryshohen. Më pyetët nëse është bërë ndryshim, nuk është bërë ndonjë ndryshim i atij objekti, as zona nuk mund të ndryshohet dhe i gjithë ai lokalitet është një industri e lehtë dhe jondotëse", tha Ilievski.

Shkup - Gjendja e sigurisë në vend është stabile, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në pyetjen e gazetarëve, për atë se cila është gjendja e sigurisë duke pasur parasysh ngjarjet në Lindjen e Mesme. "Gjendja e sigurisë është stabile, pa pasur lëkundje të caktuara, e kemi absolutisht nën kontroll gjendjen e sigurisë. Kuptohet sfida ka dhe do të ketë, kjo është materie e gjallë dhe dinamike, por ne jemi këtu që ta përcjellim dhe të reagojmë nëse ka nevojë për këtë", deklaroi Mickoski. Kryeministri sot ishte në kazermën "Strasho Pinxhur" në lagjen Petrovec të Shkupit ku janë prezantuar 17 automjete të lehta blinduese "strajker" (stryker), të blera nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shkup - Plani për Integritet Profesional 2026–2028 është instrument i rëndësishëm në përpjekjet tona për çrrënjosjen e korrupsionit. Qëllimi ynë është i qartë – zero korrupsion në polici, deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski gjatë promovimit të “Planit për Integritet Profesional 2026–2028" në Ministrinë e Punëve të Brendshme, i përgatitur në programit të DCAF për reforma në sektorin e inteligjencës dhe sigurisë 2021–2026. Plani përcakton prioritetet strategjike, detyrimet institucionale dhe masat konkrete për të përmirësuar integritetin, transparencën dhe përgjegjësinë në veprimtarinë policore. Në fjalimin e tij, ministri Toshkovski theksoi se integriteti është themeli i shërbimit policor modern dhe profesional, duke theksuar se vlerat e tilla si ndershmëria, besimi, drejtësia dhe llogaridhënia janë thelbësore për forcimin e sundimit të ligjit dhe besimin e qytetarëve.

Shkup - Këtë vit jemi më të përgatitur se më parë në raport me përballjen me zjarret. Kemi në dispozicion pesë pilotë për er-traktorët, ndërkaq më së voni gjatë majit pritet të kthehen nga servisi dy er-traktorët, tha drejtori i Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim, Stojançe Angellov. "Në këtë moment, Drejtoria disponon me pesë pilotë për er-traktorë, të cilët janë të gatshëm për veprim në prag të sezonit të zjarreve pyjore. Për momentin njëri prej er-traktorëve është funksional, përderisa të tjerët ndodhen në servis në Zagreb dhe presim në prill, më së voni në maj, të njejtit të kthehen, kështu që në qershor do të kemi tre er-traktorë funksionalë dhe pesë pilotë. Njëkohësisht, po punohet edhe në sigurimin e një numri shtesë të pilotëve. Nga viti i kaluar, në dipozicion janë edhe 43 automjete speciale - paraprakisht ushtarake dhe policore, të ridedikuara për shuarje të zjarreve: 23 'Picgauerë', 15 BTR-80 me tupa të fuqishëm uji me rreze veprimi prej rreth 100 metrave, si dhe pesë 'hermelinë' për tërheqje të cisternave nga katër deri tetë tonë. Plotësisht, në disa pjesë të shtetit janë përforcuar kapacitetet me automjete të reja apo të dhuruara, ndërsa disa shoqata zjarrfikëse vullnetare, si ajo në Koçan, gjithashtu dukshëm i rritën kapacitetet e veta", deklaroi sot Angellov para fillimit të konferencës për projektin ndërkombëtar "Forest Fire Struga- FFS" që u mbajt sot në Shkup.

Shkup - Në ambientet e Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dje në Shkup u nënshkrua Memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet këtij institucioni dhe Universitetit të Tetovës. Memorandumi u nënshkrua nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zendeli, i shoqëruar nga Prof. Dr. Jahi Jahiu, si dhe nga kryetari i Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, Dushan Tomshiq. Ky akt shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit institucional në promovimin e barazisë dhe mbrojtjen nga diskriminimi. Ky bashkëpunim synon organizimin e aktiviteteve edukative dhe shkencore, përfshirë trajnime.

