Filipçe: LSDM paraqet pako ligjesh për uljen e çmimeve të karburanteve dhe ushqimit
- Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe sot njoftoi se në Kuvend do të paraqesin një paketë ligjesh me qëllim që qytetarët më lehtë ta përballojnë krizën pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme. Ai sot në një konferencë për mediat njoftoi se grupi parlamentar i LSDM-së do të paraqesë ligj për uljen e normës së TVSH-së nga 18% në 5% për karburantet, ligj për uljen e akcizës për katër denarë, ligj për heqjen, gjegjësisht TVSH zero për produktet bazë ushqimore dhe ligj për përgjysmimin e çmimeve të pikë pagesave në vend.
- Post By Qefsere Abduli
- 13:46, 17 mars, 2026
Shkup, 17 mars 2026 (MIA) - Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe sot njoftoi se në Kuvend do të paraqesin një paketë ligjesh me qëllim që qytetarët më lehtë ta përballojnë krizën pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme. Ai sot në një konferencë për mediat njoftoi se grupi parlamentar i LSDM-së do të paraqesë ligj për uljen e normës së TVSH-së nga 18% në 5% për karburantet, ligj për uljen e akcizës për katër denarë, ligj për heqjen, gjegjësisht TVSH zero për produktet bazë ushqimore dhe ligj për përgjysmimin e çmimeve të pikë pagesave në vend.
"Qeveria duhet të reagojë dhe duhet t'i pranojë këto ligje sepse populli, thjesht, në këtë krizë nuk do të mund të ushqehet", deklaroi Venko Filipçe.
Ai theksoi se nga sot përsëri ka rritje të çmimeve të karburanteve në vend dhe, megjithëse, siç tha, kryeministri Hristian Mickoski kishte paralajmëruar se karburantet do të lirohehen dhe do të ulen për dy e gjysmë denarë për litër, ato janë shtrenjtuar për shtatë denarë.
"Kjo është rritja e dytë serioze e çmimeve të karburanteve, ndërsa Qeveria nuk ka ndërmarrë asgjë për të mbrojtur standardin e jetesës së qytetarëve. Nuk ka asnjë paralajmërim për masa që në këtë krizë të vështirë do t’u ndihmonin qytetarëve të jetojnë më lehtë. Nuk bëhet fjalë vetëm për çmimet e karburanteve. Ky shtrenjtim do të çojë deri në rritjen e çmimeve të ushqimit, të produkteve bazë ushqimore, madje edhe të rrymës. Më pas, edhe nëse çmimi i naftës në tregjet botërore stabilizohet dhe ulet, nëse ndodhin këto rritje çmimesh, asgjë nuk mund t’i kthejë çmimet pas. Të gjitha vendet në rajon tashmë kanë ndërmarrë masa përkatëse me të cilat i ndihmojnë qytetarët e tyre ta përballojnë më lehtë këtë krizë. Vetëm Qeveria jonë nuk bën asgjë, kujdeset vetëm për bizneset e veta dhe për tenderët e saj. Këtë e kanë bërë në vazhdimësi gjatë dy viteve të fundit. Për vetëm një javë, në përputhje me konsumin mesatar të derivateve, qytetarët paguajnë tre milionë euro më shumë vetëm nga rritja e çmimit të naftës. Me shtrenjtimin e ri, kjo do t’u kushtojë qytetarëve mbi 4,5 milionë euro në javë, para që do të merren nga qytetarët dhe kompanitë", deklaroi Filipçe.
Ai u ndal edhe te tema e eurointegrimeve, duke theksuar se aktualisht rruga evropiane e shtetit është plotësisht e bllokuar dhe se nuk ka asnjë përparim. Filipçe për muajin maj paralajmëroi dy, siç tha, "aktivitete serioze politike për të demaskuar politikat e rreme patriotike të VMRO-së, sepse pas tyre fshihet vetëm interes- biznesi".
E para është formimi i një iniciative të Shkupit, për të cilën sqaroi se është një iniciativë rajonale me disa parti politike nga vendet përreth, me të cilat po krijojnë një front të përbashkët për integrimin evropian, luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër regjimeve autoritare. Ai shtoi se bëhet fjalë për partitë simotra nga Serbia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria.
Duke iu përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse ekziston ndonjë marrëveshje me VMRO-DPMNE-në, Filipçe tha se ka marrëveshje vetëm me anëtarët e partisë, se do të luftojnë për një Maqedoni evropiane dhe se të gjithë ata që janë tani në pushtet do të mbajnë përgjegjësi për gjithçka që bëjnë.
Ai shtoi se eurokomisarja Marta Kos ka dhënë një paralajmërim serioz se nuk ka vend për anëtarë të rinj mbi të cilat Rusia dhe të tjerët kanë ndikim, dhe se Evropa nuk dëshiron kuaj trojan... qa/
Фото: принтскрин