Kievi dorëzon reagimin e saj ndaj planit paqësor të Trampit
- Ukraina ka formuluar reagimin e saj ndaj planit paqësor të SHBA-së dhe do ia dorëzojë Uashingtonit, bëri të ditur portali RBC-Ukrainë vonë mbrëmë. Detajet e kundërpropozimit ukrainas ende nuk janë bërë publike.
- Post By Fami Bajrami
- 12:56, 11 dhjetor, 2025
Kiev, 11 dhjetor 2025 (MIA) - Ukraina ka formuluar reagimin e saj ndaj planit paqësor të SHBA-së dhe do ia dorëzojë Uashingtonit, bëri të ditur portali RBC-Ukrainë vonë mbrëmë.
Detajet e kundërpropozimit ukrainas ende nuk janë bërë publike.
Plani i propozuar fillimisht nga administrata e presidentit amerikan, Donald Tramp u kritikua ashpër nga shumëkush si një "listë dëshirash" e Moskës, sepse në thelb pranon kërkesat ruse, raporton agjencia gjermane DPA.
Sipas planit, Ukraina jo vetëm që do të hiqte dorë nga anëtarësimi në NATO, por gjithashtu do të kufizonte madhësinë e forcave të saja të armatosura dhe do të tërhiqej nga pjesët në lindje të vendit që për momentin i kontrollon me pozicione mbrojtëse të fortifikuara mirë.
Në këmbim, Moska do të detyrohej të përmbahej nga sulme të mëtejshme ndaj vendit të saj fqinj.
Pikat kryesore të mosmarrëveshjes janë çështja territoriale dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Udhëheqësia ukrainase e drejtuar nga presidenti Volodimir Zelenski më parë ka përjashtuar mundësinë e lëshimit të territoreve dhe Kievi nuk dëshiron të mbështetet vetëm në një premtim nga Moska se nuk do të ndërhyjë përsëri ushtarakisht.
foto: arkivi