Shkup - Procedura gjyqësore për zjarrin në diskotekën "Puls" do të vazhdojë me thirrjen dhe dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë, pasi që mbrojtja në seancën e sotme në sallën gjyqësore në "Idrizovë" nuk u dakordua me propozimin e Prokurorisë publike për tërheqjen e tyre masive nga lista për marrje në pyetje. Vendimi i këtillë i mbrojtjes do të thotë se në periudhën në vijim do të duhet të mbahen më shumë seanca në mënyrë që të shteret lista e dëshmitarëve të cilët duhet të deklarohen para Gjykatës. Pasi që të gjithë mbrojtësit u deklaruan lidhur me propozimin e Prokurorisë, Gjykata konstatoi se është arritur dakordimi për tërheqje të dëgjimit të vetëm katër personave - Ana Karova, Trajçe Trajçov, Angellço Angellkov dhe Martin Josifov.

Shkup - Në kazermën "Strasho Pinxhur" në Petrovec të Shkupit, sot u prezantuan 17 automjete të reja të blinduara të lehta "Strajker", të blera nga SHBA si pjesë e kontratës për pajisjen e ARM-së me automjete të lehta të blinduara. Kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski theksoi se me këto automjete dukshëm do të përforcohet kapaciteti i Armatës së Maqedonisë. "Kjo për ne ka shumë rëndësi, përmirëson praktikisht operativitetin dhe rrit mobilitetin e vetë armatës dhe në këtë mënyrë bëhemi më konkurrues krahasuar me armatat e tjera. Ne si Qeveri do të vazhdojmë edhe në të ardhmen të investojmë në Armatën tonë, vlerësojmë se kjo është shumë e rëndësishme. Dëshirojmë të kemi pajisje të reja dhe moderne, natyrisht brenda mundësive të buxhetit dhe të gjitha kritereve që kërkohen të përmbushen deri në vitin 2032 nga ana jonë. Ajo që tani përfaqëson minimumin, ne jemi shumë mbi atë minimum", tha kryeministri Mickoski.

Shkup - Kryetari i deritashëm i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela paralajmëron formimin e një partie të re politike e cila do të quhet Lidhja Shqiptare. Siç thekson Sela në një intervistë për gazetën "Lajm", njerëzit që janë pjesë e këtij grupacioni politik kanë ideale dhe do të vazhdojnë të rindërtojnë, siç thotë ai, një subjekt të fortë politik. "Ne nuk mendojmë se zgjidhja është dorëheqja dhe dorëzimi. S’ja kam lënë rastësisë, sepse… unë e kam krijuar atë parti të re politike. Është krijuar bile quhet akoma më mire, është Lidhja Shqiptare. Ka ngjyra kuq e zi dhe ne këtu nuk dorëzohemi nga kjo punë", ka thënë Sela.

Shkup - Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, dhe kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, në takimin e sotëm të punës konfirmuan progresin e projekteve kyçe infrastrukturore në komunë, njoftoi MMJPH. Aktualisht, shtohet në kumtesë, janë aktive katër projekte të reja për zgjerimin e rrjetit të kanalizimit dhe rregullimin e shtretërve të lumenjve në vendbanimet Orllancë, Grushinë, Mojancë dhe Haraçinë. Po ashtu, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, po punohet për modernizimin e sistemit të furnizimit me ujë, me qëllim sigurimin e qasjes së qëndrueshme në ujë të pastër për të gjithë qytetarët.

Shkup - Akuzat e paraqitura nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) janë të pabaza dhe nuk pasqyrojnë gjendjen faktike, duke pasur parasysh se Ministria e Marrëdhënieve mes Bashkësive vepron ekskluzivisht në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe aktet nënligjore, duke respektuar parimet e ligjshmërisë, barazisë dhe mosdiskriminimit, thuhet në Kabinetin e zëvendësministrit dhe ministër për Marrëdhëniet mes Bashkësive, Ivan Stoilkoviq. Në reagimin ndaj njoftimit të sotëm të BDI-së theksojnë se nuk bëhet fjalë për diskriminim, as për veprim selektiv apo të motivuar politikisht, por për akte të marra në përputhje me ligjin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës së nënpunësve administrativë, për shkak të shkeljeve të konstatuara të rendit dhe disiplinës në punë, si dhe cenimit të reputacionit të Ministrisë, në përputhje me dispozitat ligjore dhe nënligjore në fuqi.  

