• e hënë, 20 prill 2026

Janevska: Kemi konsensus me komunitetin akademik për ligjet e reja, nuk është viti 2018 kur ato miratoheshin në kabinetin ministror

Janevska: Kemi konsensus me komunitetin akademik për ligjet e reja, nuk është viti 2018 kur ato miratoheshin në kabinetin ministror

Shkup, 16 prill 2026 (MIA)- Arsimi i lartë dhe shkenca do të marrin kornizë të re ligjore që ofron shumë më tepër mundësi për profesorët, shkencëtarët, hulumtuesit dhe studentët për zhvillim personal dhe për kontribut në ndërtimin e një shoqërie të bazuar në njohuri, aftësi, arritje shkencore dhe inovacione. Prej një viti e gjysmë po zhvillojmë proces plotësisht transparent dhe shpreh mirënjohje ndaj komunitetit akademik dhe fushës shkencore, si dhe ndaj të gjithë faktorëve politikë dhe shoqërorë që në çfarëdo mënyre kanë kontribuar në hartimin e paketës së re të ligjeve.

Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në pres konferencën e sotme në Qeveri, ku së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe rektorët e gjashtë universiteteve shtetërore trajtuan nevojën dhe procesin e përgatitjes së Propozim-ligjit të ri për arsimin e lartë, si dhe ligjet për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë dhe për aktivitetet për veprimtarinë kërkimore-shkencore

“U takuam me të gjithë, i dëgjuam të punësuarit në universitetet publike, në ato private, në institucionet shkencore dhe në ASHAM. Pranuam numër të madh sugjerimesh konstruktive, ndërsa vërejtjet kritike të komunitetit akademik dhe shkencor ndihmuan shumë në përgatitjen e versionit më të mirë të ligjit. Ky nuk është debat i shtirur, i tillë nuk do të zgjaste kaq gjatë. Nuk është parimi i punës i vitit 2018 kur ligjet silleshin nga kabineti i ministrit”, tha Janevska.

Ministrja u ndal veçanërisht te risitë dhe përfitimet nga Ligji i ri për Arsimin e Lartë, duke theksuar se ai ofron meritokraci përmes treguesve të produktivitetit kërkimor, ndërkombëtarizimit dhe bashkëpunimit ndërmjet universiteteve, matshmëri të cilësisë, dukshmëri të institucioneve të arsimit të lartë dhe të stafit akademik, lehtësira për studentët dhe mundësi për përvetësimin e njohurive më të avancuara përmes programeve studimore më cilësore dhe më shumë trajnim praktik, si dhe modularitet në mësimdhënie. Është paraparë intensifikimi i pjesëmarrjes së komunitetit të biznesit në hartimin e programeve studimore dhe vlerësimin e tyre, me qëllim përshtatjen ndaj ndryshimeve në tregun e punës dhe në shoqëri.

Janevska theksoi gjithashtu se procesi i hartimit të zgjidhjeve ligjore ishte vështirësuar për shkak të lajmeve të rreme dhe dezinformatave të përhapura nga qendra të ndryshme me ndikim mbi opinionin publik, ndërsa si shembuj përmendi pretendimet për cenimin e autonomisë së universiteteve, ndërprerjen e studimeve me korrespodencë dhe heqjen e fondit për mbulimin e shpenzimeve për publikimin e punimeve shkencore në revista ndërkombëtare shkencore.

“Theksoj se rezistenca e pabazë ndaj ndryshimeve pozitive, veçanërisht ajo politike dhe vetëm për shkak të rivalitetit, nuk duhet të jetë më kërcënim apo pengesë për zhvillimin e arsimit të lartë dhe për stimulimin e shkencës. Uniteti është i domosdoshëm, sepse ky qëllim-përmirësimi i cilësisë së arsimit të lartë - është në fakt edhe detyrim i vendit në Agjendën e Reformave dhe përgjegjësia është e përbashkët”, potencoi Janevska, duke shtuar se shteti do të sigurojë të gjitha burimet dhe mekanizmat e domosdoshëm për zbatimin dinjitoz të rregullores së re ligjore, gjë që do të parandalojë rënien e mëtejshme të cilësisë së arsimit të lartë dhe do të mundësojë përparim në afat të mesëm.

Propozim- ligji për arsimin e lartë nuk është hartuar pas dyerve të mbyllura, por përmes debateve me universitetet, ai është një zgjidhje e përbashkët me komunitetin akademik dhe besoj se do të japë rezultate. Ky nuk është ligj i Qeverisë, kjo nuk është çështje politike, por një çështje shtetërore nga e cila varet e ardhmja e vendit dhe e të rinjve tanë, të cilët aktualisht nuk po e njohin cilësinë në arsimin e lartë vendor, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në konferencën për shtyp në Qeveri, me rastin e pakos së ligjeve për arsimin e lartë dhe për shkencën të cilat janë në procedurë qeveritare.

Në prani të rektorëve të shtatë universiteteve publike, ai theksoi se duhet të ndalen eksperimentet dhe të zbatohen zgjidhje sistematike, sepse, siç tha ai, arsimi është themeli i çdo shoqërie.

"Për një kohë të gjatë arsimi i lartë po pëson dëme të mëdha, sepse në vitin 2018 u miratua një zgjidhje ligjore edhe më e keqe se ajo e mëparshmja, me kufij të ulura për avancim në tituj akademikë, me ulje të prodhimit të punimeve shkencore dhe me rënie të cilësisë. Në vitet e kaluara nuk pati asnjë vlerësim serioz dhe as nuk u propozuan zgjidhje. Si Qeveri nuk mund të lejojmë edhe një dekadë të humbur. Sot kemi vendosur një marrëdhënie të vërtetë partneriteti me komunitetin akademik dhe së bashku me ta po hartojmë një ligj të ri", tha Mickoski.

Ai theksoi se ligji për arsimin e lartë i përgjigjet sfidave reale, ndërsa në fokus janë të rinjtë, që ata të qëndrojnë në vend dhe këtu të ndërtojnë të ardhmen dhe karrierën e tyre. Ndër risitë, tha ai, është se për herë të parë studentët më të mirë do të kenë përparësi në punësim në universitetet shtetërore, si dhe po futet një model i ri i financimit të institucioneve të arsimit të lartë.

Mickoski njoftoi se 7,5 miliardë denarë është buxheti i universiteteve dhe se ai është dukshëm më i madh se vitin e kaluar, duke shtuar se ky trend do të vazhdojë.

Ai shtoi se fokusi do të jetë edhe te shkenca, si dhe te mbështetja e punimeve shkencore, në mënyrë që universitetet tona, siç tha ai, sërish të njihen si qendra të cilësisë dhe inovacionit.

Foto: MIA

 

 

 

 

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR