MEMLP: Miratohet Plani kombëtar për energji dhe klimë 2025–2030 – vizion i qartë për të ardhmen energjetike të shtetit me fokus në qëndrueshmëri, inovacion dhe standarde të BE-së
- Qeveria ka miratuar Planin kombëtar të integruar për energji dhe klimë 2025-2030 - një dokument strategjik që e vendos vendin në një rrugë të qartë drejt transformimit energjetik, zhvillimit të qëndrueshëm dhe përputhshmëri të plotë me politikat evropiane. Plani, i përgatitur me propozim të Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para, përbën një instrument kyç për modernizimin e sektorit energjetik dhe përmbushjen e detyrimeve nga Komuniteti i Energjisë dhe rregullativa evropiane.
- Post By Qefsere Abduli
- 12:53, 14 prill, 2026
Shkup, 14 prill 2026 (MIA) - Qeveria ka miratuar Planin kombëtar të integruar për energji dhe klimë 2025-2030 - një dokument strategjik që e vendos vendin në një rrugë të qartë drejt transformimit energjetik, zhvillimit të qëndrueshëm dhe përputhshmëri të plotë me politikat evropiane. Plani, i përgatitur me propozim të Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para, përbën një instrument kyç për modernizimin e sektorit energjetik dhe përmbushjen e detyrimeve nga Komuniteti i Energjisë dhe rregullativa evropiane.
"Me gjithsej 61 masa konkrete, Plani përfshin 26 masa për dekarbonizim; 20 për efikasitet energjetik; tre për siguri energjetike; 11 për tregun e brendshëm të energjisë dhe një për hulumtim, inovacion dhe konkurrueshmëri. Fokusi është i qartë – ulja e emetimeve të gazrave serrë, rritja e burimeve të rinovueshme të energjisë dhe përmirësimi i ndjeshëm i efikasitetit energjetik", njoftoi MEMLP.
Në periudhën e ardhshme, thuhet në njoftim, shteti do të ndërmarrë hapa konkretë për rritjen e investimeve në energjinë diellore, të erës dhe hidroenergjinë, vendosjen e një sistemi çmimi të karbonit sipas standardeve evropiane, zhvillimin e ruajtjes së energjisë dhe infrastrukturës moderne energjetike, si dhe braktisjen graduale të qymyrit si burim energjie. Paralelisht, po forcohet siguria energjetike përmes diversifikimit të burimeve, bashkëpunimit rajonal dhe interkoneksioneve të reja, si dhe liberalizimit të mëtejshëm dhe integrimit të tregut të energjisë elektrike.
Theksohet se me zbatimin e Planit pritet përmirësim i ndjeshëm i cilësisë së mjedisit jetësorë, stabilitet dhe pavarësi më e madhe energjetike, një cikël i ri investimesh në sektorin e energjisë, përshpejtim i tranzicionit të gjelbër dhe zhvillim ekonomik.
"Ky dokument është një vizion i qartë për të ardhmen energjetike të shtetit, në të cilin qëndrueshmëria, inovacioni dhe standardet evropiane bëhen realitet", thonë nga Ministria e Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para. qa/
Foto: Arkivi i MIA-s