Shkup – Të dielën më 29 mars në orën 02:00 fillon llogaritja verore e kohës e cila do të zgjasë deri më 25 tetor të vitit 2026 në orën 03:00, informojnë nga Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale. “Qeveria mori Vendim për konfirmimin e fillimit dhe përfundimit të llogaritjes verore të kohës në vitin 2026, e publikuar në ‘Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr.58 nga 19 marsi i vitit 2026. Sipas Vendimit të marrë, llogaritja verore e kohës fillon më 29 mars të vitit 2026 në orën 02:00, me lëvizjen e akrepave të orës për një orë para, gjegjësisht koha nga ora 02:00 llogaritet si ora 03:00”, njoftoi MEMBM.

Shkup - Nesër do të fryjë erë mesatare deri e përforcuar, ndërsa vende-vende erë e fortë (mbi 60 km/h), nga drejtimi jugor. Në fund të ditës nën ndikim të aktivitetit ciklonik vijon periudhë e motit të ndryshueshëm me vranësira me reshje të përkohshme të shiut - paralajmëron Drejoria për Punë Hidrometeorologjike. Nga DPHM informojnë se të premtem reshjet vende-vende do të jenë më të mëdha (mbi 20 l/m2), ndërsa do të ketë kushte për paraqitje të rrallë të bubullimave. Në disa nga vendet më të larta reshjet e shiut dë kalojnë në borë, ndërsa nëpër male do të formohet shtresë dobore. Gjatë fundjavës pritet të mbizotërojë mot i ndryshueshëm dhe më i freskët me reshje të herëpashershme. Do të fryjë erë e përforcuar veriore, e cila do të jetë më e shprehur përgjatë Vardarit.

Shkup - Tërmet me intensitet prej 2,7 ballë të shkallës Rihter në ora 12.05 në Shkup ka regjistruar Observatoriumi Sizmologjik pranë Fakultetit Matematiko-Natyror në Shkup. "Sipas të dhënave me të cilat disponon Observatoriumi Sizmologjik pranë Fakultetit Matematiko-Natyror në Shkup, sot në ora 12 e 5 minuta është ndjerë tërmet me epiqendër në Shkup. Magnituda e tij arrin 2,7 ballë sipas Rihterit. Tërmeti është ndjerë në Qytetin e Shkupit dhe rrethinë me intensitet III-IV ballë sipas Shkallës Makrosizmike Evropiane", njoftoi Observatori.

Dibër - Në Korçë sot  Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës ka mbajtur takimin e 4-t të Komitetit të Përbashkët të Monitorimit për Programin IPA CBC 2021–2027 midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga institucionet partnere, Delegacioni i BE-së dhe aktorë kyç të bashkëpunimit ndërkufitar. "Është diskutuar ecuria e programit, u prezantua dhe u miratua Raporti Vjetor i Zbatimit (AIR) për vitin 2025 dhe Plani Vjetor i Punës (AWP) për zhvillimin e aktiviteteve të reja përgjatë 2026, si dhe u hodhën hapat e parë për përgatitjen e konceptit të thirrjes së dytë për projektpropozime", njoftoi Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës e Shqipërisë.

Zagreb - Në Maqedoni qytetarët kanë qëndrim të qartë, rreth 80 për qind nuk dëshirojnë të ndryshohet Kushtetuta, por pothuaj 70 për qind janë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo po krijon një dilemë të vështirë për politikanët, si të harmonizohet vullneti i popullit me obligimet ndërkombëtare, tha presidentja Gordana Siljanovska - Davkova në ligjerimin me temë "Për paradokset e eurointegrimeve të Maqedonisë së Veriut" në Fakultetin juridik në Zagreb. Potencoi se historia tregon se vendi di të bëjë hapa të vështira, por të rëndësishme dhe se Maqedonia është shteti i vetëm që e ka ndryshuar emrin e saj. Presidentja, siç njoftoi raportuesja e MIA-s, tha se "në marrëdhëniet diplomatike shpesh potencohet se marrëveshjet duhet të respektohen, por kjo nuk do të thotë se çdo marrëveshje mund të imponojë ndryshim të Kushtetutës". 

