• e martë, 16 dhjetor 2025

Kërkesë drejtuar Gashit për heqjen e imunitetit të deputetit Jançev nga E Majta

Kërkesë drejtuar Gashit për heqjen e imunitetit të deputetit Jançev nga E Majta

Shkup, 11 dhjetor 2025 (MIA) - Letër me kërkesë për heqjen e imunitetit të deputetit Mitko Jançev nga E Majta drejtuar kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi kanë dërguar prindërit e vajzës 13-vjeçare, e cila u lëndua rëndë në aksidentin rrugor që ndodhi më 14 shtator të këtij viti në Ilinden. Për pasojat e lëndimeve nga aksidenti më vonë ndërroi jetë edhe djali 16-vjeçar që e drejtonte motoçikletën. 

Jançev është i dyshuar për aksidentin rrugor që ndodhi pas mesnatës në fshatin Marino, kur duke drejtuar një "Hjundai Tuson" goditi motoçikletën "Jijing" i drejtuar nga një i mitur 16-vjeçar. Nga përplasja, u lënduan rëndë drejtuesi i motoçikletës dhe bashkëudhëtarja e e tij 13-vjeçare, ndërsa lëndime më të lehta pësoi bashkëudhëtari i Jançevit.

Në letrën e tyre, prindërit e vajzës së lënduar rëndë, ndër të tjera, theksojnë se kanë shqetësim serioz për ndikim mbi procesin gjyqësor, pasi ende nuk është ngritur aktakuza për këtë ngjarje tragjike.

Ata shprehin dyshimin se deputeti mund ta keqëpërdorë funksionin e tij dhe të përdorë imunitetin e deputetit, me çka, siç thonë ata, "do të shmangte masat e mundshme për sigurimin e pranisë ose masa të tjera që do të caktonin organet kompetente". Për këtë arsye kërkojnë nga Gashi që në rendin e ditës së Kuvendit të vihet kërkesa për heqjen e imunitetit të Jançevit. qa.

Foto: Letra MIA

QËNDRONI TË LIDHUR