Barazia gjinore - standard evropian dhe parakusht për përparim të Maqedonisë së Veriut
- – Barazia gjinore nuk është zgjedhje, por standard evropian dhe vlerë themelore për shoqëri demokratike, ekonomi të fuqishme dhe kohezion ndërmjet qytetarëve. Kjo ishte porosia e përbashkët në konferencën e sotme “Barazia gjinore si gurthemel i anëtarësimit drejt BE-së”, në të cilën përfaqësues të Qeverisë, Bashkimit Evropian dhe organizatave ndërkombëtare theksuan se integrimi i perspektivës gjinore është detyrë thelbësore në procesin e integrimeve evropiane.
- Post By Fitore Curri
- 12:52, 12 dhjetor, 2025
Shkup, 12 dhjetor 2025 (MIA) – Barazia gjinore nuk është zgjedhje, por standard evropian dhe vlerë themelore për shoqëri demokratike, ekonomi të fuqishme dhe kohezion ndërmjet qytetarëve. Kjo ishte porosia e përbashkët në konferencën e sotme “Barazia gjinore si gurthemel i anëtarësimit drejt BE-së”, në të cilën përfaqësues të Qeverisë, Bashkimit Evropian dhe organizatave ndërkombëtare theksuan se integrimi i perspektivës gjinore është detyrë thelbësore në procesin e integrimeve evropiane.
Sanja Bozhinovska, ministre e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, theksoi se barazia është detyrim juridik, por edhe investim inteligjent.
“Në Bashkimin Evropian, barazia gjinore nuk është temë dytësore, por vlerë themelore e ngulitur në ligjin evropian. Progresi në këtë fushë është detyrim ligjor për çdo vend që dëshiron të jetë pjesë e Unionit, por edhe një investim inteligjent në një zhvillim të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm. Ne e pranojmë këtë standard jo vetëm sepse duhet, por sepse besojmë në një vend që nuk ka qytetarë të privilegjuar dhe të paprivilegjuar. Ministria të cilën e udhëheq unë është shembull pozitiv - me një ekuilibër gjinor 50 kundër 50, ne tregojmë se institucionet mund dhe duhet të jenë nxitës të barazisë. Por, ndjenja e barazisë nuk vjen automatikisht – por ndërtohet, veçanërisht në sektorë ku gruaja shumë shpesh duhet të dëshmohet dyfish që të dëgjohet zëri i saj”, tha ajo.
Zëvendësministrja e Çështjeve Evropiane, Viktoria Trajkov, theksoi se perspektiva gjinore duhet të integrohet në të gjitha kapitujt e bisedimeve.

"Barazia gjinore është çelësi i proceseve demokratike. Ajo përshpejton zhvillimin ekonomik, krijon bashkësi më gjithëpërfshirëse dhe kohezive, ndërton një shoqëri në të cilën thyhen stereotipat, ndërsa të rinjtë stimulohen të besojnë dhe krijojnë një mjedis respektiv të ndërsjellë, bashkëpunim dhe mirëkuptim - një shoqëri mundësish. Pa fuqizimin ekonomik dhe social të grave, nuk mund të arrihet qëndrueshmëria dhe mirëqenia e vërtetë", ka thënë ajo.
Ban Nupnau, zëvendës shef i misionit të BE-së në Shkup, paralajmëroi se integrimi i perspektivës gjinore nuk guxon të mbetet simbolik.
“Kjo forcon drejtësinë dhe qëndrueshmërinë e reformave. Maqedonia e Veriut ka bërë përpjekje, por ekzistojnë boshllëqe dhe politika gjinore shpesh i nënshtrohet prioriteteve të tjera. Prandaj, forcimi i institucioneve, bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe promovimi i lidershipit gjinor janë të nevojshme. BE-ja mbetet partner i përkushtuar për ta bërë barazinë realitet për të gjithë”, tha ai.

Vesna Ivanoviq – Kastared, udhëheqëse e zyrës së UN Women, përkujtoi se barazia gjinore është parakusht themelor për demokraci funksionale.
“Barazia gjinore është parakusht themelor për demokraci funksionale, ekonomi të qëndrueshme dhe menaxhim gjithëpërfshirës. Vendet anëtare të Bashkimit Evropian pritet të demonstrojnë përkushtim juridik dhe institucional për mundësi dhe të drejta të barabarta, në përputhje me standardet evropiane për barazi”, theksoi ajo.
Konferenca që sot zhvillohet në Shkup i kushtohet rolit të barazisë gjinore si një element kyç në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Ngjarja bashkoi institucionet, ekspertët, organizatat ndërkombëtare dhe sektorin e shoqërisë civile me qëllim që të shqyrtojnë sfidat, detyrimet dhe mundësitë për integrimin e perspektivës gjinore në të gjitha fazat e integrimit evropian. fc/
Foto: MIA, Ministria e Energjetikës