Berlin - Një gjykatë në Berlin ka dënuar sot katër burra, anëtarë të Hamasit, me burgim nga katër vjet e gjysmë deri në gjashtë vjet për furnizimin me armë të grupit militant palestinez, raportoi DPA. Gjykata zbuloi se të pandehurit, të moshës midis 36 dhe 58 vjeç, vepruan si "operativë të huaj" përgjegjës për depot e armëve të grupit militant palestinez në disa vende evropiane, përfshirë Poloninë, Bullgarinë dhe Danimarkën. Burrat u akuzuan për ngritjen e depove nëntokësore të armëve për përdorim të mundshëm në sulme ndaj objektivave izraelite dhe hebraike në Evropë gjatë një periudhe të gjatë kohore, raporton agjencia gjermane.

Bruksel - Komisioni Evropian (KE) miratoi sot propozimin për fillimin e procesit që BE të bëhet themeluese e një Tribunali special për krimet e agresionit kundër Ukrainës. Sapo shtetet anëtare të BE-së ta miratojnë propozimin, Komisioni do të jetë në gjendje ta publikojë atë, ndërsa BE-ja do të luajë rol qendror në punën e Tribunalit, përfshirë edhe atë si anëtare e Komitetit drejtues që do të drejtojë Tribunalin special. Tribunali special do të ketë mandat për të ndjekur penalisht liderët e lartë politikë dhe ushtarakë për krime agresioni kundër Ukrainës. Tribunali po krijohet brenda Këshillit të Evropës pas nënshkrimit të një marrëveshje midis Ukrainës dhe kësaj organizate për themelimin e tij në qershor 2025.

Bruksel - Në Greqi është regjistruar rënie serioze e fatkeqësive rrugore me pasoja fatale - tregojnë të dhënat më të reja të Komisionit evropian të publikuara në edicionin elektronik të gazetës "Etnos". Sipas raportittë KE-së, gjatë vitit 2025 në Greqi jetën e humbën 517 persona, që është për 22 për qind më pak në krahasim me vitin paraprak. kjo paraqet rënien më të madhe vjetore dhe numër të ulët rekord të të vdekurve në komunikacion në 60 vitet e fundit në vend. Në nivel të tërë BE-së numri i të vdekurve është ulur për 3 për qind, duke arritur gjithsej 19.400 viktima.

Budapest - Eduard Habsburg-Lotringen, diplomat hungarez dhe anëtar i lartë i familjes mbretërore austriake dhe panevropiane, ka shprehur mbështetje të fortë për inkuadrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Habsburg deri vonë ka qenë ambasador i Hungarisë në Vatikan, ndërsa tani është ambasador i qeverisë hungareze për çështje familjare dhe kishtare dhe është gjithashtu shpesh i pranishëm në qarqet konservatore amerikane. Në një bisedë për MIA-n në konferencën CPAC, Eduard Habsburg dërgoi porosi se Maqedonia duhet të integrohet urgjentisht në Bashkimin Evropian. "Nuk jam në pozicion për të bërë deklarata zyrtare në këtë temë, por mund të them se Hungaria inkurajon fuqishëm inkuadrimin e të gjitha vendeve nga Ballkani Perëndimor në Bashkimin Evropian sa më shpejt të jetë e mundur. Hungaria po shtyn përpara integrimin e asaj pjese të botës dhe ne e mbështesim fuqishëm këtë. Do të thoja se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë punuar gjatë dhe shumë për të hyrë në Bashkimin Evropian dhe ndonjëherë mendoj se entuziazmi në Bruksel nuk është aq i fortë sa duhet të jetë. Gjithashtu edhe Vatikani, ku kam punuar për rreth dhjetë vjet po bën presion të madh për këtë. Selia e Shenjtë është shumë e përkushtuar për pranimin e Ballkanit", ka thënë Habsburgu për MIA-n.

