Kryetari i Kuvendit Studentor të UT-së Leart Ibraimi mori pjesë në Konferencën III Shkencore Ndërkombëtare në Tiranë
- Universiteti i Tiranës e përmbylli me sukses edicionin e tretë të Konferencës Shkencore Studentore Ndërkombëtare - një aktivitet që promovon ekselencën akademike dhe kërkimin shkencor të studentëve. Në këtë konferencë mori pjesë edhe Kryetari i Kuvendit Studentor i Universitetit të Tetovës z. Leart Ibraimi. Konferenca përfshiu një gamë të gjerë nga shkencat humane dhe shoqërore, shkencat natyrore, shkencat juridike dhe ekonomike, shkencat e komunikimit, edukimit dhe teknologjisë, shkencat inxhinierike dhe teknologjike, si edhe trashëgimia kulturore dhe muzetë.
12 dhjetor 2025
Universiteti i Tiranës e përmbylli me sukses edicionin e tretë të Konferencës Shkencore Studentore Ndërkombëtare - një aktivitet që promovon ekselencën akademike dhe kërkimin shkencor të studentëve. Në këtë konferencë mori pjesë edhe Kryetari i Kuvendit Studentor i Universitetit të Tetovës z. Leart Ibraimi. Konferenca përfshiu një gamë të gjerë nga shkencat humane dhe shoqërore, shkencat natyrore, shkencat juridike dhe ekonomike, shkencat e komunikimit, edukimit dhe teknologjisë, shkencat inxhinierike dhe teknologjike, si edhe trashëgimia kulturore dhe muzetë, theksohet në komunikatën e UT-së, të cilën MIA e transmeton në formë integrale.
Në fjalimin e tij drejtuar auditorit, Kryetari i Kuvendit Studentor të UT-së, Leart Ibraimi tha se ky takim nuk është vetëm një aktivitet akademik, por edhe një dëshmi se si hapësira universitare shqiptare, pavarësisht ndarjeve administrative apo kufijve shtetërorë, mund të qëndrojë e bashkuar rreth të njëjtit qëllim – avancimit të dijes, krijimit të bashkëpunimeve të reja dhe fuqizimit të studentëve. “Sot, përmes kësaj platforme të përbashkët, ne sjellim ide, përvoja dhe këndvështrime nga katër qendra të rëndësishme akademike, duke treguar se kur universitetet shqiptare bashkohen, krijojnë vlera më të mëdha se secili prej nesh veç e veç. Kjo konferencë përfaqëson një vizion të qartë dhe afatgjatë: të ndërtojmë një komunitet akademik mbarëshqiptar, të hapur, bashkëpunues dhe inovativ. Një komunitet ku studentët mund të takohen, të prezantojnë punimet e tyre, të diskutojnë sfida të përbashkëta dhe të ndërtojnë ura komunikimi që zgjasin përtej kësaj dite. Bashkëpunime të tilla janë thelbësore për të rritur cilësinë e arsimit, për të krijuar projekte të reja kërkimore dhe për të forcuar identitetin tonë akademik në rajon. Të dashur studentë, pjesëmarrja juaj këtu është dëshmi se brezi ynë ka vullnet, ambicie dhe ide që meritojnë të dëgjohen. Kjo konferencë është një hapësirë ku zhvilloheni si profesionistë, por edhe si përfaqësues të një vizioni më të madh: një hapësirë akademike shqiptare që bashkëpunon dhe ecën përpara së bashku.” - tha Kryetari i Kuvendit Studentor të UT-së, Leart Ibraimi.
Aktiviteti u zhvillua në gjashtë sesione paralele dhe përfshiu gjithsej dymbëdhjetë panele shkencore. Në total morën pjesë 460 studentë, mes të cilëve ishin edhe 12 pjesëmarrës nga Universiteti i Tetovës dhe 3 të tjerë nga universitetet e Shkodrës dhe Elbasanit dhe u prezantuan 208 punime me referim, ndërsa 20 punime të tjera u paraqitën në formë posterash, duke dëshmuar nivelin e lartë të angazhimit dhe cilësisë së kërkimit nga studentët pjesëmarrës. Kjo veprimtari ishte një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimit akademik dhe zhvillimit të kërkimit shkencor, duke krijuar një hapësirë ku idetë dhe kontributet studentore morën vlerësimin e duhur.
Foto: Arkivi i MIA-s