• e martë, 24 mars 2026

Europarlamenti kërkon status kandidati për Kosovën, por paralajmëron në rrezikim të lirisë së mediave dhe qorr-sokakun zgjedhor

Europarlamenti kërkon status kandidati për Kosovën, por paralajmëron në rrezikim të lirisë së mediave dhe qorr-sokakun zgjedhor

Shkup, 17 mars 2026 (MIA) - Mbështetje e plotë për orientimin strategjik të Kosovës për integrim euroatlantik, mbështetje e veçantë edhe për lëshimet pak para hyrjes në fuqi të Ligjit për të huajt, por edhe shqetësim për kohën e humbur për shkak të paqartësive politike ishin porositë kryesore që u dëgjuan të martën në mëngjes në debatin për Kosovën në Komisionin e politikës së jashtme të Parlamentit Evropian.

Siç njoftojnë nga Koha.net, debati është zhvilluar mbi raportin e paraqitur nga Riho Terras, raportues për Kosovën. Ai ka folur për vizitën që ka zhvilluar në Kosovë për të përgatitur këtë raport. Ka nënvizuar procesin e mirë zgjedhor, por është fokusuar edhe në bllokadën e cila ka penguar aq shumë reformat e nevojshme në Kosovë.

Duke folur për aspektet negative, raportuesi Terras në veçanti ka nënvizuar keqësimin e lirisë së mediave në Kosovë, mungesën e transparencës së pronësisë së mediave. Disa deputetë kanë kërkuar më shumë ndihmë për mediat e pavarura, duke thënë se ato janë shtyllë e zhvillimit të një shoqërie demokratike.

Raportuesi Terras ndërkaq nuk ka lënë pa përmendur edhe sanksionet e BE-së ndaj Kosovës duke thënë se kanë lënë pasoja të rënda.

“Asnjë takim nuk ka kaluar pa u përmendur masat ndëshkuese ndaj Kosovës, këto janë relaksuar, por duhet të ndërpriten menjëherë, sepse nuk kanë kuptim”, ka thënë ai, duke shtuar se këto masa kanë goditur qytetarët, sektorin civil dhe shoqërinë e Kosovës në tërësi. Terras kërkoi nga pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë një gjë të tillë.

Gjatë debatit është thënë se Kosova ka shumë shembuj të mirë të demokracisë, mund të jetë mësim për të tjerët në rajon se si të zhvillohen zgjedhjet, porse elita politike duhet të tregojë më shumë përgjegjësi për të tejkaluar mospajtimet. 

Shefi i delegacionit për Kosovën Davor Ivo Stier, ka kërkuar që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat.

“Kosova para disa ditësh ka shënuar 18-vjetorin e pavarësisë. Ka ardhur koha që BE-ja t’ia japë Kosovës statusin e vendit kandidat”, ka thënë ky deputet kroat duke nënvizuar se, me kërkesë të vetë Serbisë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar se pavarësia e Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Po ashtu, ka thënë ai, Serbia përmes marrëveshjeve të dialogut është pajtuar që të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Përderisa sfidat e Kosovës janë shumë jashtë saj, sfida kryesore është brenda saj. Kjo është pamundësia e politikanëve për të tejkaluar mospajtimet”, ka thënë ai. mb/

Foto: piksabej

QËNDRONI TË LIDHUR