Gjenevë - Shtetet e Gjirit Persik sot iu drejtuan me porosi Këshillit të KB-së për të drejtat e njeriut se Irani përbën kërcënim ekzistencial, duke dënuar sulmet iraniane ndaj infrastrukturës së tyre për të cilat komisari i lartë i KB-së për të drejtat e njeriut tha se mund të përbëjnë krime lufte, bënë të ditur mediat britanike. Lufta gati njëmujore midis SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit ka shkaktuar hakmarrje të madhe iraniane në formën e sulmeve me dronë dhe raketa ndaj infrastrukturës energjetike dhe civile në shtetet e Gjirit ku jetën e kanë humbur civilë dhe duke rritur kësisoj çmimet e naftës. "Jemi dëshmitarë të kërcënimit ekzistencial për sigurinë ndërkombëtare dhe rajonale. Kjo qasje agresive minon të drejtën dhe sovranitetin ndërkombëtar", deklaroi ambasadori i Kuvajtit, Naser Abdullah H.M. Alhajen para Këshillit me seli në Gjenevë.

Londër – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute ka shkaktuar zemërim në kryeqytetet evropiane me mbështetjen e tij të qartë për luftën e presidentit të SHBA-së, Donald Tramp kundër Iranit, ndërsa kontinenti përballet me tronditje energjetike të shkaktuar nga konflikti, duke e tendosur më tej aleancën transatlantike, bën të ditur sot "Fajnenshëll tajms". Deklarata e mëparshme e Rutes se aleatët evropianë përfundimisht mund të “bashkohen” dhe t’i përgjigjen thirrjes së Trampit për të vendosur forca detare në Ngushticën e Hormuzit, ka hidhëruar zyrtarët në disa kryeqytete evropiane, duke thelluar tensionet brenda NATO-s mbi atë se sa larg mund të shkojë në përshtatjen me shtetin e saj më të madh anëtar.

Islamabad - Ekspertët e Kombeve të Bashkuara kanë ftuar Afganistanin dhe Pakistanin të dakordohen për një armëpushim të ri dhe të punojnë drejt një marrëveshje të qëndrueshme paqësore, pasi sot dolën raporte për dhunë të ripërtërirë ndërkufitare. Një zyrtar lokal afgan deklaroi se forcat pakistaneze kanë lëshuar rreth 85 predha artilerike në provincën lindore Kunar në 24 orët e fundit, duke goditur zonat e banuara dhe duke shkaktuar alarm midis komuniteteve lokale. Granatimi erdhi pavarësisht një armëpushimi të përkohshëm gjatë festës së Ramazanit, të kërkuar nga Arabia Saudite, Turqia dhe Katari, gjatë të cilit të dyja palët ranë dakord të ndalonin operacionet ofensive.

Moskë - Rusia mbetet e hapur për negociata për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë dhe pret vazhdimin e rolit ndërmjetësues të SHBA-së me vullnet të mirë, deklaroi sot zëdhënësi i presidentit rus, Dimitrij Peskov. "Mbetemi të hapur për negociata", deklaroi Peskov para gazetarëve, duke theksuar se Kremlini pret që Uashingtoni të vazhdojë të sigurojë "shërbime të mira" në ndërmjetësim mes palëve të konfliktit, raportojnë mediat ruse. Peskovi theksoi se kontaktet mes Rusisë dhe SHBA-së në lidhje me Ukrainën vazhdojnë përmes kanaleve ekzistuese, ndërsa Moska merr informacione për përparimin e bisedimeve me Kievin. 

Teheran - Teherani sot e paralajmëroi SHBA-në të mos sistemojnë trupa tokësor në Iran, pasi në raportet e sigurisë theksohet se Uashingtoni po transferon gjithnjë e më shumë forca në rajonin e Gjirit, lajmëroi DPA. "Me kujdes i ndjekim lëvizjet e SHBA-së në rajon, veçanërisht sistemimin e trupave", shënoi kryetari i Parlamentit Mohamed Bager Galibaf në Iks. "Mos e testoni vendosmërinë tonë për ta mbrojtur vendin tonë", tha Galibaf, i cili është ish gjeneral.

