• e martë, 24 mars 2026

Kallasi: BE-ja kërkon zgjidhje diplomatike për Ngushticën e Hormuzit

Kallasi: BE-ja kërkon zgjidhje diplomatike për Ngushticën e Hormuzit

 Bruksel, 17 mars 2026 (MIA)  - Derisa presidenti amerikan Donald Trampi u bën thirrje aleatëve të dërgojnë anije luftarake në Ngushticën e Hormuzit për të siguruar transportin e naftës në mes të luftës në Iran, shefja për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë e BE-së, Kaja Kallas, deklaroi se duhet të gjenden mënyra diplomatike për ta mbajtur të hapur rrugën ujore.

 Në një intervistë për Rojtersin, Kallasi sot deklaroi se askush nuk është i përgatitur të rrezikojë njerëzit e vet në Ngushticën e Hormuzit.

"Duhet të gjejmë mënyra diplomatike për ta mbajtur të hapur në mënyrë që të mos kemi   krizë me ushqimin, krizë mbeturinash,  krizë energjie", tha shefja e  diplomacisë evropiane. 

Kallasi, gjithashtu,  tha se BE-ja ka filluar të marrë parasysh parashikueshmërinë e ShBA-së një vit pasi Tramp u kthye në Shtëpinë e Bardhë. 

 "Gjithsesi, ne jemi aleatë të Amerikës, por nuk i kuptojmë lëvizjet e tyre kohët e fundit", deklaroi funksionarja evropiane në një intervisët për Rojtersin.

 Ajo shtoi se është e qartë se paparashikueshmëria e ShBA-së duhet të merret parasysh dhe se BE-ja tani është shumë më e qetë sepse pret që do të ketë gjëra të paparashikueshme dhe i pranon ashtu siç janë, "të qetësohet pak, të jetë e qetë dhe të qëndrojë e përqendruar".

 Kallasi, gjithashtu, tha se nuk ka dëshirë në BE për të lidhur marrëveshje energjie me Rusinë  në kushte të rritjes së çmimeve, as publikisht dhe as pas dyerve të mbyllura.

 Ajo, gjithashtu, deklaroi se kur bëhet fjalë për Rusinë, më e rëndësishme është që BE-ja së pari të bjerë dakord  për atë që dëshiron të flasë me të.

 "Sepse nëse thjesht kthehemi te "puna e zakonshme", do të kemi më shumë luftëra. Tashmë e kemi parë këtë. Prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos i japim Rusisë atë që dëshiron, sepse oreksi i tyre vetëm do të rritet", tha Kallasi.

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR