Kurti: Stërvitjet ushtarake serbe pranë kufirit janë kërcënim, nevojiten sanksione
- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vlerësoi se stërvitjet ushtarake të armatës serbe në kufirin me Kosovën janë "jashtëzakonisht shqetësuese" dhe kërkoi që bashkësia ndërkombëtare të reagojë ndaj, siç tha ai, qasjes destabilizuese të Beogradit.
- Post By Qefsere Abduli
- 22:06, 19 mars, 2026
Prishtinë, 19 mars 2026 (MIA) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vlerësoi se stërvitjet ushtarake të armatës serbe në kufirin me Kosovën janë "jashtëzakonisht shqetësuese" dhe kërkoi që bashkësia ndërkombëtare të reagojë ndaj, siç tha ai, qasjes destabilizuese të Beogradit.
Sipas gazetës "Koha Ditore", Kurti deklaroi se Serbia po e përdor armatën si "instrument presioni", me qëllim që ta mbajë rajonin në tension të vazhdueshëm.
Më herët, kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, dhe kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, informuan se forcat serbe po zhvillojnë stërvitje ushtarake në zonën kufitare, të cilat i vlerësuan si "provokuese".
Shqetësim shprehu edhe Enkel Rexhepi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi.
Kurti deklaroi se aktivitete të tilla përbëjnë presion dhe përpjekje për frikësimin e shqiptarëve në Serbinë jugore, të cilët, sipas tij, prej vitesh përballen me "spastrim etnik administrativ".
Ai paralajmëroi se stërvitjet e Brigadës së 63-të të parashutistëve, të cilat përfshijnë helikopterë dhe operacione parashutimi në afërsi të drejtpërdrejtë të kufirit, përbëjnë një "demonstrim të rrezikshëm force".
Kurti kujtoi edhe sulmin në fshatin Banjskë në vitin 2023, kur një grup i armatosur sulmoi policinë e Kosovës, ku u vra një polic dhe tre sulmues.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radojçiq, ish funksionar i partisë Lista Serbe. Kosova e akuzoi Beogradin për përfshirje, gjë që Serbia e ka mohuar.
Kurti vlerësoi se Beogradi po e përdor situatën aktuale për të testuar gatishmërinë e institucioneve të sigurisë dhe për të ndikuar në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, duke aluduar edhe në mbështetje nga Rusia dhe Irani.
"Institucionet e Kosovës mbeten të gatshme të përgjigjen ndaj çdo kërcënimi, por është koha që bashkësia ndërkombëtare të reagojë dhe ta sanksionojë këtë qasje", deklaroi Kurti.
Ai bëri thirrje edhe për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. qa/
Foto: arkivi