Teheran - Marina ushtarake iraniane sot kumtoi se me kujdes e ndjek lëvizjen e aeroplanmbajtëses amerikane "Abraham Linkoln", duke paralajmëruar se do të ishte objektiv i sulmeve nëse anije gjendet në shënjestër të sistemeve raketore iraniane. Komandanti i marinës ushtarake iraniane Shahram Irani deklaroi se nëse grupi armiqësor hyn në shënjestër, do të vijojnë "sulme shkatërruese". Ai shtoi se marina iraniane ka "dominim të plotë detar" në Gjirin Persik, si dhe kontorll mbi Ngushticën e Hormuzit dhe mbikëqyrje mbi lëvizjen e flotës së huaj ushtarake. 

Bagdad - Të paktën shtatë luftëtarë irakian sot humbën jetën, ndërsa 13 u lënduan gjatë një sulmi ndaj një baze ushtarake në Irak, kumtoi Ministria irakiane e mbrojtjes. Në bazë janë akomoduar pjesëtarë të policisë irakiane, ushtarë dhe anëtarë të grupit shiit paraushtarak irakian Hashed al Shabi. Grupi paraushtarak shiit kumtoi se luftëtarët e saj janë vrarë në sulm amerikan.

Bejrut - Dhuna vazhdon të marrë një taksë të rëndë në Liban, ku 42 infermierë thuhet se janë vrarë që nga fillimi i marsit për shkak të përshkallëzimit të sulmeve izraelite. Në incidentin e fundit, dy infermierë humbën jetën kur motoçikleta e tyre u godit ndërsa ishin në detyrë. Ata ishin me uniformë dhe po lëviznin me një mjet të shënuar qartë, i pajisur me drita paralajmëruese, sipas Ministrisë së Shëndetësisë. Ushtria izraelite vazhdon të sulmojë Libanin në kushtet e luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, ku kanë humbur jetën më shumë se 1.000 njerëz, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë javën e kaluar. 

Jerusalem - Një politikan izraelit nga partia Kaltër dhe Bardhë, Avri Shtajner propozoi që Izraeli të blejë 40 ishuj grek të pabanuar në Detin Egje, për t'i shfrytëzuar si strehimore për qytetarët izraelit në rast lufte, publikoi gazeta izraelite "Maariv". Shtajner blerjen e ishujve grek të pabanuar e vlerësoi si Kupola e dytë e hekurt, për shkak të rrezikut nga raketat iraniane të cilat mund të godasin objektiva në Izrael. "Nuk duhet të jenë thjeshtë ishuj, për muaj ideja është të blihet një tokë e pabanuar për të krijuar edhe një Kupolë të hekurt", theksoi Shtajner. Ai e prezantoi propozimin në takimin e bordit të drejtorëve të Himnutas, pjesë e Fondit kombëtar hebraik të formuar në vitin 1967 për blerjen e tokës palestineze në Bregun e pushtuar perëndimor.

Los Anxhelos - Trupi gjykues i Meksikës së Re e shpalli kompaninë "Meta platforms" përgjegjëse në padinë për sigurinë e fëmijëve, duke thënë se me vetëdije ka dëmtuar shëndetin mendor të fëmijëve dhe ka fshehur njohuritë e saj për shfrytëzimin seksual të fëmijëve në platformat e saj. "Meta" është pronare e disa platformave të rrjeteve sociale, siç janë "Fejsbuk", "Uatsap", "Instagram" dhe "Treds". Ky vendim gjyqësor vjen pas pothuajse shtatë ditë gjykimi të nisur nga prokurori i përgjithshëm. Porota e shpalli kompaninë amerikan fajtore për shkelje të ligjeve për mbrojtjen e konsumatorëve në Meksikën e Re dhe urdhëroi që të paguajë 375 milionë dollarë gjobë civile. 

QËNDRONI TË LIDHUR