Dëshmia për rastin "Puls": Sigurimi duhej të kishte reaguar për praninë e të miturve pas mesnatës, ndërsa fishekzjarrët ishin rrezik sigurie
- Procedurat ligjore për marrjen e licencës, detyrimet gjatë lidhjes së kontratave për siguri, si dhe autorizimet e punonjësve gjatë kontrollit të hyrjes dhe pranisë së të miturve në objekte, ishin në fokus të seancës së sotme për zjarrin në diskotekën "Puls" në Koçan, ku në cilësinë e dëshmitarit – këshilltar teknik, dëshmoi Verica Milevska-Stefanovska, kryetare e Odës së Maqedonisë për Siguri Private.
- Post By Ramize Qamili
- 12:43, 17 mars, 2026
Shkup, 17 mars 2026 (MIA) - Procedurat ligjore për marrjen e licencës, detyrimet gjatë lidhjes së kontratave për siguri, si dhe autorizimet e punonjësve gjatë kontrollit të hyrjes dhe pranisë së të miturve në objekte, ishin në fokus të seancës së sotme për zjarrin në diskotekën "Puls" në Koçan, ku në cilësinë e dëshmitarit – këshilltar teknik, dëshmoi Verica Milevska-Stefanovska, kryetare e Odës së Maqedonisë për Siguri Private.
Në pyetjet e Prokurorisë, Milevska-Stefanovska sqaroi se Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) lëshon leje për ushtrimin e aktivitetit bazuar në kritere ligjore të rrepta. Ajo pohoi se siguria fizike përfshin mbrojtje trupore, monitorim, patrullim, si dhe sigurimin e tubimeve publike dhe ngjarjeve sportive.
"Për të mundur të punojnë kompanitë në sektorin e sigurisë private, MPB-ja bazuar në kritere të caktuara ligjore jep leje për ushtrimin e aktivitetit në formën e ofrimit të shërbimeve për siguri fizike dhe teknike ose për nevoja të brendshme. Pasi personi juridik të marrë lejen, ai ka një afat ligjor prej gjashtë muaj për të filluar aktivitetin, dhe pasi të punësojë personelin, duhet në afat brenda 30 ditëve të dorëzojë legjitimet për sigurim. Licenca e punonjësit të sigurisë është një nga kushtet për të mundur të punojë, që do të thotë se ai është i edukuar, por autorizimet publike punonjësi do t’i kryejë me legjitimitet", theksoi dëshmitari.
Milevska-Stefanovska shtoi se për ofrimin e shërbimeve të sigurisë fizike, minimumi ligjor është 15 punonjës me legjitimet, për sigurinë teknike nevojiten tre punonjës, ndërsa për sigurimin për nevoja të brendshme, minimumi është dhjetë punonjës. Ajo theksoi se ky aktivitet është në interes publik sipas dispozitave ligjore.
Duke u ndalur te baza ligjore për angazhimin, Milevska-Stefanovska potencoi se çdo person juridik detyrimisht lidh marrëveshje me përdoruesin e shërbimit vetëm në formë të shkruar. Ka një dispozitë në Ligj që thotë se nëse marrëveshja nuk është në formë të shkruar, ajo konsiderohet e pavlefshme”, theksoi Milevska-Stefanovska.
Dëshmitari sqaroi se vetëm në rastin kur angazhohen pesë ose më shumë punonjës, personi juridik që ofron shërbimin duhet të përgatisë një plan sigurie dhe ta dorëzojë në stacionin e policisë në juridiksionin e të cilit zhvillohet ngjarja. Milevska-Stefanovska theksoi se në Ligj nuk ekzistojnë rregulla të përcaktuara saktësisht për numrin e punonjësve që duhet të angazhohen, por kjo varet nga marrëveshja e shërbimit, në varësi të llojit të objektit dhe vlerësimit të sigurisë.
Në lidhje me kompetencat për hyrjen në objekte, kryetarja e Odës tha se punonjësi ka të drejtë të kryejë kontroll dhe të veprojë nëse gjen një mjet të rrezikshëm, por megjithatë, siç tha, kjo varet nga marrëveshja. Për pyetjen mbi praninë e të miturve në objektet e shërbimit ushqimor pas mesnatës, Milevska-Stefanovska theksoi se siguria ka detyrim të ndërhyjë.
"Duke pasur parasysh faktin se konkretisht në objekte të tilla duhet të ketë ligje të tjera, me tabela të vendosura në një vend të dukshëm që paralajmërojnë se prania e të miturve nuk lejohet, sigurimi duhej të reagonte ose të paktën të njoftonte pronarin e objektit", tha Milevska-Stefanovska.
Në pyetjen nëse përdorimi i mjeteve piroteknike paraqet rrezik sigurie, dëshmitarja u përgjigj pozitivisht, pas së cilës Gjykata nuk lejoi pyetje shtesë nëse personat që e përdorin duhet të kenë edukim të veçantë. Sipas të dhënave të deritanishme publike, pikërisht shkëndijat nga mjetet piroteknike ishin shkaku i përhapjes së shpejtë të zjarrit në diskotekë.
Zjarri në diskotekën “Puls” në Koçan shpërtheu më 16 mars 2025 gjatë një paraqitjeje të grupit DNK dhe përfaqëson një nga tragjeditë më të rënda në historinë më të re të vendit. Me seancën e sotme vazhdon procedura hetuese me shfaqjen e dëshmitarëve me propozim të Prokurorisë - të cilën e përfaqëson një ekip prej 15 prokurorëve publikë. rq/
Foto: arkivi i MIA-s