Limani vizitoi qendrat ditore "Në Botën Time" dhe "Blu Puzzle": Vazhdojmë të përkushtuar në përmirësimin e shërbimeve sociale dhe në zhvillimin e politikave gjithëpërfshirëse
- Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, së bashku me zëvendësministrin Gjoko Vellkovski dhe me kryetarin e Komunës së Gjorçe Petrov-it, Aleksandar Stojkovski, e vizituan Shoqatën për mbështetje dhe trajtim të personave me spektrin autik dhe zhvillim atipik "Në Botën Time" – Shkup, si pjesë e aktiviteteve në muajin e ndërgjegjësimit për autizmin.
- Post By Arta Bunjaku
- 17:04, 3 prill, 2026
Shkup, 3 prill 2026 (MIA) - Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, së bashku me zëvendësministrin Gjoko Vellkovski dhe me kryetarin e Komunës së Gjorçe Petrov-it, Aleksandar Stojkovski, e vizituan Shoqatën për mbështetje dhe trajtim të personave me spektrin autik dhe zhvillim atipik "Në Botën Time" – Shkup, si pjesë e aktiviteteve në muajin e ndërgjegjësimit për autizmin.
Nga Ministria kumtuan se Shoqata krijoi qendër ditore për të rinj nga 14 deri në 26 vjeç, me kapacitet prej 24 përfituesish, ku mbështetjen e ofrojnë persona profesionalë dhe përkëdhelës, si dhe qendër për qëndrim ditor me qasje individuale për fëmijë deri në 14 vjeç, me kapacitet deri në 20 përfitues.
Këto shërbime janë vendosur përmes Projektit për Përmirësimin e Shërbimeve Sociale, të cilin e zbaton Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve me mbështetjen e Bankës Botërore. Pas përfundimit të mbështetjes projektuese, parashikohet nënshkrimi i kontratës administrative me Shoqatën, me çka do të sigurohet vazhdimësia dhe qëndrueshmëria e këtyre shërbimeve të rëndësishme.

Ministri Limani vizitoi edhe Qendrën për Qëndrim Ditor të Personave me Aftësi Ndryshe dhe Punë Individuale në Likovë, e krijuar nga Shoqata e Prindërve të Fëmijëve me Autizëm “Blu Puzzle” (Blue Puzzle) në Likovë. Pas qendrës së suksesshme në Gostivar, kjo është qendra e tyre e dytë ditore që ofron kushte dhe shërbime cilësore për përfituesit. Në Likovë, 24 persona kanë mundësi për kujdes ditor, ushqim, mbështetje për higjienën personale dhe aktivitete individuale për zhvillimin e aftësive jetësore dhe profesionale.
Zhvillimi i shërbimeve sociale në nivel lokal është kyç për fuqizimin e komunave dhe për sigurimin e kujdesit të disponueshëm për të gjithë qytetarët. Pikërisht për këtë, përmes kontratës administrative me Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, sigurojmë mbështetje financiare të vazhdueshme dhe qëndrueshmëri të shërbimeve. Përshtypjet nga vizitat treguan se shoqatat janë shembuj të vërtetë se si me përkushtim, profesionalizëm dhe humanizëm krijohet mjedis i sigurt dhe mbështetës për personat me aftësi ndryshe dhe për familjet e tyre, theksojnë nga Ministria dhe cekin se mbeten fuqimisht të përkushtuar në përmirësimin e shërbimeve sociale, në zhvillimin e politikave gjithëpërfshirëse, si dhe në krijimin e një shoqërie, në të cilën, çdokush ka mundësi të barabarta për të jetuar jetë dinjitoze. ab/