Konjufca i bëri thirrje Serbisë që ta njohë pavarësinë e Kosovës
- – Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca i bëri thirrje Serbisë që ta pranojë realitetin dhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, transmetojnë mediat e Kosovës.
- Post By Fitore Curri
- 16:22, 10 prill, 2026
Nju Jork, 10 prill 2026 (MIA) – Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca i bëri thirrje Serbisë që ta pranojë realitetin dhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, transmetojnë mediat e Kosovës.
Ai këtë e deklaroi mbrëmë në fjalimin në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara kushtuar Kosovës. Konjufca theksoi se Kosova mbetet e gatshme për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore ndërshtetërore, po vlerësoi se pengesa kryesore për paqen dhe normalizimin edhe më tutje është Serbia.
Ai shtoi se Beogradi jo vetëm që nuk është i interesuar për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe për afrimin drejt Bashkimit Evropian po vazhdon ta ruajë qëndrueshmërinë rajonale si “peng” përmes, siç tha, qasjes hegjemoniste.
“Ata po bëjnë përpjekje ta hedhin poshtë mundësinë për qëndrueshmëri, prosperitet dhe integrim të plotë të rajonit në strukturat euroatlantike, të cilat janë të domosdoshme”, deklaroi Konjufca.
Ai shfaqi shqetësim edhe për shkak, siç tha, “përfshirjes së vazhdueshme të Serbisë në proceset demokratike në Kosovë”, duke i theksuar përpjekjet për ndikim ndaj zgjedhjeve dhe mbështetjes për partinë më të madhe të serbëve të Kosovës, “Sërbska Lista”.
Konjufca theksoi se Kosova ka arritur ta pengojë përzierjen e huaj dhe ta ruajë integritetin e institucioneve të saja demokratike. Ai theksoi se populli i Kosovës është paqësor dhe asnjëherë nuk është përzier në punët e brendshme të shteteve të tjera. fc/
Foto: Arkivi