• e diel, 01 shkurt 2026

KSHPK i demanton thëniet e Së Majtës për ndikime politike dhe "oktapod" në Komision

KSHPK i demanton thëniet e Së Majtës për ndikime politike dhe

Shkup, 21 janar 2026 (MIA) - Komisioni shtetëror për parandalim të korrupsionit (KSHPK) sot në brifing i hodhi poshtë thëniet e Së Majtës se në institucion ekziston një rrjet politik i ndikimeve, përplasjes së interesave dhe veprim selektiv rreth lëndëve. Kryetari i Komisionit, Adem Çuçul vlerësoi se akuzat janë të pabaza dhe plotësisht në kundërshtim me mënyrën në të cilën funksionon KSHPK-ja.

E Majta paraprkaisht publikoi një kumtesë në të cilën pohon se ekziston "rrjet për kontroll gjatë lëndëve dhe epilogut të tyre", ku roli kyç i referohet anëtares së Komisionit, Cveta Ristovska dhe personit të angazhuar në arkiv, Tatjana Naqeva.

Çuçul sot deklaroi se sistemi për shpërndarje të lëndëve nuk lejon kurfarë manipulime.

Lidhur me thëniet për angazhimin e Tatjana Naqevës, Çuçul konfirmoi se personi është angazhuar, por theksoi se arsyet kanë qenë vetëm teknike - për shkak të arkivit voluminoz, të parregulluar me lëndë.

Ai përkujtoi se KSHPK punon si trup kolektiv dhe se të gjitha vendimet sillen në mbledhje publike, me shumicë votash.

Në pyetjen nëse KSHPK do të parashtrojë padi për shpifje, Çuçul u përjgigj se Komisioni nuk dëshiron të përzihet në konflikte të politikës ditore dhe do të vazhdojë të punojë në mënyrë transparente.

Lidhur me pyetjet shtesë të parashtruara gjatë brifingut, Çuçul theksoi se nuk është e vërtetë se nuk ka raste për pushtetin aktual ose zyrtarë aktualë dhe paralajmëroi se, siç tha ai, "në periudhën në vijim do të përqendrohemi në gjendjen pronësore të zyrtarëve aktualë nga institucionet më të larta - ministra, prokurorë publikë, gjyqtarë, deputetë dhe kryetarë komunash".

Në pyetjen pse lista pronësore e gjykatësit të dyshuar Gjoko Ristov nuk është e disponueshme në ueb-faqen e KSHPK-së, ai u përgjigj se gjykatësi ka parashtruar lista anketuese në vitin 2008 dhe 2021, por, siç sqaroi, sistemi i ri i Komisionit për evidentim të listave pronësore është nga janari 2024 dhe për shkak të një problemi teknik, listat e mëparshme nuk janë të disponueshme. ab/

Foto: МIА 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR