Kremlini thotë se Putini është i hapur për takim me Zelenskin në Moskë
- – Presidenti rus Vladimir Putin është i hapur për takim me presidentin ukrainas Volodomir Zelenski që të bisedojnë për luftën në Ukrainë, deklaroi sot këshilltari për Politikë të Jashtme të Kremlinit, Jurij Ushakov.
- Post By Fitore Curri
- 19:16, 28 janar, 2026
Moskë, 28 janar 2026 (MIA) – Presidenti rus Vladimir Putin është i hapur për takim me presidentin ukrainas Volodomir Zelenski që të bisedojnë për luftën në Ukrainë, deklaroi sot këshilltari për Politikë të Jashtme të Kremlinit, Jurij Ushakov.
Rusia asnjëherë nuk e ka përjashtuar takimin e tillë, deklaroi Ushakov për korrespondentin e televizionit shtetëror të Kremlinit, Pavell Sarubin, sipas një video të publikuar në kanalin e gazetarit në Telegram.
"Nëse Zelenski është vërtet gati për bisedime, ai mund të vijë në Moskë", tha Ushakov, duke shtuar se Putini e ka thënë këtë disa herë. Ai theksoi se një takim i tillë do të duhej të ishte i përgatitur mirë dhe i fokusuar në rezultate.
Rusia do ta garantojë sigurinë e presidentit ukrainas, shtoi Ushakov.
Ukraina vlerëson se udhëtimi i Zelenskit në Moskë është i pamundur për shkaqe sigurie.
Ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Andrij Sibiha, paraprakisht deklaroi se Zelenski është i gatshëm që drejtpërdrejt të negociojë për çështje të ndjeshme me Putinin si pjesë e përpjekjeve për përfundimin e luftës në Rusi.
Çështjet më të ndjeshme në kërkimin për marrëveshje paqësore ende nuk janë zgjidhur, tha Sibiha në intervistën për portalin ukrainas “Drejtësia evropiane”. Ato përfshijnë çështjet territoriale dhe centralin bërthamor Zaporozhjë, i cili është okupuar nga Rusia.
Rusia kërkon lëshime territoriale nga Ukraina si kusht për armëpushim, veçanërisht tërheqje të forcave ukrainase nga rajonet Donjeck dhe Lugansk.
Centrali Zaporozhjë, centrali më i madh bërthamor në Evropë, është okupuar nga trupat ruse nga marsi i vitit 2022, pak pas fillimit të luftës.
Gjatë fundjavës, negociatorët nga Ukraina dhe Rusia mbajtën bisedime të drejtpërdrejta për herë të parë pas disa muajve në Emiratet e Bashkuara Arabe, me ndërmjetësim të SHBA-së. Bisedimet duhet të vazhdojnë të dielën në Abu Dabi. fc/
Foto: DPA