Filipçe thotë se mbetet në detyrë, qëllimi i tij është "shërimi i shoqërisë"
- Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe tha se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje nga detyra, sepse, siç thekson, qëllimi i tij kryesor është të vazhdojë luftën për "shërimin e shoqërisë, zhdukjen e korrupsionit dhe kthimin e vendit në rrugën evropiane".
- Post By Fami Bajrami
- 15:03, 22 janar, 2026
Shkup, 22 janar 2026 (MIA) - Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe tha se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje nga detyra, sepse, siç thekson, qëllimi i tij kryesor është të vazhdojë luftën për "shërimin e shoqërisë, zhdukjen e korrupsionit dhe kthimin e vendit në rrugën evropiane".
Në konferencën për shtyp, Filipçe theksoi se kritikat aktuale ndaj tij dhe partisë vijnë nga, siç tha ai, "individë që shantazhohen ose blihen", duke shtuar se anëtarët dhe mbështetësit e vërtetë të LSDM-së i njohin këto përpjekje për ta dobësuar opozitën.
"Unë besoj në atë që bëj. Jam një person që punon me saktësi dhe kam llogaritur mirë para se ta filloj këtë. Dua që kjo shoqëri të shërohet, të pastrohet nga korrupsioni, të bëhen reformat dhe të hyjmë në Bashkimin Evropian. Ky është qëllimi im strategjik", deklaroi Filipçe.
Ai shtoi se lufta e opozitës do të vazhdojë intensivisht, duke potencuar se vendi, sipas tij, është "ekonomikisht në prag të greminës" dhe se qeveria aktuale po e çon vendin drejt izolimit.
Filipçe theksoi se LSDM mbetet një parti plotësisht e bashkuar, me një grup parlamentar "të sinkronizuar dhe kompakt" dhe se procesi i konsolidimit të brendshëm në organizatat komunale është në vazhdim.
"Puna ime bazohet në qëllime të ndershme dhe besoj se nëse qytetarët japin besimin e tyre në zgjedhjet e ardhshme, mund ta udhëheqim vendin si një demokraci e vërtetë evropiane, pa korrupsion", shtoi ai.
Njëherësh, Filipçe paralajmëroi se partia politike POEN (PPSHE) e Rubin Zemonit do t'i bashkohet LSDM-së.
Foto: LSDM