• e mërkurë, 17 dhjetor 2025

Drejtësia nuk do të jetë e ngadaltë dhe e paarritshme me Softuerin për lidhshmëri digjitale të Gjykatës Administrative me organet publike dhe Gjykatën e Lartë Administrative

Drejtësia nuk do të jetë e ngadaltë dhe e paarritshme me Softuerin për lidhshmëri digjitale të Gjykatës Administrative me organet publike dhe Gjykatën e Lartë Administrative

Shkup, 10 dhjetor 2025 (MIA) - Gjyqësori bashkëkohor nuk matet vetëm sipas cilësisë së vendimeve, por edhe sipas cilësisë së sistemit që u mundëson ato vendime të merren në kohë. Me softuerin për lidhshmëri digjitale do të mundësohet bazë të dhënash në vendimet gjyqësore dhe sistem efikas i e-dorëzimit të dokumenteve në procedurën administrative-gjyqësore. Ky sistem është vërtetim praktik se investimi në gjyqësor nuk do të thotë shpenzim por vlerë e matshme në kohë, siguri juridike dhe besim. Kjo u theksua në promovimin e "Softuerit për lidhshmëri digjitale të Gjykatës Administrative me organet publike dhe Gjykatën e Lartë Administrative", që u mbajt so në Gjykatën Administrative.

Kryetari i Gjykatës Administrative Burim Sejdini theksoi se digjitalizimi është edhe një instrument për thjeshtësimin e procedurave, përforcimin e sigurisë juridike, shkëmbimin e të dhënave ndërinstitucionale në kohë dhe pa probleme, rritjen e transparencës dhe besimit publik, si dhe përdorimin racional të mjeteve buxhetore. 

"Softueri për lidhshmëri digjitale paraqet një pjesë të rëndësishme nga zbatimi i Strategjisë sektoriale zhvillimore për gjyqësorin 2024-2028 dhe me të do të mundësohet baza e të dhënave të kërkueshme të vendimeve gjyqësore, sistem efikas i e-dorëzimit të dokumenteve në proedurën administrative-gjyqësore dhe dosjen gjyqësore të plotë elektronike", tha Sejdini.

Sipas tij, me këtë do të mundësohet edhe produktivitet më i madh i resurseve njerëzore dhe kursime financiare të rëndësishme që në vitin e parë të zbatimit.

Ai theksoi se digjitalizimi nuk është një qëllim në vetvete, por mjet dhe mënyrë për të forcuar besimin, transparencën dhe efikasitetin e gjyqësorit.

"Jam i bindur se me punë të përbashkët do ta realizojmë edhe hapin e ardhshëm të rëndësishëm në gjqësor, lidhshmërinë e plotë digjitale të gjykatave themelore në nivel të gjykatave rajonale të apelit, të lidhura me instancën më të lartë gjyqësore, Gjykatën Supreme të Maqedonisë së Veriut", theksoi Sejdini.

Sejdini tha se ky softuer është i sigurt, përfshin vërtetim me dy hapa, përkatësisht mundësitë për keqpërdorimin e tij janë kufizuar.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor Aleksandar Kambovski tha se nga perspektiva e Këshillit Gjyqësor ky projekt ka vlerë të madhe - e para, ai është vërtetim praktik se investimi në gjyqësor nuk do të thotë shpenzim por vlerë e matshme në kohë, siguri juridike dhe besim.

"Me integrimin digjital, ne shkurtojmë procedurën, zvogëlojmë kostot dhe minimizojmë faktorin njerëzor aty ku ai nuk duhet të jetë pengesë, por mbështetje. Së dyti, ky projekt tregon qartë se pavarësia gjyqësore dhe modernizimi shkojnë së bashku, një gjyqësor efikas nuk do të thotë kompromis me pavarësinë, përkundrazi do të thotë pozicion i forcuar i gjyqtarit me mjete që mundësojnë vendimmarrje të bazuara në informacion të plotë, në kohë dhe të saktë", theksoi Kambovski.

Dhe së treti, dhe sipas tij më e rëndësishmja, ky është një shembull se si duhet të duket një bashkëpunim i pjekur ndërinstitucional pa vonesa, me një qëllim të qartë dhe përgjegjësi të marrë nga Gjykata Administrative, Gjykata e Lartë Administrative, autoritetet publike, Këshilli i Buxhetit Gjyqësor, të cilat kanë treguar se institucionet mund të funksionojnë si një sistem i vetëm kur në fokus është interesi publik.

"Si Kryetar i Këshillit Gjyqësor, dua të deklaroj qartë se ky nuk është një projekt i izoluar - ky është një model, një model që duhet të zgjerohet, të thellohet dhe të përfshihet sistematikisht në të gjitha segmentet e gjyqësorit. Vizioni ynë është i qartë - një gjyqësor funksional, i lidhur vertikalisht dhe horizontalisht me standarde unike, ndërveprim dhe një gjurmë të plotë elektronike të procedurave", tha Kambovski.

Ai theksoi se në këtë kuptim, Këshilli Gjyqësor do të vazhdojë të mbështesë në mënyrë aktive digjitalizimin përmes planifikimit të buxhetit, zgjidhjeve normative dhe projekteve strategjike, si dhe përmes një këmbënguljeje të qartë në llogaridhënie dhe rezultate.

"Sot kemi një ndryshim të tillë para nesh, një ndryshim që u dërgon një mesazh qytetarëve se drejtësia nuk është e largët, se drejtësia nuk është e ngadaltë ose e paarritshme, por e organizuar, e parashikueshme dhe e përgatitur teknologjikisht për t'iu përgjigjur nevojave të tyre. Gjyqësori bashkëkohor nuk matet vetëm nga cilësia e vendimeve, por edhe nga cilësia e sistemit që lejon që këto vendime të merren në kohë. Sot kemi bërë një hap tjetër të rëndësishëm në atë drejtim", përfundoi Kambovski.

Sistemi kushton rreth 50.000 euro, ose 3.270.000 denarë, ndërsa bartës i furnizimit është "Edusoft" SH.P.K. Shkup. sa/

Foto: MIA

  

 

QËNDRONI TË LIDHUR