• e martë, 16 dhjetor 2025

MAPAS: Shënohen Ditët e Edukimit Financiar

MAPAS: Shënohen Ditët e Edukimit Financiar

Shkup, 12 dhjetor 2025 (MIA) - Agjencia për mbikëqyrje të financimit kapital të sigurimit pensional – MAPAS-i edhe këtë vit i shënoi Ditët e edukimit financiar me një sërë aktivitetesh të fokusuara në edukim, ngritje të vetëdijes dhe afrimin e sistemit pensional tek qytetarët, të rinjtë dhe punëtorët freelancer si një target grup i veçantë, thuhet në kumtesën e MAPAS të cilën MIA e publikon në mënyrë integrale. 

Në kuadër të fushatës, MAPAS-i vendosi partneritete me tre hapësira bashkëpunuese: The Hub by Adeva, T.G.G. Business Center dhe Konectivity, ku u vendosën materiale informuese me qëllim që personat që punojnë në mënyrë të pavarur dhe freelancerët të njihen më mirë me përfitimet dhe mundësitë e shtyllës së tretë pensionale, si forma më e përshtatshme e kursimit për modelin e tyre profesional.

Me qëllim thellimin e njohurive dhe krijimin e mundësisë për interaksion, MAPAS-i realizoi tre ligjërata edukative për të punësuarit në institucione dhe kompani. Ngjarjet u mbajtën në Komunën Qendër, Komunën Tetovë dhe në kompaninë Infinum, ku pjesëmarrësit patën mundësi të parashtrojnë pyetje dhe të marrin përgjigje të qarta, praktike dhe të personalizuara lidhur me funksionimin e sistemit pensional dhe marrjen e vendimeve për informim financiar.

Kulmi i shënimit të aktiviteteve ishte ngjarja qendrore e mbajtur në Qendrën Kulturore Informative – Shkup, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve, organizatave arsimore, sektorit privat dhe komuniteteve rinore. Ngjarja e theksoi rëndësinë e edukimit financiar si parakusht për stabilitet, siguri dhe pavarësi financiare afatgjate.

Kryetari i Këshillit të Ekspertëve të MAPAS-it, Remzi Bajrami, në fjalimin e tij theksoi se edukimi financiar nuk nënkupton vetëm njohuri për kursimin apo investimin, por paraqet bazë për siguri personale dhe vetëpërgjegjësi.

Drejtoresha e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, Milka Trimçevska, vuri në pah nevojën që aftësitë financiare të bëhen pjesë e integruar e sistemit arsimor.

Këtë vit aktivitetet u pasuruan edhe me një qasje artistike përmes bashkëpunimit me shkollat e mesme SHMSHAD “Lazar Liçenoski” – Shkup dhe QSHSHMB “Ilija Nikollovski–Luj” – Shkup. Gjashtë nxënës nga shkolla e artit krijuan vepra artistike të frymëzuara nga tema të lidhura me përgjegjësinë financiare, ndërsa pesë nxënës nga shkolla e muzikës kompozuan një vepër origjinale – një himn kushtuar kulturës financiare. Veprat dhe kompozimi u prezantuan publikisht në ngjarjen qendrore

Me përfundimin e aktiviteteve, MAPAS-i edhe një herë e përcjell mesazhin se edukimi financiar është vlerë e përhershme që krijon një shoqëri të informuar, të vetëdijshme dhe financiarisht të qëndrueshme. Fushata e këtij viti konfirmoi se rezultatet më të mira arrihen përmes partneritetit, inovacionit dhe edukimit të vazhdueshëm – sepse e ardhmja e sigurt fillon me njohuri.

Agjencia për mbikëqyrje të financimit kapital të sigurimit pensional MAPAS

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR