• e enjte, 16 prill 2026

Gjyqi për "Puls": Zjarri u përhap brenda 30 sekondash, duke shkaktuar kaos të përgjithshëm dhe një stampedo drejt të vetmes dalje

Gjyqi për

Shkup, 9 prill 2026 (MIA) - Rreth orës dy e gjysmë filloi zjarri dhe u thashë shokëve të dilnin, ata ende nuk ishin të vetëdijshëm, e kapa të dashurën time dhe e nxora jashtë bashkë me shoqen e saj. Një tjetra mbeti në tavolinë, nuk donte të dilte, dhe unë bashkë me të dashurin e saj e kapëm për dore. Pas nesh kishte vajza të tjera në tavolinë, ende nuk ishin të vetëdijshme se po digjej. U shtymë drejt daljes, ku u bllokuam pak, dhe po të ishim vonuar edhe rreth 12 sekonda, nuk do të kishim dalë. Jashtë ishte kaos dhe kishte shumë njerëz, deklaroi dëshmitari Martin Dimitrov në seancën gjyqësore të sotme për zjarrin në diskotekën “Puls”.

Sipas dëshmive të të mbijetuarve për tragjedinë në Koçan, zjarri u përhap për 30 sekonda duke shkaktuar kaos të përgjithshëm dhe një stampedo drejt daljes së vetme. Dëshmitarët para gjykatës theksuan atë që edhe dëshmitarë të tjerë në procedurë e kanë pohuar më parë, e ajo është se zjarri ka shpërthyer pas aktivizimit të mjeteve piroteknike, pas së cilës ka ndodhur një stampedo drejt të vetmes dalje të hapur.

Dëshmitari Martin Dimitrov para gjykatës theksoi se zjarri kishte filluar rreth orës 2:30, pas së cilës ai menjëherë nisi të evakuohej bashkë me të dashurën. Ai theksoi se jashtë ishte kaos dhe se atë mbrëmje, sipas vlerësimit të tij, në "Puls" kishte rreth 600–700 persona.

"Rreth orës dy e gjysmë filloi zjarri dhe u thashë shokëve të dilnin, ata ende nuk ishin të vetëdijshëm. E kapa të dashurën time dhe e nxora jashtë bashkë me shoqen e saj. Një tjetër mbeti në tavolinë, nuk donte të dilte, dhe unë bashkë me të dashurin e saj e kapëm për dore. Pas nesh kishte vajza të tjera në tavolinë, ende nuk ishin të vetëdijshme se po digjej. U shtymë drejt daljes, ku u bllokuam pak, dhe po të vonoheshim edhe 8–12 sekonda, nuk do të kishim dalë. Jashtë ishte kaos dhe kishte shumë njerëz. Ndërsa isha në shkallën e parë, u ktheva mbrapa dhe gjithçka ishte errësirë, filluan të shpërthenin, me shumë gjasë, dritat", deklaroi Martin Dimitrov.

Në përpjekjet për shuarjen e zjarrit ai vuri re vetëm fotografin e tashmë të ndjerë Aleksandar Gjorgjiev, i cili përpiqej ta fikte zjarrin duke hedhur një gotë ujë lart, dhe theksoi se nuk kishte vërejtur aparate kundër zjarrit apo hidrantë, përveç shenjave për dalje mbi derën e vetme. Dimitrov dëshmoi gjithashtu se në shpëtimin e të pranishmëve ndihmuan disa persona, ndër të cilët edhe të pandehur në rast.

Praninë e të miturve në objekt e konfirmoi dëshmitarja Anastasija Ilieva, e cila theksoi se në hyrje nuk u ishin kërkuar dokumente identifikimi. Ajo shtoi se atë mbrëmje ishte në diskotekë me katër shoqe, prej të cilave dy ishin të mitura.

Ilieva sqaroi se rreth orës 2:00 filloi performanca e grupit DNK, ndërsa gjysmë ore më vonë u aktivizuan mjetet piroteknike.

"Rreth orës dy e gjysmë u aktivizuan mjetet piroteknike, unë isha në një tavolinë tjetër me shokë të tjerë dhe këngëtari tha se ishte ndezur diçka. Mendonim se ishte diçka e vogël, nuk e vumë re, menduam se do të ndalohej. Filluam të dilnim jashtë, por më pas ndodhi një stampedo", tha Ilieva.

Ajo deklaroi se kishte humbur vetëdijen ndërmjet derës dhe tualetit, pas së cilës u shpëtua përmes një vrime të hapur në mur. Duke përshkruar momentin para se të humbiste vetëdijen, tha se kishte vërejtur tym të dendur dhe një erë të çuditshme.

Ajo shtoi se kishte pritur disa sekonda pasi këngëtari i DNK-së kishte thënë në mikrofon se kishte zjarr, duke supozuar se dikush do të hapte derën e pasme, e cila me siguri, ishte e kyçur. Ilieva gjithashtu theksoi se kishte dorëzuar vullnetarisht telefonin e saj celular për përpunim, në të cilin kishte një incizim të momentit kur u aktivizuan mjetet piroteknike dhe filloi zjarri.

Më herët, në seancën e sotme, një dëshmitar tjetër, i cili ishte mysafir atë mbrëmje, theksoi se zjarri u përhap në të gjithë tavanin brenda 30 sekondash, duke shkaktuar kaos në diskotekë. Ai tha se u shpëtua nga një person i sigurisë dhe nga një zjarrfikës, pasi mbi të kishte rënë dera PVC dhe mbi të ishin shtatë persona të tjerë.

Gjyqi për zjarrin në "Puls" ndodhet në fazën e procedurës së provave. Në seancën e mëparshme, e mbajtur më 6 prill, dëshmoi Nasko Karadakovski, babai i të ndjerit Aleksandar Karadakovski, i cili para gjykatës deklaroi se djali i tij ishte emëruar si menaxher "për të mos humbur licencën" e objektit, pa e ditur përgjegjësinë e vërtetë.

Gjykimin e udhëheq gjyqtarja Dijana Gruevska Ilievski dhe është në fazën e dëshmisë dhe vazhdon me marrjen në pyetje të dëshmitarëve me propozim të Prokurorisë e cila përfaqësohet nga një ekip prej 15 prokurorësh publikë.

Zjarri në diskotekën "Puls" në Koçan shpërtheu më 16 mars 2025 gjatë performancës së grupit DNK në të cilin jetën humbën 63 persona dhe mbi 200 u lënduan, ndërsa është një nga tragjeditë më të rënda në historinë më të re të vendit. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR