• e martë, 16 dhjetor 2025

KB njofton se paqeruajtësit u sulmuan nga Izraeli në jug të Libanit

KB njofton se paqeruajtësit u sulmuan nga Izraeli në jug të Libanit

Bejrut, 10 dhjetor 2025 (MIA) - Forcat e Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) njoftuan sot se forcat izraelite qëlluan disa herë me mitraloz pranë një patrulle paqeruajtëse të KB-së përgjatë Vijës së kaltër të shënuar nga KB-ja, me ç'rast nuk ka viktima.

"Sulmet ndaj ose pranë paqeruajtësve përbëjnë një shkelje serioze të Rezolutës 1701", thuhet në kumtesë, duke i bërë thirrje Izraelit të ndërpresë atë që UNIFIL e quajti sjellje agresive ndaj forcave të mandatuara për të ruajtur stabilitetin përgjatë kufirit.

Rezoluta 1701 e KB-së i dha fund Luftës së Libanit në vitin 2006.

Sipas kumtesës, paqeruajtësit me automjete po kryenin një patrullim rutinë pranë fshatit Sarda dje kur një tank izraelit "Merkava" hapi zjarr.

"Një breshëri prej 10 plumbash u qëllua mbi patrullën, e ndjekur nga katër breshëri të tjera me nga 10 plumba secila që ranë afër", thuhet në kumtesë.

Misioni tha se paqeruajtësit kontaktuan menjëherë Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) përmes kanaleve të komunikimit të UNIFIL për të kërkuar një armëpushim.

UNIFIL vuri në dukje se si tanku ashtu edhe patrulla ishin në territorin libanez në atë kohë. sa/

Foto: DPA

QËNDRONI TË LIDHUR