Izraeli dhe Irani kanë intensifikuar sulmet e ndërsjella ndaj infrastrukturës strategjike në ditën e 20-të të luftës
- Irani i intensifikoi sulmet ndaj objekteve të naftës dhe gazit në Gjirin Persik si hakmarrje për goditjet izraelite ndaj fushave të gazit iranian, duke e çuar luftën në një fazë jashtëzakonisht të rrezikshme në ditën e 20-të të fillimit të konfliktit. Si pasojë direkte e këtyre veprimeve ushtarake, çmimi i naftës së papërpunuar "Brent" në bursën e Londrës sot u rrit në 118 dollarë për fuçi, që përfaqëson një rritje prej mbi 60 për qind krahasuar me 28 shkurtin, kur nisën sulmet amerikano-izraelite.
- Post By Qefsere Abduli
- 21:24, 19 mars, 2026
Teheran, 19 mars 2026 (MIA) - Irani i intensifikoi sulmet ndaj objekteve të naftës dhe gazit në Gjirin Persik si hakmarrje për goditjet izraelite ndaj fushave të gazit iranian, duke e çuar luftën në një fazë jashtëzakonisht të rrezikshme në ditën e 20-të të fillimit të konfliktit. Si pasojë direkte e këtyre veprimeve ushtarake, çmimi i naftës së papërpunuar "Brent" në bursën e Londrës sot u rrit në 118 dollarë për fuçi, që përfaqëson një rritje prej mbi 60 për qind krahasuar me 28 shkurtin, kur nisën sulmet amerikano-izraelite.
Një pikë kthese kyçe ishte sulmi izraelit ndaj Parsit Jugor", pjesës iraniane të fushës më të madhe të gazit në botë, e cila ka rëndësi strategjike pasi plotëson 70 për qind të konsumit të gazit në Iran. Presidenti amerikan Donald Tramp, përmes rrjetit të tij "Truth Social", deklaroi se pjesa e goditur ishte "relativisht e vogël" dhe shtoi se SHBA-ja dhe Katari nuk ishin njoftuar më parë për këtë veprim. Trampi lëshoi gjithashtu një kërcënim serioz ndaj Teheranit, duke theksuar se Izraeli nuk do ta sulmojë përsëri fushën "përveç nëse Irani sulmon në mënyrë të paarsyeshme Katarin", në të cilin rast ai premtoi se SHBA-të do ta "hedhin në erë të gjithë 'Parsin Jugor' me një fuqi që bota nuk e ka parë kurrë më parë”.
Pavarësisht paralajmërimeve, Irani kreu një sulm me raketa ndaj rafinerisë së Katarit në Ras Lafan, qendra kryesore për eksportin e gazit natyror të lëngshëm (GNL). Kryeministri i Katarit, sheiku Mohamed bin Abdulrahman Al Tani, deklaroi se ky sulm është dëshmi se Irani po shënjestron objekte që nuk lidhen vetëm me SHBA-në, pas së cilës Doha dëboi menjëherë dy diplomatë iranianë. Ministri i Energjisë së Katarit, Saad al-Kaabi, paralajmëroi se sulmet kanë shkatërruar 17 për qind të kapacitetit eksportues të vendit dhe se për rindërtim nrbpjiten deri në pesë vjet. Ndërkohë, Kuvajti raportoi sulme me dronë ndaj dy rafinerive të tij, ndërsa në Arabinë Saudite u godit rafineria "SAMREF" në qytetin portual Janbu, ku dëmet u vlerësuan si minimale.
Në frontin ushtarak, Izraeli njoftoi se ka kryer bombardime masive ndaj anijeve ushtarake iraniane në Detin Kaspik, duke pretenduar se marina iraniane në atë rajon tashmë është shkatërruar. Paralelisht, vazhdojnë sulmet në Libanin Jugor, ku u plagosën edhe dy gazetarë rusë, plagosjen e të cilëve Moska e cilësoi si një "goditje të qëllimshme". Numri i të vrarëve në Liban që nga fillimi i luftës tashmë ka tejkaluar 1.000 persona.
Në Uashington, ministri amerikan i Mbrojtjes Pit Hegset konfirmoi se objektivat mbeten të njëjtat: shkatërrimi i lançuesve të raketave iraniane, i industrisë ushtarake dhe i marinës, si dhe parandalimi i programit bërthamor të Teheranit. Megjithatë, Tulsi Gabard nga Inteligjenca Kombëtare vuri në dukje një dallim në fokus – ndërsa Trampi synon shkatërrimin e kapaciteteve ushtarake, qeveria izraelite është kryesisht e përqendruar në neutralizimin e udhëheqjes iraniane.
Për shkak të përshkallëzimit, Pentagoni kërkoi 200 miliardë dollarë shtesë për luftën, ndërsa OBT paralajmëroi se tregtia globale mund të ngadalësohet ndjeshëm në vetëm 1,4 për qind rritje nëse çmimet e energjisë vazhdojnë të rriten në mënyrë të pakontrolluar. qa/
Foto: DPA