Mbrojtja paralajmëroi padi për aktvendimin për "Geriatrinë", Prokuroria konsideron se faji është dëshmuar
- Avokati Skender Mehmedi, mbrojtës i ish-drejtorit të IPSH Spitali i specializuar për mjekësi geriatrike dhe paliative, Muhsin Arifi dhe i Blerim Amitit, i punësuar në institucion, shprehi pakënaqësi nga aktvendimi për dy të akuzuarit në rastin "Geriatria" dhe paralajmëroi se do të parashtrojë ankesë në Gjykatën e Apelit në Shkup.
- Post By Arta Bunjaku
- 16:37, 21 janar, 2026
hkup, 21 janar 2026 (MIA) - Avokati Skender Mehmedi, mbrojtës i ish-drejtorit të IPSH Spitali i specializuar për mjekësi geriatrike dhe paliative, Muhsin Arifi dhe i Blerim Amitit, i punësuar në institucion, shprehi pakënaqësi nga aktvendimi për dy të akuzuarit në rastin "Geriatria" dhe paralajmëroi se do të parashtrojë ankesë në Gjykatën e Apelit në Shkup.
"Nuk jam i kënaqur nga dënimi që iu shqiptua dy të akuzuarve dhe rrjedhimisht, e drejtë e jona është të parashtrojmë ankesë në Gjykatën e Apelit - Shkup", deklaroi Mehmedi, pasi që sot Gjykata themelore penale Shkup i shqiptoi dënim me burg prej katër viteve për Arifin dhe një vit e dhjetë muaj për Amitin.
Sipas tij, gjykata gjatë sjelljes së aktvendimit ka mundur ta vlerësojë më shumë sjelljen e të akuzuarve , posaçërisht në pjesën e vendimit për paraburgim.
"Lidhur me paraburgimit, gjithashtu nuk jemi të kënaqur, sepse konsiderojmë se në pajtim me dënimin, mënyrën e ekzekutimit dhe të gjitha rrethanat në lëndë, si dhe sjellja e vetë të akuzuarit, në kushte kur njëri i akuzuar mbrohet nga liria, gjykata në masën më të vogël ka mundur të shqiptojë arrest shtëpiak apo masa të tjera sigurie", tha Mehmedi.
I pyetur se si e komenton atë që gjatë arsyetimit të aktvendimit,l gjykatësja Lenka Davitkova theksoi se vepra është kryer në mënyrë të paturpshme, Mehmedi shkurtimisht u përgjigj se do të komentojë pasi që do ta marrë aktvendimin me shkrim.

Nga ana tjetër, prokurorja Iskra Haxhi-Vasileva e cila e udhëheqë lëndën, deklaroi se Prokuroria është e kënaqur nga ajo që Gjykata i ka pranuar argumentet dhe që është dëshmuar faji i të akuzuarve.
Lidhur me dënimet, theksoi se Prokuroria do të presë arsyetimin me shkrim të aktvendimit.
Gjykatësja Davitkova, ndërkaq, gjatë arsyetimit të aktvendimit sot theksoi se gjykata i ka pasur parasysh të gjitha rrethanat të cilat kanë të bëjnë me individualizimin e dënimit, duke cekur se si rrethana vështirësuese gjykata i ka vlerësuar llojin, krakterin dhe peshën e veprave penale, mënyrën e kryerjes së tyre, kushtet nën të cilat janë kryer, si dhe faktin se veprat janë kryer me qëllim të përfitimit të dobisë materiale.
Sipas aktakuzës, Arifi ka kërkuar interes pronësor prej 20.000 euro që të mundësojë pranimin e pacientes në gjendje të rëndë shëndetësore në institucionin që ai drejtonte. Amiti, i cili e ka njohur dëshmitarin, është ofruar të ndërmjetësojë dhe e ka marrë shumën e parave, pas së cilës u kap në vend nga policia.
Procesin gjyqësor e ka udhëhequr gjyqtarja Lenka Davitkova, ndërsa aktakuzës e përfaqësoi prokurorja Iskra Haxhi Vasileva. Kundër gjykimit palët kanë të drejtë ankese në afatin e parashikuar ligjor. ab/
Foto: МIА arkivi