• e diel, 01 shkurt 2026

Borë, shi dhe temperatura të ulëta në mbarë Evrpopën, janë mbyllur shkollat dhe janë anuluar fluturimet

Borë, shi dhe temperatura të ulëta në mbarë Evrpopën, janë mbyllur shkollat dhe janë anuluar fluturimet

Hagë, 6 janar 2026 (MIA) - Borë, shi i ngrirë dhe temperatura shumë të ulëta kanë goditur sot shumë pjesë të Evropës, ndërsa trafiku në numër të madh të qyteteve në disa shtete zhvillohet në kushte të vështira ose është ndërprerë.

Në Francë, sipas zyrtarëve nga disa pjesë të vendit, pesë persona kanë ndërruar jetë në aksidente trafiku, autoritetet urdhëruan largimin e kamionëve nga rrugët dhe disa shkolla në Paris u mbyllën për shkak të borës. Gjashtë aeroporte në veri dhe perëndim të Francës u mbyllën për shkak të shiut të rrëmbyeshëm, ndërsa qindra fluturime u anuluan në aeroportet në të gjithë rajonin.

Sasi e madhe bore ka rënë edhe në Holandë dhe aeroportin "Shiphol" në Amsterdam për shkak të së cilës janë anuluar rreth 400 fluturime, ndërsa aeroplanë të tjerë po presin që pistat të shkrihen dhe të pastrohen. Në Holandë, trafiku hekurudhor u pezullua këtë mëngjes dhe kompania kombëtare hekurudhore NS i informoi udhëtarët që të "udhëtojnë vetëm nëse është absolutisht e nevojshme". Radhë të gjata automjetesh po formohen në disa autostrada për shkak të borës dhe akullit.

Në Romë, lumi Tibër doli nga shtrati për shkak të shirave të rrëmbyeshëm dhe stuhia uli numrin e njerëzve që merrnin pjesë në bekimin e Epifanisë nga papa. Prefekti i Romës, Roberto Gualtieri, lëshoi ​​një dekret të hënën që kufizon aksesin në parqe dhe zona të tjera të prekura nga pemët e rrëzuara dhe përmbytjet.

Borë ra në Bolonjë dhe Dolomite në Itali dhe temperatura të ulëta parashikohen për pjesën më të madhe të pjesëve veriore dhe qendrore të vendit në ditët në vijim.

Mot i ftohtë pritet edhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku bora ka ndërprerë trafikun hekurudhor, rrugor dhe ajror dhe qindra shkolla janë mbyllur.

Autoritetet skoceze kanë thirrur ushtrinë për të pastruar borën dhe për të shpërndarë ushqim dhe ilaçe për njerëzit e bllokuar në borë ose të shkëputur nga komunitetet e tyre.

Disa agjenci botërore po raportojnë gjithashtu për shira të rrëmbyeshëm në Ballkan dhe thuhet se bora dhe shiu kanë krijuar probleme të mëdha në trafik dhe në furnizimin me energji elektrike dhe ujë. Theksohet se një grua vdiq në Sarajevë sepse një degë i ra mbi kokë, disa komuna në Serbi shpallën gjendje të jashtëzakonshme për shkak të kushteve të këqija të motit, si dhe disa shtëpi të vogla në Ada Bojana në Mal të Zi u rrëmbyen nga deti. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR