Irani mohon Trampin për negociatat me SHBA-në për t'i dhënë fund luftës
- Irani sot hodhi poshtë pretendimet e presidentit amerikan, Donald Tramp, se të dy vendet po zhvillonin bisedime “produktive” për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme.
- Post By Ramize Qamili
- 14:56, 23 mars, 2026
Teheran, 23 mars 2026 (MIA) - Irani sot hodhi poshtë pretendimet e presidentit amerikan, Donald Tramp, se të dy vendet po zhvillonin bisedime “produktive” për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme.
"Teherani nuk ka kontakt me Trampin, as përmes ndërmjetësve", publikuan agjencitë shtetërore të lajmeve Fars dhe Tasnim, të cilat janë të afërta me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.
Vetëm pak momente më parë, Tramp publikoi në "Truth Social" se do të shtynte të gjitha sulmet ushtarake ndaj termocentraleve dhe infrastrukturës energjetike iraniane për pesë ditë pas "bisedimeve produktive" me Iranin, duke shtyrë një ultimatum të mëparshëm.
Trampi të shtunën kërcënoi se do të sulmonte termocentralet iraniane nëse Ngushtica e Hormuzit nuk rihapet në afat prej 48 orë.
Në përgjigje, Teherani kërcënoi të bllokonte plotësisht kalimin dhe u zotua të hakmerrej kundër objekteve energjetike dhe impianteve të desalinizimit në vendet e Gjirit që kanë lidhje me SHBA-në, nëse sulmohej infrastruktura energjetike.
"Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani kanë pasur diskutime shumë të mira dhe produktive gjatë dy ditëve të fundit në lidhje me një zgjidhje të plotë të armiqësive tona në Lindjen e Mesme", shkroi sot Trampi.
Agjencia e lajmeve Fars citoi një burim anonim në udhëheqjen iraniane të thoshte se Trampi u tërhoq pasi Teherani kërcënoi të sulmonte të gjitha termocentralet në Azinë Perëndimore.
Tasnim publikoi se Trampi u bind "nga presioni i tregjeve financiare", duke shtuar se Irani do të vazhdonte mbrojtjen e tij "derisa të arrihet parandalimi i nevojshëm". rq/
Foto: arkivi i MIA-s