• e enjte, 16 prill 2026

Hapet stacion zjarrfikës për komunat Tearcë dhe Jegunoc

Hapet stacion zjarrfikës për komunat Tearcë dhe Jegunoc

Tetovë, 10 prill 2026 (MIA) – Është hapur stacion zjarrfikës për komunat Tearcë dhe Jegunoc, në afërsi të fshatit Leshkë në rrugën magjistrale Tetovë – Jazhincë. Me lëshimin e tij në përdorim dukshëm do të ulet koha e nevojshme për shuarjen e zjarreve dhe ndërhyrjeve të tjera në këtë pjesë të Rajonit të Tetovës. Stacioni zjarrfikës është pjesë e e brigadës zjarrfikëse në Komunën Tetovë, ndërsa në të për momentin do të shërbejnë 8 zjarrfikës nga Tetova. 

“Hapja e këtij stacioni zjarrfikës është në kuadër të projektit tonë për zgjerimin e kapaciteteve të njësisë së zjarrfikësve në Tetovë. Filluam në komunën e Zhelinës, dhe sot jemi këtu për ta promovuar këtë stacion, i cili do të mbulojë komunat e Tearcës dhe Jegunocit. Do ta vazhdojmë këtë aktivitet edhe në të ardhmen dhe presim që një stacion i tillë zjarrfikës të hapet edhe për komunat e Bogovinës dhe Bërvenicës”, deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilal Kasami.

Kërkesa e banorëve të komunave Tearcë dhe Jegunoc për hapjen e një stacioni të tillë ka qenë në prej kohësh, sepse për shkak të distancës së tyre nga Tetova, shpesh ndodhte që automjetet e zjarrfikësve të arrinin në vendin e zjarrit me vonesë të madhe. Prandaj, kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi dhe kryetari i Komunës së Jegunocit, Dimitar Kostadinovski shprehën mirënjohje të madhe për Komunën e Tetovës dhe brigadën e zjarrfikësve të Tetovës që bënë përpjekje për të hapur stacion të tillë zjarrfikësish për komunat e tyre.

“Kjo është një datë historike për komunat Tearcë dhe Jegunoc sepse me vite përpiqemi të hapim një stacion të tillë zjarrfikësish që do të na sillte më afër qytetarëve dhe do të na lejonte të ndërhynim më shpejt. Për momentin, në këtë stacion zjarrfikësish do të punojnë 8 zjarrfikës nga Tetova dhe do të punojë vetëm gjatë ditës. Presim që së shpejti të pajiset në mënyrë që të mund të punojë 24 orë në ditë. Tani kemi në dispozicion dy automjete zjarrfikëse dhe së shpejti do të marrim edhe një automjet të madh”, tha Avni Ameti, komandant i brigadës së zjarrfikësve të Tetovës. fc/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR