Filipçe: Shilegovi punon në favor të VMRO-DPMNE-së, vendimi për inicimin e procedurës për përjashtimin e tij është miratuar me konsensus
- Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, sot, në konferencë për shtyp në selinë e partisë, duke e sqaruar vendimin e Bordit ekzekutiv për inicimin e procedurës për përjashtimin e Petre Shilegovit nga anëtarësia e Partisë, deklaroi se ajo u miratua me konsensus pasi, pas të gjitha kontrolleve dhe informacioneve të tyre, arritën në përfundimin se bëhet fjalë për proces për punë në favor të VMRO-DPMNE-së dhe përpjekje për ndarje të brendshme të partisë.
- Post By Besnik Shuki
- 12:26, 17 mars, 2026
Shkup, 17 mars 2026 (MIA) - Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, sot, në konferencë për shtyp në selinë e partisë, duke e sqaruar vendimin e Bordit ekzekutiv për inicimin e procedurës për përjashtimin e Petre Shilegovit nga anëtarësia e Partisë, deklaroi se ajo u miratua me konsensus pasi, pas të gjitha kontrolleve dhe informacioneve të tyre, arritën në përfundimin se bëhet fjalë për proces për punë në favor të VMRO-DPMNE-së dhe përpjekje për ndarje të brendshme të partisë.
"Është e vërtetë që mendimet e të tjerëve u respektuan dhe u dëgjuan, ashtu është edhe tani dhe do të jetë njëjtë në të ardhmen. Por kjo nuk ka të bëjë me mendimet e të tjerëve dhe të ndryshme, sepse edhe ai mendim u dëgjua, por me një proces për punë në favor të VMRO-DPMNE-së dhe ndarje të brendshme të partisë. Pas të gjitha kontrolleve dhe informacioneve tona, arritëm në atë përfundim. Bordi ekzekutiv e miratoi atë vendim me konsensus. Askush nuk votoi kundër tij. Nuk do të lejoj që njerëzit ta ndajnë më tej LSDM-në, sepse kemi të bëjmë me një qeveri kriminale dhe të korruptuar, e cila nuk mund të bëjë asgjë për të parandaluar rënien në sondazhe, gjë që është e dukshme. Me siguri i keni ato sondazhe, nuk ka pasur kurrë rënie të tillë në VMRO-DPMNE, ndërsa ne kemi rritje, e vetmja gjë që mund të bëjnë është ta ndajnë partinë nga brenda dhe të na shtypin në mënyrë që të mund të qeverisin në mënyrën që duan të qeverisin. Ne nuk do ta lejojmë këtë. Një ndarje e tillë ndodhi në vitin 2021, në vitin 2024 me një fushatë nacionaliste dhe të rreme, në vitin 2025 vetë Shilegov tha se nuk ka punuar për LSDM-në. Ka edhe njerëz tjerë që nuk kanë punuar për LSDM-në në zgjedhjet e vitit 2025", tha Filipçe, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve.
Bordi Ekzekutiv i LSDM-së dje mori vendim dhe nisi procedurë për përjashtimin e Petre Shilegovit nga anëtarësimi në parti.
"Shilegov është i shantazhuar dhe punon për VMRO-DPMNE-në. E zbuluam tërë biznes-skemën e Hristijan Mickoskit në energjetikë, nga Adamoviqi deri 'Rudnap'. Tani të gjithë e kanë të qartë se pse aq shumë dëshirojnë ta shkatërrojnë LSDM-në. VMRO-ja aq ka rënë, sa që opsioni i vetëm u ka mbetur ta rënojnë LSDM-në prej brenda", njoftoi dje LSDM-ja.
Vendimi i Bordit ekzekutiv vjen pas një sërë kritikash publike që Shilegovi ia drejtoi udhëheqjes aktuale, si dhe deklaratave të tij të fundit se LSDM-ja është e zbrazur në aspekt të kuadrove dhe paralajmërimeve se një grup më i madh i socialdemokratëve së shpejti do të kërkojë dorëheqjen e udhëheqjes aktuale.
Petre Shilegov ishte kryetar i Qytetit të Shkupit, deputet i LSDM-së, si dhe nënkryetar dhe anëtar i Bordit ekzekutiv të partisë. bsh/