• e enjte, 16 prill 2026

Dimitrieska-Koçoska: Si shtet po përballemi shumë mirë me situatën; është e lehtë të miratohen një grup masash, por duhet të kemi kujdes që të mos nxitet inflacioni

Dimitrieska-Koçoska: Si shtet po përballemi shumë mirë me situatën; është e lehtë të miratohen një grup masash, por duhet të kemi kujdes që të mos nxitet inflacioni

Shkup, 24 mars 2026 (MIA) - Shumë është e lehtë të miratohen një grup masash, por duhet pasur kujdes që të mos nxitet inflacioni. Masat duhet të analizohen me kujdes. Jo rastësisht filluam me uljen e TVSH-së. Siç do ta kërkojnë nevojat, ashtu do të reagojmë, deklaroi sot ministrja e financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, në panelin e parë të mbajtur në kuadër të konferencës ndërkombëtare që në Shkup u organizua nga Banka Popullore. 

"Duhet t’i ndiqni me kujdes gjendjet dhe gjithmonë të shikoni sa hapësirë keni në buxhet. Është shumë e thjeshtë nëse vendosim sot të bëjmë një deficit buxhetor prej 8 për qind, siç kemi pasur dikur, por këtë dikush në të ardhmen duhet ta paguajë. Mendoj se një qeveri e përgjegjshme duhet t’i targetojë me kujdes masat dhe të vendosë në kohë. Ky është një moment kur edhe ekspertët botërorë thonë se duhet të kursehet. Duhet të kursejnë si kompanitë ashtu edhe amvisërit, duhet të kursejnë të gjithë sepse askush nuk e di sa do të zgjasë. Ajo që mua më shqetëson është sa kohë do të duhet që të rikthehen në gjendjen fillestare kapacitetet që tani janë shkatërruar, aty ku prodhohet nafta. Ndoshta lufta do të përfundojë për një javë nga sot, ndoshta do të arrijnë të merren vesh, por askush nuk e di saktësisht se cila është gjendja e kapaciteteve, ndërsa shifrat tregojnë se më shumë se 7 për qind e kapaciteteve janë shkatërruar dhe kjo është një shifër serioze, e cila padyshim do të ketë ndikim në një periudhë më të gjatë", theksoi Dimitrieska-Koçoska.

Sqaroi se është vendosur që fillimisht të shkohet me uljen e TVSH-së për derivatet, sepse aty kanë qenë mundësitë më të favorshme, dhe theksoi se pritet rritje e çmimeve, por secili duhet të jetë shoqërisht i përgjegjshëm dhe të japë kontributin e vet.

"Kjo është një gjendje në të cilën secili duhet të marrë pjesë sadopak dhe të japë kontributin e vet, sepse në fund të ditës shteti ka qenë këtu, si në vitet e kaluara ashtu edhe tani, duke i ndihmuar kompanitë përmes mekanizmave të ndryshëm. E dini sa para kemi dhënë për sektorin privat përmes kredisë hungareze dhe subvencioneve nëpërmjet ligjit për ndihmën shtetërore. Në periudha të tilla kritike, kompanitë duhet të reagojnë dhe të ndihmojnë. Deri tani nuk ka ndonjë ndikim më të madh në çmime. Në periudhën që vijon, si shtet do t’i ndjekim gjendjet, megjithatë mbetet fakti se, nga njëra anë, kemi kufizime në buxhet dhe na presin detyrime serioze - kemi obligim për konsolidim fiskal, ndërsa financat publike të qëndrueshme janë prioritet. Si shtet po përballemi shumë mirë me situatën", theksoi Dimitrieska-Koçoska. rq/

Foto: printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR