Klodian Braho zgjedhet shefi i ri i Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë - SPAK
- Këshilli i Lartë i Prokurorisë së Shqipërisë, pasdite me shumicë votash e zgjodhi Klodian Brahon shef të ri të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Tiranë, 11 dhjetor 2025 (MIA) - Këshilli i Lartë i Prokurorisë së Shqipërisë, pasdite me shumicë votash e zgjodhi Klodian Brahon shef të ri të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Drejtuesi i ri i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), u zgjodh Klodian Braho, i cili mori 7 vota. Braho u zgjodh mes 4 kandidatëve dhe do të ketë një mandat trevjeçar, duke zëvendësuar në këtë pozicion Altin Dumanin. I dyti me tri vota u rendit Adnan Xholi, Elvin Gokaj mori 1 votë, ndërsa Doloreza Musabelliu nuk mori asnjë votë.
Të katër kandidatët, Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho, paraqiten përpara anëtarëve të KLP-së platformat dhe vizionin e tyre për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme.
Mbledhja u organizua në praninë e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, përfaqësuesve nga Prokurori i Përgjithshëm, Ministria e Drejtësisë, Projekti Eu4Justice dhe Programi OPDAT si dhe përfaqësues të misioneve diplomatike, mes tyre e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-së, Nancy Van Horn dhe ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.
Drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme do të zgjidhet mes prokurorëve të SPAK për një mandat 3-vjeçar, pa të drejtë rikandidimi.
Klodian Braho u lind në Skrapar më 21 korrik 1982. Në vitet 2000-2004 kreu studimet në Fakultetin e Drejtësisë dhe në 2005-2008 studioi në Shkollën e Magjistraturës. Ai mori emërimin më 14 nëntor 2007.
Nga 10 dhjetori i vitit 2019, nga vetë formimi është pjesë e prokurorëve të SPAK, në departamentin e korrupsionit. mb/
Foto: FB i Brahos