Forum rajonal në kuadër të shënimit të Ditës ndërkombëtare kundër korrupsionit
- Sot do të mbahet forumi rajonal "Nga politika te impakti: Avancimi i integritetit dhe reformave institucionale në Ballkanin Perëndimor" nën organizim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në partneritet me Suedinë, Zvicrën, Bashkimin Evropian dhe UNOPS-in, me rastin e Ditës ndërkombëtare kundër korrupsionit.
- Post By Fami Bajrami
- 07:54, 10 dhjetor, 2025
Shkup, 10 dhjetor 2025 (MIA) - Sot do të mbahet forumi rajonal "Nga politika te impakti: Avancimi i integritetit dhe reformave institucionale në Ballkanin Perëndimor" nën organizim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në partneritet me Suedinë, Zvicrën, Bashkimin Evropian dhe UNOPS-in, me rastin e Ditës ndërkombëtare kundër korrupsionit.
"Forumi do të tubojë ministrat e drejtësisë, drejtuesit e institucioneve kundër korrupsionit, përfaqësues të shoqërisë civile, mediat dhe organizatat ndërkombëtare nga mbarë Ballkani Perëndimor. Forumi pritet të sjellë përcaktime të reja, koordinim të thelluar midis vendeve të rajonit dhe qasje të avancuara në luftën kundër korrupsionit, duke përfshirë përdorimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale", informon Zyra e zëvendëskryeministrit përgjegjës për politikat e qeverisjes së mirë, Arben Fetai.
Siç është paralajmëruar, Forumi do të përfshijë katër panel diskutime kushtuar perspektivave rajonale dhe mbështetjes së koordinuar ndërkombëtare për promovimin e qeverisjes së mirë; rritjen e llogaridhënies dhe shndërrimin e politikave në rezultate të matura; qeverisjen inteligjente, mjetet digjitale dhe inteligjencën artificiale në luftën kundër korrupsionit; koordinimin midis institucioneve të llogaridhënies dhe rolin e shoqërisë civile dhe gazetarisë investigative.
Në fund të ngjarjes, pjesëmarrësit pritet të miratojnë një Deklaratë të përbashkët mbi angazhimet për integritet, përpjekje kundër korrupsionit dhe bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor ku do të vijojnë fjalimet përmbyllëse.
Në pjesën hyrëse janë paraparë fjalime të kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, zëvendëskryeministrit përgjegjës për politikat e qeverisjes së mirë, Arben Fetai, shefit për bashkëpunim në Delegacionin e Bashkimit Evropian, Shtefan Hudolin, ambasadorëve të Suedisë dhe Zvicrës, Ola Sollstrom dhe Kristof Zomer dhe Mikela Telatin, drejtoreshë e Zyrës së UNOPS-it për Evropën Juglindore.
Në prag të Forumit rajonal, zëvendëskryeministri Fetai thekson se "integriteti nuk është një slogan; është themeli mbi të cilin ndërtohet besimi, zbulohet prosperiteti dhe sigurohet e ardhmja jonë e përbashkët evropiane".
"Në Ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, më 9 dhjetor, festojmë jo vetëm një ditë simbolike, por një thirrje globale për veprim të vendosur kundër korrupsionit që pengon zhvillimin dhe sundimin e ligjit në rajonin tonë. Si Qeveri e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ne e trajtojmë luftën kundër korrupsionit si politikë të qëndrueshme shtetërore, e bazuar në rezultate të matshme dhe jo në premtime boshe. Qytetarët tanë meritojnë institucione transparente, rikthim të pasurisë së vjedhur dhe sisteme digjitale që e bëjnë korrupsionin të pamundur, ka thënë zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai.
Foto: arkivi i MIA-s